TAKIM JUBILAR I GJENERATËS 1974/75 TË SHKOLLËS NORMALE NË PRISHTINË

Më 17 maj 2025, në Prishtinë u mbajt një takim i veçantë dhe tejet emocionues i gjeneratës së fundit të maturantëve të Shkollës Normale në vitin shkollor 1974/1975. Pas 50 vitesh, ish-nxënësit u mblodhën pranë ish-objektit të shkollës për të kujtuar vitet më të bukura të rinisë dhe për të nderuar kujtimin e institucionit që për dekada me radhë ishte themel i edukimit në trojet shqiptare.

Pjesëmarrës në këtë takim ishte edhe mësuesi i njohur nga fshati Gërbac i Medvegjës, Haki Azemi, tani në pension, i cili ndau me emocion fjalët e tij:

“Ishte një kënaqësi e veçantë me u takua me shokë pas 50 viteve, apo një gjysmë shekulli të përfundimit të shkollës së mesme. Me gjeneratën tonë ju dha fund një shkolle të madhe e të suksesshme për edukimin e brezave nga të gjitha trevat shqiptare.”

Në këtë takim u kujtua edhe roli i madh i stafit edukativo-arsimor të Shkollës Normale – nga themelimi i saj në Prishtinë e deri në degëzimet në qytete të tjera të Kosovës. Pikërisht kjo shkollë ishte burim i formimit të qindra mësuesve, arsimtarëve, profesorëve, pedagogëve, intelektualëve dhe deri te doktorët e shkencave, të cilët për dekada bartën mbi supe misionin e shenjtë të arsimit kombëtar.

Kjo gjeneratë, e cila përfundoi shkollën në vitin 1975, u pensionua zyrtarisht në vitin 2020 – duke lënë pas një trashëgimi të pasur në fushën e arsimit dhe kulturës.

Takimi jubiljar u mbyll me falënderime për organizatorët dhe pjesëmarrësit, duke shënuar kështu një moment historik, ku u ndërthurën kujtimet, mirënjohja dhe krenaria për një brez të tërë që jetën ia kushtoi edukimit dhe arsimimit të rinisë shqiptare.

Punim i shkruar nga shkrimtari i shumë veprave të botuara, opinionist dhe autor i dy katalogëve mbi veshjen tradicionale të Medvegjës, është edhe autor i librave “Shqiptarët e Medvegjës nëpër shekuj” – vëllimi 1 dhe 2, Rrahman Hyseni