Lagje, shtëpi, natyra, Legjenda, kulturë, rrugë, shkolla, dhe fshatrat shqiptare në komunën Medvegjë (FOTO, VIDEO) 

Të gjitha këto bëhen me pëlqimin e banorëve dhe pronarëve të tyre dhe realizohen, publikohen nga portali jonë MS, dhe i përmbahemi kodit etik: “Mediat e shkruara do t’u shmangen ndërhyrjeve dhe kërkimeve në jetën private të një individi, përveç në rastet kur ndërhyrjet apo kërkimet e tilla janë të nevojshme për arsye të interesit publik.”

Portali MEDVEGJASOT.COM, nuk publikon diçka që nuk na dërgohet, përveç rasteve dhe manifestimeve publike dhe ato kur shkelen të drejtat njerëzore apo kur ka njoftime të ndryshme çka e ka bërë portali MS tani 11(njëmbëdhjetë) vite pa ndalë 24/7, në veçanti gjithçka shqiptare. 

Gjithashtu i përmbahemi KODIT ETIK I MEDIAVE TË SHKRUAR, “Gazetarët nuk do t’i intervistojnë apo fotografojnë fëmijët nën moshën 18-vjeçare rreth çështjeve që kanë të bëjnë me familjen e tyre, me ta apo me persona të afërt të tyre, pa pëlqimin e prindit apo të ndonjë të rrituri, i cili është përgjegjës për fëmijën.”


Fshati Gërbac dhe Sfircë në komunën Medvegjë! Gërbaci dhe Sfirca janë krejtësisht të banuara nga popullsia shqiptare.


Shkolla fillore në Banjë të Sijarinës ka funksionuar që nga viti 1927/28, por në gjuhën shqipe së pari është hapur klasa e pestë në shtator të vitit 1965/68 dhe me atë klasë punoi mësuesi Bafti Krasniqi.

Shkolla fillore në Ramabajë, filloi në vitin shkollor 1943/44, ndërkaq në gjuhën shqipe filloi në vitin shkollor 1970/71. Mësuesi i parë ishte Hajrullah Latifi. Të regjistruar ishin 42 nxënës, prej tyre 23 vajza. Pas një viti u hap edhe klasa e pestë, me mësues Hysen Kërçeli, Bajram Veseli dhe Shefki Baftiu, shkëputur nga libri Medvegja nëpër shekuj i atorit Rrahman Hyseni.


Oda e BABËS në Siarinë e pronarit Selim Zeka

Odat e medvegjasve, çdoherë ishin me mysafirë, aty flitej e këndohej, aty më së miri ruheshin traditat tona. Kjo ishte mësimore e fuqishme për brezin e rinj e në anën tjetër gjyshet tona rrinin dhe i edukonin mbesat dhe vajzat e tyre. 

Kjo është ruajtur e  përcjell edhe në ditët e sotme, ku rriteshin me fjalën e Naimit e me këngën e të pavdekshmes, të Nexhmijes, Qamilit të Vogël e shumë të tjerë të kohës së atëhershme.

Gjithmonë përcilleshin këngët patriotike, ku heronjtë tanë në vargje thureshin dhe nga pathyeshmëria nuk u lëkunden përballë kërcënimeve të shumta, por as nuk u nënshtruan nga tradhtitë, ledhatimet  e përkëdhelitë që u munduan  të na bënin. 

Oda është (ishte) dhomë tradicionale shqiptare. Dhoma e veçantë për mysafirë quhet odë, e ndarë në të dy anët me drunj, ku mbetej korridor në mes për shërbim, të shtruara më sanë apo kashtë, të mbuluara me hastra nga bari i shavarit e më vonë me çerga leshi (tjerri) me vek punë dore. Ajo që ishte më moderne, bëhej qilimi, që gjithsesi e sillte një nusja në shtëpinë e burrit. Në fund të odës, në trapazan nga dërrasat, shërbehej çaj e kafe për mysafirë, ama, në krye të odës, zakonisht ekzistonte dollapi, “postafat”(i veçantë), ruhej kafeja dhe sheqeri për mysafirë dhe ai i mbyllur me çelës, të mos guxojë dikush të pijë kafe. I zoti i shtëpisë ishte kryefjala për çdogjë, tek ai mbaronte fjala e fundit për vendime. Mysafiri ka qenë i shenjtë, nderi i familjes, vendin e kishte në krye të odës, me bukën e shtëpisë, me besën e shtëpisë, ai gëzonte privilegje, derisa mbërrinte shëndosh e mirë në shtëpi.

