Me një koncert homazh mbresëlënës, u përmbyllën “Ditët e Komandant Lleshit” në 24-vjetorin e rënies së tij heroike.
Në Shtëpinë e Kulturës, e mbushur përplot, u shfaq një program artistik i jashtëzakonshëm, i tillë si rrallëherë më parë, nën drejtimin artistik të Shkodran Tolajt.
Programi kaloi nën atmosferë të thellë emocionale, me sy të përlotur dhe zemra të prekura nga kujtimet për një ndër figurat më emblematike të luftës për liri.
Performanca e jashtëzakonshme e këngëtares së njohur Besiana Mehmedi, e shoqëruar nga artistët më të mirë të skenës shqiptare, i dha kësaj dite një dimension të veçantë artistik e përkujtimor.
Të pranishmëve iu drejtuan me fjalë përkujtimore kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës, Bejtulla Bejtullahu, kryetari i Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, kryetari i Kuvendit Komunal, Driton Rexhepi, si dhe në emër të familjes, Levent Qazimi, duke sjellë mesazhe nderimi dhe mirënjohjeje për jetën dhe veprën e Komandant Lleshit.
“Ditët e Komandant Lleshit” u organizuan nën patronatin e kryetarit të Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti.
Kjo ngjarje dëshmoi edhe njëherë respektin dhe kujtesën kolektive që populli shqiptar ruan për heronjtë e tij.