Sot e hënë 23 shtator 2024 në Preshevë u mbajt protesta e dytë pas asaj në Bujanoc e mbajtur më 12 gusht 2024.
Shqiptarët e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit u mblodhën përsëri për të marshuar në sheshin e qytetit, duke kërkuar identitet dhe dinjitet për shqiptarët.
Dy herë, në më pak se dy muaj, shqiptarët e Luginës së Preshevës e kanë ngritur zërin kundër diskriminimit që ata thonë se e përjetojnë çdo ditë në Serbi.
Përgjigjja e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, për protestat e tyre?
“Askush nuk po i rrah, nuk po i ngacmon, apo diçka tjetër. Serbia është shtet demokratik dhe ne do të vazhdojmë të sillemi në këtë mënyrë”.
Në Serbi jetojnë më shumë se 60.000 shqiptarë, të cilët përbëjnë pakicën e katërt më të madhe atje, sipas regjistrimit të fundit të popullsisë më 2022.
Në raportet ndërkombëtare, Lugina e Preshevës – term që përdoret për Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin, komuna të banuara me shumicë shqiptare në jug të Serbisë – konsiderohet tërësisht e izoluar dhe thuhet se merr vëmendje vetëm në kohë zgjedhjesh.
Në Kuvendin e Serbisë, shqiptarët kanë vetëm një zë: deputetin Shaip Kamberi.
Marshi filloi në orën 13:00, nga stadiumi deri te qendra e qytetit në Preshevë, shqiptarët nga Presheva, Medvegja dhe Bujanoci në mënyrë paqësore realizuan marshin protestues në qendrën e qytetit në Preshevë , “PËR IDENTITET dhe DINJITET”.
Kërkesat ishin të njëjta: T’i jepet fund pasivizimit të adresave të shqiptarëve, të njihen diplomat e lëshuara nga Kosova, prani më të madhe të shqiptarëve në vende të punës dhe institucione shtetërore, zbatim i marrëveshjeve të nënshkruara, përmbushja e detyrimeve të shtetit ndaj shqiptarëve dhe vëmendje më e madhe e ndërkombëtarëve.
Kërkesat kryesore
Në protestat e mbajtura, fillimisht në Bujanoc, e më pas në Preshevë, u bë thirrje për njohje të diplomave të Kosovës, për integrimnëpër institucionet shtetërore të Serbisë, për lejim të përdorimit të simboleve kombëtare shqiptare dhe për zgjidhjen e çështjes së pasivizimit të adresave.
Pasivizimi nënkupton fshirjen e qytetarëve prej adresave ku kanë qenë të regjistruar. Ky hap rezulton me humbjen e shtetësisë serbe, e rrjedhimisht të të gjitha të drejtave civile – përfshirë të drejtën për të votuar, për të pasur pronë, për të pasur sigurim shëndetësor e pension dhe për t’u punësuar.
Pasivizimi i adresës përcaktohet me ligj në Serbi prej vitit 2011. Ligji parasheh që institucionet të bëjnë kontrolle për të kuptuar nëse një banor jeton në adresën e regjistruar.
Nëse vërtetohet që një banor nuk jeton në atë adresë, merret vendimi për pasivizimin e saj, dhe banori obligohet që të regjistrojë adresën e re brenda tetë ditëve, pas pranimit të vendimit.
Ndonëse ligji parasheh të drejtën për apel, qytetarët kanë thënë se, në disa raste, as nuk kanë mundur të ankohen ndaj vendimit, pasi nuk janë informuar me kohë për pasivizimin.
Kjo çështje është përmendur edhe në raportine Departamentit amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut në Serbi, për vitin 2023.
Në të është thënë se pasivizimi i adresave duket se është kryer në mënyrë joproporcionale ndaj shqiptarëve, sidomos në Medvegjë.