Lojërat më të përhapura ishin: filxhani, dagërgxhini apo cicmici, kapuça etj. Historia përcillej brez pas brezi, nga burrat e mençur të odave përmes tregimeve, anekdotave, përkatësisht këngëve historike, më parë të përcjellura më lahutë e më vonë më sharki. Udhëtari i rastit bënte konak, kudo qe e zinte nata, rrinte tek ata që kishin oda, qoftë edhe i panjohur kalonte natën aty, shkëputur nga libri Medvegja nëpër shekuj i atorit Rrahman Hyseni.

Sofra shqiptare në Medvegja

Sofra kishte bereqetin e vet, njerëzit betohen në sofrën e bukës. Ibrigu i ujit, që shërbente për ujë pranë sofrës, ishte prej dheu (balte), i pjekur, i modelit të keramikave, pinin ujë më një tas (gotë) të gjithë të pranishmit.

Sofra shqiptare në Medvegja

Kafshët Shtëpiake. Për dele prisnin lisat, vetëm drunj, dushku ishte më ushqyes dhe më gjethe të mëdha, në mal bëheshin në formë sane, zihej maja të mos i prish lagështia, derisa i bartnin në shtëpi për dimër. Këta quheshin dushq, përdoreshin për ushqim në mungesë sane për delet apo për dhitë. Për lopët apo kuajt, rezervohej më shumë kashtë në mungesë të barit (sanës). Bari kositej, kashta pas fshirjes së grurit në lamë sillej te shtëpia me kie apo kuaj. Sana, pas kositjes nga kostarë, terej, bëhej kapica apo kabëza më të vogla, shkëputur nga libri Medvegja nëpër shekuj i atorit Rrahman Hyseni.

Lavrat. Bëheshin në mënyrë klasike, jo më thellë se dhjetë apo pësëmbëdhjetë centimetra. Ajo bëhej me kie, në mungesë edhe më lopë qumështi, me buaj dhe më vonë nga kuajt. Bartja e ushqimit bëhej me kerr druri, me kerr hekuri, pastaj me kerr me katër goma, që e tërhiqnin kafshët, shkëputur nga libri Medvegja nëpër shekuj i atorit Rrahman Hyseni.


Përkundër ballafaqimit, çdo ditë shqiptarët e Medvegjës, me adresat e banorëve të pasivizuar dhe infrastrukturën aty ruhen themelet e të parëve tonë me aq sa mundet…! 

Kujtojmë se pasivizimi i adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës është një proces administrativ që ka ndodhur kryesisht në disa zona të kësaj treve, ku shumë shqiptarë janë fshirë nga regjistrat e adresave dhe të dhënat administrative të Serbisë. Ky veprim ka pasur pasoja të rënda për shqiptarët, duke i privuar ata nga mundësia për të shfrytëzuar shërbime dhe të drejta themelore si arsim, shëndetësi, dhe pensione, si dhe nga mundësia për të ushtruar të drejtat e tyre qytetare.

