Përpjekja e Serbisë për të ndaluar subvencionimin e bujqëve shqiptarë, Bislimi kërkon reagim ndërkombëtar

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka dënuar përpjekjet e Serbisë për të ndaluar donacionin e dedikuar për subvencionimin e bujqëve shqiptarë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, shkruan MedvegjaSot. com

Nëpërmjet një reagimi në Facebook, Bislimi tha se “Ministria e Serbisë për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave dhe Dialog Social, ka ndërhyrë për të bllokuar këtë proces, duke kërkuar anulimin e vendimit për thirrjen publike.”

Në dritën e këtij veprimi, Bislimi u bëri thirrje BE-së, OSBE-së dhe shteteve të Quint-it për të monitoruar situatën.

Reagim i plotë:

Qeveria e Republikës së Kosovës dënon ashpër përpjekjet e autoriteteve serbe për të ndaluar donacionin e dedikuar për subvencionimin e bujqëve shqiptarë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Ky donacion, i inicuar me kërkesë të Këshillit Kombëtar Shqiptar, synon të përmirësojë jetën e komunitetit shqiptar dhe të mbështesë zhvillimin ekonomik të rajonit patur parasysh që edhe më tej komunat e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës janë ndër komunat më të pazhvilluara në Serbi, ndër më të varfërat me papunësi të lartë e veçanërisht tek të rinjtë.

Më 26 tetor 2024, Këshilli Kombëtar Shqiptar shpalli thirrjen publike për bujqit, duke pranuar mbi 1,178 aplikime. Ndërkohë, Ministria e Serbisë për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave dhe Dialog Social, ka ndërhyrë për të bllokuar këtë proces, duke kërkuar anulimin e vendimit për thirrjen publike. Pikërisht më 10 dhjetor, në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë i është mbivendosur privimi nga mundësia e ndihmës nga Republika e Kosovës.

Serbia nuk ka asnjë të drejtë të pengojë mbështetjen tonë për shqiptarët e Luginës së Preshevës. Ftojmë Bashkimin Evropian, OSBE-në, shtetet e Quint-it dhe organizatat e tjera ndërkombëtare të monitorojnë këtë situatë dhe të veprojnë për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Qeveria e Kosovës qëndron e përkushtuar për të ndihmuar shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe për të mbrojtur të drejtat e tyre dhe identitetin kombëtar, kulturor e gjuhësor.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *