RIJA HASHANI – INFERMIERE E DEVOTSHME DHE SHKRIMTARE E ANGAZHUAR

Rija Hashani zë një vend të veçantë ndër personalitetet e Mirashit, duke u bërë shembull i përkushtimit në shëndetësi dhe në kulturë. Prej 12 vitesh ajo shërben me devotshmëri në Klinikën Infektive në Prishtinë, ku vazhdon të jetë në ballë të misionit human, duke i qëndruar pranë pacientëve në momentet më të vështira.

Gjatë pandemisë së virusit COVID-19, ajo u gjend në vijën e parë të frontit, ballë për ballë me rrezikun, duke shpëtuar jetë njerëzish çdo ditë e çdo orë. Përkushtimi i saj ishte aq i madh sa edhe vetë u prek nga virusi, por me qëndresë dhe forcë arriti ta kalojë pa pasoja të rënda, për të vazhduar misionin e saj jetësor.

Paralelisht me profesionin fisnik të infermierisë, Rija Hashani ka ushqyer edhe anën e saj krijuese si shkrimtare. Ajo merr pjesë në simpoziume, konferenca dhe kongrese letrare, duke sjellë kontribut të çmuar në fushën e artit dhe mendimit. Në këtë mënyrë, ajo ndërthur dy botë të mëdha: humanizmin e profesionit dhe frymëzimin e penës.

Figura e saj është dëshmi se si një grua mund të përballojë sfidat më të rënda të kohës, duke shpëtuar jetë me profesion dhe duke ushqyer shpirtin me art.

Punim i shkruar nga shkrimtari i shumë veprave të botuara, opinionist dhe autor i dy katalogëve mbi veshjen tradicionale të Medvegjës, është edhe autor i librave “Shqiptarët e Medvegjës nëpër shekuj” – vëllimi 1 dhe 2, Rrahman Hyseni