Popullit shqiptar gjithmonë iu përsërit historia kombëtare dhe nga armiqtë e ndryshëm u dha një pasqyrë joreale rreth prejardhjes dhe trojeve të tyre. Të shpërngulur nga një vend në tjetrin, të asimiluar sipas dëshirës së pushtuesve të ndryshëm, ata mbijetuan megjithatë përmbi stuhi të fatit jetik.
Kur bëhet fjalë për popullatën e Medvegjës, është një mjerim i vërtetë rrëfimi nëpër etapat historike të ndryshme. Së paku që nga Kongresi i Berlinit popullata e Medvegjës kishte fatin e një popullate që në vazhdimësi u përball me shpërnguljen e popullatës autoktone shqiptare nga vendlindja e tyre. Ka shumë faktorë që e shtynë shpërnguljen në vazhdimësi historike, por dy më kryesoret janë: ajo e dhunës shtetërore të planifikuar dhe pozita e saj gjeografike, pasi që është kufiri më verilindor i trungut etnik shqiptar, së paku që nga koha e Kongresit të Berlinit, dhe rrjedhimisht kjo popullatë ishte drejtpërdrejt e atakuar me shkallën më nacionaliste antishqiptare të popullatës serbe të Serbisë Jugore. Nga vetë logjika e qëndrimit në skajin më verilindor të pozitës gjeografike të trungut etnik shqiptar, bëri që në të gjitha proceset historike, kjo popullatë të pësonte e para dhe njëkohësisht të ishte vija e parë e frontit dhe rezistencës të mbijetesës së etnisë shqiptare, gjë që pjesët e tjera shqiptare, nëse i kishin të gjitha format e dhunës shtetërore serbe. por atë të popullatës serbe nuk e kishin sikurse Medvegja, për vetë faktin e pozitës gjeografike. Kur dihet se historikisht trungu etnik shqiptar në vazhdimësi të historisë së saj ka pasuar tkurrje, dhe tani Medvegja ishte ajo që së paku nga Kongresi i Berlinit deri më sot, u përball direkt me të gjitha format e dhunës dhe të projekteve për shpërnguljen e saj, që gjatë kësaj periudhe i përjetoii si pasojë e politikës ekspansioniste sllave. Shpërngulja e popullatës si përcjellëse e fatit historik të saj të dhimbshëm, në kohën e Kongresit të Berlinit, gjegjësisht gjatë viteve 1878, edhe pse kjo shpërngulje kishte filluar që nga viti 1800, kur edhe popullata shqiptare e Toplicës, Sanxhakut të Nishit me mbi 940 fshatra e pësoi “golgotën” e saj të dhimbshme të shpërnguljes dhe vrasjeve makabre. Kjo shpërngulje e madhe reflektoi gjithsesi edhe në Medvegjë psi që ishte para Medvegja që ndau fatin e dhimbshëm gjatë kësaj fazë të historisë, si dhe popullata e kësaj pjesë e gjeti mbështetjen te vëllezërit e tyre në Medvegjë. Pas kësaj kohe tani më kufiri etnik iu afrua në Medvegjë dhe që nga kjo kohë Medvegja bart petkun e rezistencës së mbijetesës si popullatë shqiptare autoktone në këtë hapësirë. Gjatë kohës së luftërave Ballkanike 1912-1913, kjo popullatë pësoi shumë duke marrë për bazë se forcat serbe pikërisht nga Jugu i Serbisë, marshuan për të filluar luftën kundër Perandorisë Osmane dhe një nga betejat më të ashpra më 22-24 tetor në Kumanovë ishte zhvilluar. Edhe Lufta e Dytë Ballkanike më 1913, pothuajse u zhvillua mbi këtë pjesë pasi që filloi kur Serbia, Greqia dhe Rumania patën mosmarrëveshje me Bullgarinë për ndarjen e rajonit pas pushtimit të përbashkët të Maqedonisë. Ishte korridori ballkanik i këtyre trojeve që gjatë kësaj lufte pësoi shumë rëndë, duke qenë arenë luftimesh. Lufta e Parë Botërore 1914-1918, prapë ishte fatkeqësia e radhës për këtë popullatë shqiptare që ishte nën okupim dhe e pa mbrojtur e cila pësoi shumë rënd, pasi që Serbia e ëndërronte të realizonte projektin Naçertania. Periudha mes dy luftërave botërore është periudhë kur vendosen kolon të dhunshëm të etnisë serbo-malazez në pjesën shqiptare, që pësoi edhe popullata e Medvegjës. Lufta e Dytë Botërore për popullatën e Medvegjës është vazhdimësi e vuajtjes së fatit të përbashkët shqiptar nën okupim, popullatë që pësoi shumë rëndë nga bandat kinse “Çlirimtare”, Jugosllave, që në fakt vranë dhe masakruan me mija fëmijë, gra, pleq dhe shqiptarë të pafajshëm të kësaj pjese. Edhe periudha pas Luftës së Dytë Botërore deri në luftën e Kosovës më 1999, është periudhë e dhunës dhe e gjenocidit shtetëror mbi këtë popullatë, ku u përdorën të gjitha format më barbare, ndaj kësaj popullate. Për dallim nga Bujanoci dhe Presheva, popullata e Medvegjës u përball direkt edhe me shkallën e nacionalizmit serb që ishte mbjellur edhe në popullatën serbe aty që jetonte dhe nga rrethina e Nishit.
Kjo është në realitet një pasqyrë reale historike e jo në asnjë mënyrë e trilluar, gjë që lexojmë përmes portaleve të rrjetit social dhe i dëgjojmë nëpër medie të shteteve tjera. Medvegjasit nuk kanë tentuar asnjëherë ta shpërngulin nacionalitetin tjetër, por bëjnë përpjekje që ky vend të zhvillohet dhe të zbutet papunësia. Ç’e do puna kur hasin në pengesa të trilluara nga të tjerët? Medvegjasit çdoherë ishin dhe janë të gatshëm t’u ndihmojnë skamnorëve, gjithë atyre që kërkojnë ndihmë. Këtë e bëjnë në veçanti mërgimtarët pa hezituar fare. Në kohë të fundit ata janë të penguar nga të tjerët që nuk kanë mundësi të kontribuojnë për Medvegjën, ndaj shfrytëzojnë rastin që të trillojnë gjëra të pavërteta dhe t’u pengojnë biznismenëve shqipptarë që ta japin kontributin e tyre për këtë trevë, shkëputur nga libri Medvegja nëpër shekuj i atorit Rrahman Hyseni.

