Që 13 vite me radhë, shqiptarët e Medvegjës përballen me një fenomen dramatik: pasivizimin dhe fshirjen e adresave të tyre nga regjistrat civilë. Ky proces, i kryer nën justifikime administrative, në fakt ka sjellë pasoja të drejtpërdrejta politike, sociale e kombëtare.
Sot, mbi 90% e shqiptarëve të Medvegjës figurojnë të fshirë apo të pasivizuar nga adresat e tyre të banimit, duke humbur kështu të drejtat themelore qytetare.

Gjatë këtyre viteve janë bërë përpjekje të shumta: takime me institucione vendore e ndërkombëtare, publikime me dëshmi e fotografi, shkrime me lot e dhimbje për të sensibilizuar opinionin publik. Megjithatë, pavarësisht këtyre përpjekjeve, realiteti nuk ka ndryshuar. Ky pasivizim vazhdon të ndodhë para syve të botës demokratike, duke ngritur një pyetje të hidhur: cili është faji dhe si është e mundur që kjo padrejtësi të vazhdojë në heshtje?

Në aspekt akademik, pasivizimi i adresave në Medvegjë përbën një formë të shpërnguljes së heshtur – një spastrim administrativ që synon ndryshimin e strukturës etnike të kësaj treve. Në mungesë të luftës së hapur, përdoren mekanizma burokratikë që çojnë në të njëjtin rezultat: boshatisjen e tokës nga popullsia autoktone shqiptare.

Kjo situatë kërkon analizë dhe reagim të organizuar në disa drejtime:
- Juridikisht, përmes padive dhe iniciativave në instancat vendore dhe ndërkombëtare;
- Politikisht, përmes ndërkombëtarizimit të çështjes dhe presionit diplomatik;
- Kulturorisht, duke dokumentuar, shkruar dhe dëshmuar me çdo mjet që Medvegja nuk është një trevë pa histori e pa njerëz.

Medvegja sot përfaqëson një shembull të gjallë se si padrejtësia mund të kryhet jo vetëm me dhunë të hapur, por edhe me mjete të qeta e të ftohta burokratike. Është detyrë e studiuesve, politikanëve dhe diasporës që kjo çështje të mos mbetet vetëm një statistikë, por të kthehet në një kauzë të drejtë ndërkombëtare, për të mbrojtur të drejtën e njeriut më themelore – të drejtën për të ekzistuar në vendin e vet.
Punim i shkruar nga shkrimtari i shumë veprave të botuara, opinionist dhe autor i dy katalogëve mbi veshjen tradicionale të Medvegjës, është edhe autor i librave “Shqiptarët e Medvegjës nëpër shekuj” – vëllimi 1 dhe 2, Rrahman Hyseni