Në një kohë kur historia jonë rrezikon të humbasë mes pluhurit të harresës dhe shtrembërimeve të të huajve, çdo libër që i shërben së vërtetës është një gur i çmuar në themelin e identitetit kombëtar. Monografia “Bojnikët nëpër shekuj” e autorit Emrush Abaz Osmani është një thirrje e fuqishme për të ruajtur kujtesën, për të dokumentuar rrënjët dhe për të mos lejuar që brezat e ardhshëm të rriten të shkëputur nga e kaluara.
Dy fjalë për librin “Bojnikët nëpër shekuj” të autorit Emrush Abaz Osmani
Historia ka dëshmuar ndër shekuj se puna më e vështirë e njeriut është të njohë vetveten. Por njohja e vetvetes nuk fillon thjesht nga reflektimi personal – ajo nis nga rrënjët, nga vendlindja, nga toka ku të parët tanë hodhën farën e pemës së jetës.
Nëse nuk e njohim vendin tonë, nuk mund të njohim dot as gjenezën tonë. Vetëm duke ecur pas gjurmëve të historisë, duke prekur me mendje dhe zemër gurët, lumenjtë, malet dhe kujtimet e brezave të shkuar, ne kuptojmë kush jemi, nga vijmë dhe pse duhet ta ruajmë këtë trashëgimi.
Historinë e bëjnë njerëzit, por historia që nuk shkruhet, humbet. Për fat të keq, historinë tonë për shekuj e kanë shkruar të huajt, pushtuesit dhe fqinjët, shpesh duke shtrembëruar të vërtetën dhe duke mohuar lashtësinë e autoktoninë e shqiptarëve. Prandaj është detyrë e secilit prej nesh të kontribuojë, qoftë edhe me një fije kujtese, një tregim familjar, një ngjarje të jetuar apo të trashëguar me gojëdhëna.
Ky është edhe misioni i librit “Bojnikët nëpër shekuj” të autorit Emrush Abaz Osmani – një thirrje për të dokumentuar, për të ruajtur e për të përcjellë historinë tonë lokale, që është pjesë e pandarë e historisë së madhe kombëtare. Në këtë monografi, ngjarjet rrëfehen thjeshtë e drejt, por me shumë emocion dhe me besnikëri ndaj së vërtetës. Personazhet janë realë, ngjarjet janë të jetuara dhe mësimet që nxjerrim prej tyre janë të vlefshme për brezat që vijnë.
Ky libër është më shumë se një vepër historike – është një testament i dashurisë për vendlindjen dhe një armë e fuqishme kundër harresës. Ai ndriçon historinë e Luginës së Preshevës dhe të Medvegjës, duke hedhur dritë mbi një pjesë të çmuar të identitetit tonë.
Urime autorit për këtë vepër të vyer! Qofshin këto vetëm fillimi i një serie librash që do të shërbejnë si udhërrëfyes për të njohur e mbrojtur historinë e kombit tonë.
Punim i shkruar nga shkrimtari i shumë veprave të botuara, opinionist dhe autor i dy katalogëve mbi veshjen tradicionale të Medvegjës, është edhe autor i librave “Shqiptarët e Medvegjës nëpër shekuj” – vëllimi 1 dhe 2, Rrahman Hyseni