Fotografi -1. Shkolla fillore “Zenel Hajdini” në Tupallë ka punuar nga vitet 1946/47, mirëpo në gjuhën shqipe filloi në shtator të vitit 1959/60 në odën e Ajet Halitit, edhe pse në këtë fshat nuk kishte pasur kurrë asnjë serbo- malazez. Mësues të parë ishin: Abaz Osmani dhe Ramiz Muharremi. Kur filloi punën, shkolla kishte të regjistruar 87 nxënës, një vit më vonë numri u rrit në 122. Në klasën e parë ishin regjistruar 99 nxënës, nga ta 42 vajza. Objekti i ri shkollor në Tupallë u ndërtua në vitin 1950. Mësimi në gjuhën shqipe zhvillohej pa ndërprerë që nga viti shkollor 1959/60, pasi më herët është mbajtur në serbisht. Mësuesit e parë ishin: Ukë Ismajli e Ali Zeqiri. Fotografi -2. Shkolla fillore në Gjylekreshtë u hap më 1946/47, mirëpo në gjuhën shqipe mësimi filloi 20 vjet më cone , në vitin shkollor 1967/68. Sot, fshati Gjylekreshtë ka 13 familje shqiptare, shkëputur nga libri Medvegja nëpër shekuj i atorit Rrahman Hyseni.

Komuna e Medvegjës,  ka një territor prej 524 km². Medvegja përbëhet nga 44 vendbanime, dy prej të cilave janë vendbanime urbane si : Medvegja dhe Banja e Sijarinës.

Banja e Siarinës është vendbanim në komunën e Medvegjës, në kryqëzimin e rrugëve Prishtinë – Leskoc pranë shtretërve të lumenjëve të Banjës dhe lumit Jabllanica, rrëzë maleve të Gollakut, 65 km larg Prishtinës. Banja e Siarinës kufizohet ne veri e lindje me Sijarinën, në jug me Sfircën dhe në perëndim me Borocin.

