“Shqiptarët në Serbi po diskriminohen sistematikisht”
Haki Emini, një qytetar nga Medvegja që jeton dhe vepron në Zvicër, përmes avokatit të tij Luka M. Jovanoviq, i është drejtuar raportuesit të Parlamentit Evropian për Serbinë, Tonino Picula, duke shprehur shqetësimin dhe indinjatën e tij të thellë për diskriminimin që po u bëhet shqiptarëve në Serbi, veçanërisht në Medvegjë.
Në letrën drejtuar Piculës, avokati Jovanoviq thekson problemin e pasivizimit të adresave të shqiptarëve në jug të Serbisë, një praktikë sistematike që po i lë mijëra qytetarë pa dokumente bazë dhe të drejta elementare.
Haki Emini, i cili prej vitesh ka zhvilluar një betejë të fortë kundër kësaj padrejtësie, ka denoncuar këtë çështje jo vetëm në institucionet vendore dhe ndërkombëtare, por edhe në mediat e huaja. Përkundër përpjekjeve të tij, madje edhe më të zëshme se ato të deputetit shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ai ende nuk ka arritur të rikthejë adresën e tij në Medvegjë.
Në letrën e avokatit Jovanoviq drejtuar eurodeputetit Picula theksohet se pasivizimi i adresave nga autoritetet serbe i ka bërë shqiptarët “të padukshëm” për institucionet shtetërore, duke i privuar ata nga e drejta për të votuar, për t’u pajisur me dokumente identifikimi dhe për të pasur qasje në shërbime bazë si kujdesi shëndetësor.
Përveç kësaj, në letër vihet në dukje edhe qëndrimi i institucioneve të Kosovës, të cilat, për shkak të politikës së reciprocitetit, nuk i njohin dokumentet e udhëtimit të lëshuara nga Serbia për këta qytetarë, duke u pamundësuar lëvizjen në Kosovë.
Haki Emini dhe përfaqësuesi i tij ligjor apelojnë për ndërhyrjen e institucioneve evropiane, duke kërkuar që të ushtrohet presion mbi Serbinë për të ndalur këtë praktikë diskriminuese që po ndikon drejtpërdrejt në jetën e mijëra shqiptarëve në jug të Serbisë.
Kjo çështje mbetet një nga problematikat më të mëdha për shqiptarët në Serbi dhe një nga sfidat kryesore në rrugën e saj drejt integrimit evropian.
Më poshtë gjeni letrën e dërguar Parlamentit Europina:
I nderuar zoti Picula,
“Ju drejtohem si përfaqësues i z. Hakija Emini me dëshirën për t’ju vënë në dijeni për situatën e paqëndrueshme në të cilën ndodhen shqiptarët nga jugu i Serbisë, veçanërisht ata nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, për të cilën përgjegjësinë e ndajnë në masë të barabartë institucionet në Beograd, por edhe ato në Prishtinë.
Vitet e fundit, veçanërisht pas vitit 2016, Republika e Serbisë i ka fshirë në mënyrë sistematike nga adresat e tyre të banimit pjesëtarët e pakicës kombëtare shqiptare nga jugu i Serbisë, përmes procedurave të pasivizimit, ndonëse ata kanë qenë të regjistruar në mënyrë të rregullt në këto adresa për shumë vite me radhë.
Ligjshmëria e këtyre procedurave është shumë e diskutueshme, pasi pothuajse asnjë person, adresa e të cilit është pasivizuar në këtë mënyrë, nuk ka pasur mundësinë të shprehet lidhur me arsyet që janë përmendur si bazë për pasivizimin.
Përveçse si pasojë e kësaj sjelljeje të organeve shtetërore të Serbisë u është mohuar mundësia për të marrë pjesë në regjistrimin e fundit të popullsisë, pasoja më dramatike e kësaj praktike të fshirjes administrative është se këta persona, për shkak të pasivizimit, nuk mund të pajisen me dokumentet më themelore (si letërnjoftimi dhe libreza shëndetësore) dhe nuk mund të votojnë në zgjedhjet lokale në komunitetet e tyre.
Numri i qytetarëve të Serbisë që në këtë mënyrë janë bërë “të padukshëm” për institucionet shtetërore nuk mund të përcaktohet me saktësi në këtë moment, por disa vlerësime tregojnë se vetëm gjatë katër viteve të fundit, me këto procedura të pasivizimit, janë prekur disa mijëra persona.
Kjo situatë e papranueshme përkeqësohet më tej nga veprimet e institucioneve të Kosovës. Qytetarëve të Serbisë, të prekur nga ky pasivizim administrativ, u kufizohet edhe lëvizja në territorin e Kosovës, pasi qeveria e z. Kurti, për shkak të politikës së reciprocitetit, nuk njeh dokumentet e udhëtimit të lëshuara për këta persona nga Republika e Serbisë.
Ata duhet të kenë pikërisht ato dokumente që Serbia nuk ua lëshon për shkak të pasivizimit të adresave të tyre të banimit, për të hyrë në Kosovë!
I nderuar zoti Picula,
Pavarësisht angazhimeve që keni si raportues për Serbinë, ju lutem t’i kushtoni vëmendje edhe këtyre problemeve të një numri të madh njerëzish nga jugu i Serbisë, të cilëve u cenohet liria e lëvizjes dhe që ndodhen në një situatë të vështirë për shkak të marrëdhënieve të pazgjidhura dhe të këqija midis Beogradit dhe Prishtinës.
Asnjëra nga palët në këtë proces negociator nuk e njeh në masën e duhur situatën e këtyre njerëzve, në përputhje me vlerat dhe parimet e Bashkimit Evropian.
Duke shpresuar në mbështetjen tuaj për këta njerëz, ju përshëndes përzemërsisht!
Avokat Luka M. Jovanović
Përfaqësues i Hakija Eminit”
Thuhet në letrën e dërguar Parlamenti Europian nga përfaqësuesi i tij Luka Jovanoviq
A1 info