Rreth 70 kilometra nga Prishtina e fshehur mes maleve të Gollakut, një banjë shëruese ka bërë që të kthehet vëmendja drejt kësaj qyteze. E futur thellë në ngushticë, e rrethuar me vegjetacion të bujshëm, me klimë të përshtatshme, Banja e Siarinës ka 18 burime të ujit mineral me përbërje të ndryshme fiziko-kimike dhe temperaturë nga 32-72 gradë celsius, shkruan Meteoballkan, shkëputur nga libri Medvegja nëpër shekuj i atorit Rrahman Hyseni.


Atraksion dhe bukuri të rrallë natyrore paraqesin gejzerët me ujë të nxehtë, të veçantë në Evropë, shtylla e ujit të të cilit arrinë lartësinë 8m, pranë të cilit ndodhet kompleksi i ndërtuar i pishinave dhe fontanave. Shërimi i sëmundjeve bëhet në Entin e specializuar për rehabilitim ”Banja e Siarinës”, pranë hotelit,”Gejzer”. Kjo Banjë është e vetmja që posedon gejzerin natyror pas Zelandës së Re.

Kur shikon peizazhin e bukur të Banjës së Siarinës të duket sikur piktorët nga e gjithë bota kanë shkrirë talentin e tyre mbi të. Ka mjaftuar një shpërthim uji shumë vite më parë që ky vend të shndërrohet në burim shërimi për shumë sëmundje, shkëputur nga libri Medvegja nëpër shekuj i atorit Rrahman Hyseni.

DOKUMENTAR i realizuar nga MS, në Banjë të Siarinës

Banja e Siarinës ashtu siç ua shtoi begatinë banorëve shqiptarë të kësaj ane njëherësh ajo u bë edhe synim i pushtuesve serbë të cilët lakmonin natyrën e bukur dhe begatitë tjera që mbante në vete toka e këtij vendi. Mirëpo, ashtu siç u bo një ndër shkaqet e largimit të shqiptarëve nga ky vend, Banja e Siarinës ia del që së paku gjatë verës të rikthej aty pjesën më të madhe të tyre, shkëputur nga libri Medvegja nëpër shekuj i atorit Rrahman Hyseni.

Fshati Ramabajë: Fotografia -1. Zyra e vendit. Fotografi – 2. Shtëpia e Shëndetit.
Kjo zyre e vendit dhe shtëpia e shëndetit, mbulon fshatin Gërbac, Ramabajë dhe Banjën e Vjetër, sot fatkeqësisht janë të mbyllura. 



Bafti Krasnqi mësues që kaloi rrugën, shteroi dijen dhe kulturën në gjuhën shqipe, filloi të thejë atë që për shumë kë ishte e pamundur, e paguxishme dhe e parealizueshme. Krenaria e tij ,dëshira dhe zemërdëlirësia e bëjnë që të rrojë gjithmonë në mendjen dhe në zemrat tona. Të flitet e të kujtohet puna e tij më e ndritshme në Komunën e Medvegjës është më shumë se nder, më shumë se respekt. Rron e nga të tjerët dallon. Fliste për Naimin, Fishtën, edhe atëherë kur mund të dënonoheshe edhe me vërejtjet më të mëdha.

Barti shkronjat shqipe pa iu përfillur planprogramit, sepse ishte i bindur se këtë gjë e meriton populli i tij dhe këtë ia ka borxh. Ishte i betuar në Flamurin Kombëtar, në shkronjat dhe në gjuhën shqipe. Sa herë ia shtronin rrugën me gjemba, sa herë u barrikadua trupi i tij i shkurtër, ishte i tëri vetëm zemër shqiptari. Kaloi por s’u rrëzua. Asnjëherë nuk u gjunjëzua.

Ky mësues që sot po kujtohet e admirohet është vetë krenaria jonë. Krenohemi me të që rron dhe do të rrojë sa vetë historia, kuptohet qartë që pa gjuhë e pa kulturë jeta është terr i zi. ” Kush hesht s’ka nder, e unë s’ mund të hesht, dua të flas shqip, të jetoj shqip, të vdes shqip”… (Bafti Krasniqi)Ndihmoi rrugët më të vështira për të filluar misionin- “Të shkruhet e të lexohet shqip”; mori rrugën e mbiemrave, që t ‘u hiqet prapashtesa “viç”, sepse ishe i bindur se kjo ishte padrejtësi. E donte flamurin kuq e zi të valojë në çdo cep dhe shtëpi shqiptari. Ia kurdisnin mijëra kurtha, se kinse ky po bën tregti me flamuj dhe e quajtën madje edhe “Tregtar flamujsh” dhe kjo duhet dënuar sipas famkeqëve. Ai donte ta mbulonte komunën, shkollat me flamurin e Ismail Qemalit e të Skënderbeut. Ai donte që shkollat ta kenë abetaren shqipe, për çka u dënua dhe prapë s’u dorëzua. Ai nuk përfillte orën mësimore, por mësonte për jetën naimane, për virtytet e kombit shqiptar, për plisin e bardhë. Këto e bënin që të ketë në mbështetje gjithmonë popullatën shqiptare të kësaj ane.

Nuk guxojmë t’i ikim punës së nënave, gjysheve e të gjyshërve dhe baballarve tanë, sepse na mësuan që vetëm si shqiptarë duhet jetuar dhe vdekur. Kjo e mbajti gjallë dashurinë aq të madhe dhe asnjëherë s’ u martuan as nuk jetuan si joshqiptarë. Kjo është merita më e madhe e të parëve tanë. Kjo sot është krenaria jonë. Mësuesi që do të rrojë sa vetë historia, me emrin Bafti e mbiemri i tij, nga Ismajli, në emër të fisit të tij, Krasniqi . Një hap i tij i guximshëm dhe i dijshėm tregon qartë se ai jetën ia kishte falë gjuhës e kulturës shqipe . I lindur në një fshat me emrin Gërbac, i rrethuar me kodrina e male, që kufizohet me fshatrat e Komunës së Kamenicës, ku dhe mbaroi shkollimin, pra në Hogosht. Vetëm disa kilometra ishte shkolla në Gërbac, ku ai filloi të mësojë shqip. I lindur më 1937
Adoloshent, që në moshën 17-vjeçare, në kohën që sapo kishte mbaruar semimatrurën, shkruajti historinë e familjes. Donte të dinte se ku ndodheshin të gjithë njerëzit e gjakut të vet.
Nga shtatori i vitit 1954 e deri më 1983,kur edhe ndërroi jetë, kishte gjurmuar dhe mbajtur shënime.

Ishte i pari që zhvilloi mësimin në gjuhën shqipe në këtë trevë edhe atë pa e pyetur askë. Gjithë planprogramin e siguronte nga Hogoshti. I pari e hapi në gjuhën shqipe klasën e pestë në Banjë të Sijarinës, pastaj klasën e parë në shqip në Medvegjë dhe pason me hapjen e klasës së pestë në shqip në Medvegjë. Punoi me gjithë shpirt për arsimimin e popullatës medvegjase. Për meritat që janë të pa fund, populli e quan “Mësuesi i popullit”.
Nga dorëshkrimet që ka lënë, mësojmë se janë të shumta ato që ka përjetuar arsimimi i shqiptarëve në Komunën e Medvegjës në vitet 1954-1983, shkëputur nga libri Shqiptarët e Medvegjës nëpër shekuj me autor Rrahman Hyseni.

Kostumet shqiptare në krahinën e Medvegjës!

Naile Hajvazi

Veshja popullore, që sot pëlqehet të quhet kombëtare, autoktone paraqet lashtësinë e një treve dhe pasqyron historinë e saj të kahmotshme. Pasqyrimi i trashëgimisë kulturore me traditat e saj, prezantojnë trevën dhe ekzistencën e saj.


Nga begatia e veshjeve popullore të një treve në përgjithësi, të spikas se vajzat shqiptare të komunës së Medvegjës mbanin shami e këmishë të bardhë dhe çorape të bardha, kurse dimrit edhe mitanin me ngjyrë të zezë. Nuset dhe gratë e reja bartnin shami me lule, dimi me lara, këmishë të qëndisur ose të bardhë, xhemper të kuq dhe çorapë me rrema.

Rrezona Hajvazi

Gratë e moshuara bartnin shami xhyveze (të purpurtë), këmishë të bardhë, kurse dimrit xhemperët dhe çorapet me ngjyrë të zezë.
Kjo veshje u çmua shumë nga HANI pasi i kishe vizituar fshatrat e Medvegjës, pikërisht fshatin Dediq dhe ai ka shkruar se:

Naile Hajvazi


“Te asnjë popull tjetër nuk shprehet në veshje ngjyra e bardhë dhe ajo e zezë si te shqiptarët. Ngjyra e bardhë te veshja e shqiptarëve shprehte pastërtinë, shkëlqimin, autoritetin shpirtëror dhe çdogjëje tjetër që simbolizon veti pozitive. 

Rrezona Hajvazi

Përmes ngjyrës së zezë tregohej e kundërta. Këto treva shqiptare duke qenë më parë të pandara, kishin marrëdhënie reciproke në shumë pikëpamje me trevat tjera shqiptare, e sidomos tipare të përbashkëta kishin me trevën e Llapit e Gallapit. 

Naile Hajvazi

Veshja e shqiptarëve të Toplicës kishte pak ndryshime me veshjen e shqiptarëve në rrethinën e Vranjës. Përparësja apo pështjellaku që bartej mbi këmisha-fustanella të gjata që punoheshin prej liri dhe dimi që punoheshin prej leshi, e më vonë dhe pambuku, lidhej për beli me një tojë (ushkur). 

Naile dhe Rrezona Hajvazi

Është me rëndësi të dihet se dimitë prej pambuku në fshatrat shqiptare të kësaj ane kanë hyrë në përdorim diku kah fillimi i shekullit XX”.

Rrezona Hajvazi


Veshja e vajzës, që shkonte nuse, ishte e veçantë. Të gjitha këto veshje krijonin pamje-imazhe magjepsëse. 

Florentina Rama

Ato ishin punuar për vite e shekuj, ndërsa karakteristikë e veçantë dalluese ishte punimi i dorës me përpikëri, pastaj mënyra e prerje-qepjes, si dhe dizajnimi me stil të veçantë.


Bojniku në fshatin Gjylekreshtë të Medvegjës dhe kufizohet në veri – perëndim me komunën e Bojnikut, në veri-lindje me komunën e Lebanës.
Madje, një familje e madhe shqiptare deri më 1927 kishte jetuar në Bojnik dhe ishte larguar nga Bojniku e ishte vendosur në lagjen Bojniku në Gjylekreshtë”.

Medvegjë


Veshja shqiptare ishte ruajtur me një xhelozi të madhe, sidomos në fshatra. Kjo komunë ka një territor prej 524 km 2.
Medvegja përbëhet nga 44 vendbanime, dy prej të cilave jane vendbanime urbane si : Medvegja dhe Banja e Sijarinës.


Zakonet martesore:
Ditën e parë, vajza që shkonte nuse, kur bëhej me vaj, vishte dimi, përparëse e anteri (triko) të zeza, çorapes lulekuqe dhe shami bojëgjake. Ditën e dytë vishte dimi dhe shami xhyveze, çorape me harqe, përparëse me kerqe vertikalisht, këmishë me rruaza, shokë me rruaza, kushak me penezë, jelek me gajtan, shami bojëgjake me një tufë të vënë përmbi. Ditën e fundit ka veshur dimi lahori, çorape të bardha, peshqir me penezë, përparëse me vija të verdha, kapuç me rruaza dhe me para, një lirë në ballë, katër bistekë i lëshonin për shpine dhe nga disa blej flokësh e që në këto treva quheshin shive, i lëshonin për faqe. Vellon e vënë për kryq me tri lule në maje. Kësaj renditjeje, sidomos te veshja e vajzës, që shkonte nuse, i janë përmbajtur në mënyrë shumë rigoroze. Me një rigorozitet, edhe Bafti Krasniqi në dorëshkrimet që la pas vetes, e përshkruan shumë me saktësi këtë vlerë kombëtare.

Hizer Beka


Te meshkujt, përkatësisht në veshjen e meshkujve, plisi i bardhë ishte pjesë kostumore dhe simbol i pamungueshëm , i cili rroi dhe do të rrojë edhe më tutje.
Te veshja e burrave janë disa karakteristika, si fjala vjen në ato anë tirqit kishin ngjyrë kafeje me gajtan të zi. Tipike,ajo që ruhet më së miri, është veshja e burrave në Gjakovë sepse shumë banorë nga ato anë e bartën këtë veshje në qytet.

Kjo shihet te veshja e Qamilit të Vogël.
Mbiemri i vërtetë i Qamilit të Vogël – Muhaxhiri del nga rrethanat tona të njohura historike , nga se me rastin e shpërnguljeve të mëdha të shqiptarëve nga fshatrat e rrethit të Jabllanicës , të parët e familjes së tij, ishin të ardhur në Gjakovë nga fshati Stubëll i komunës së Medvegjës . Andaj, si në çdo qytet tjetër, ashtu edhe në Gjakovë, të gjithë ardhacakët quheshin : “Muhaxhirë” !
Me rëndësi janë edhe dekorimet te këmishat dhe jelekët e burrave.

Pas ndarjes së kufirit në Kosovë, është varfëruar tej mase edhe koloriti i veshjeve
Në fshatrat e Medvegjës e kanë ruajtur koloritin e ngjyrave mjaft mirë dhe kjo është bartur brez pas brezi.
Veshje të ngjashme me ato të burrave në trevat e Medvegjës, i kanë edhe Vushtrria, Llapi e Gallapi.
Prej shekullit XX janë bartur te burrat qystekët e orës dhe çanta për orë xhepi.
Vlen të përmendet gjithashtu “Qelibari” – kuti e duhanit që ishin karakteristika të burrave me nam në ato anë.

Të gjitha këto që janë cekur, ngërthejnë në vete një dëshmi argumentuese të trashëgimisë kulturore që kanë rëndësi të madhe për historinë tonë kombëtare, zakonet, ekzistencën e shqiptarëve në këto treva.
Trashëgimia kulturore e mban të gjallë një komb dhe përmes shkrimeve dhe fotove të kohëve të caktuara, prezanton evolimin e kulturës në trojet tona, përkatësisht të kësaj ane.
Rruazat, syri i kaltër, lidhen me mitologjinë, kinse mbrojtja nga “ syri i keq” e gjithashtu disa nga këto elemente i hasim edhe në Mesjetë e edhe te lashtësia jonë ilire, gjë që e dëshmon lashtësinë tonë si popull autokton.
Ornamentet e qëndisura në veshje kanë lidhshmëri me objekte të ndryshme, pastaj lidhen edhe me mitologjinë tonë kombëtare. Trashëgimia kulturore është e lidhur ngusht edhe me trashëgiminë shpirtrore dhe që të dyjat bashkë na japin faktografi rreth origjinës sonë kombëtare, të lashtësisë sonë.
Veshjet përmbajnë një art të veçantë në vete dhe me kolorit ngjyrash, na bëjnë të ditur se mprehtësia artistike ekzistonte qysh heret në këto treva, shkëputur nga libri Shqiptarët e Medvegjës nëpër shekuj i autorit Rrahman Hyseni.

SHKRIMI DHE FOTOGRAFIT JANË, BOTUR NË LIBRIN E AUTORIT RRAHMAN HYSENI “ SHQIPTARËT E MEDVEGJËS NËPËR SHEKUJ” Materiali i publikuara nuk mund të kopjohen ose përdoren pa lejen paraprake nga autori Rrahman Hyseni.