Veshja popullore, që sot pëlqehet të quhet kombëtare, autoktone paraqet lashtësinë e një treve dhe pasqyron historinë e saj të kahmotshme. Pasqyrimi i trashëgimisë kulturore me traditat e saj, prezantojnë trevën dhe ekzistencën e saj.


Nga begatia e veshjeve popullore të një treve në përgjithësi, të spikas se vajzat shqiptare të komunës së Medvegjës mbanin shami e këmishë të bardhë dhe çorape të bardha, kurse dimrit edhe mitanin me ngjyrë të zezë. Nuset dhe gratë e reja bartnin shami me lule, dimi me lara, këmishë të qëndisur ose të bardhë, xhemper të kuq dhe çorapë me rrema.


Gratë e moshuara bartnin shami xhyveze (të purpurtë), këmishë të bardhë, kurse dimrit xhemperët dhe çorapet me ngjyrë të zezë.
Kjo veshje u çmua shumë nga HANI pasi i kishe vizituar fshatrat e Medvegjës, pikërisht fshatin Dediq dhe ai ka shkruar se:


“Te asnjë popull tjetër nuk shprehet në veshje ngjyra e bardhë dhe ajo e zezë si te shqiptarët. Ngjyra e bardhë te veshja e shqiptarëve shprehte pastërtinë, shkëlqimin, autoritetin shpirtëror dhe çdogjëje tjetër që simbolizon veti pozitive.

Përmes ngjyrës së zezë tregohej e kundërta. Këto treva shqiptare duke qenë më parë të pandara, kishin marrëdhënie reciproke në shumë pikëpamje me trevat tjera shqiptare, e sidomos tipare të përbashkëta kishin me trevën e Llapit e Gallapit.


Veshja e shqiptarëve të Toplicës kishte pak ndryshime me veshjen e shqiptarëve në rrethinën e Vranjës. Përparësja apo pështjellaku që bartej mbi këmisha-fustanella të gjata që punoheshin prej liri dhe dimi që punoheshin prej leshi, e më vonë dhe pambuku, lidhej për beli me një tojë (ushkur).

Është me rëndësi të dihet se dimitë prej pambuku në fshatrat shqiptare të kësaj ane kanë hyrë në përdorim diku kah fillimi i shekullit XX”.


Veshja e vajzës, që shkonte nuse, ishte e veçantë. Të gjitha këto veshje krijonin pamje-imazhe magjepsëse.

Ato ishin punuar për vite e shekuj, ndërsa karakteristikë e veçantë dalluese ishte punimi i dorës me përpikëri, pastaj mënyra e prerje-qepjes, si dhe dizajnimi me stil të veçantë.

Bojniku në fshatin Gjylekreshtë të Medvegjës dhe kufizohet në veri – perëndim me komunën e Bojnikut, në veri-lindje me komunën e Lebanës.
Madje, një familje e madhe shqiptare deri më 1927 kishte jetuar në Bojnik dhe ishte larguar nga Bojniku e ishte vendosur në lagjen Bojniku në Gjylekreshtë”.


Veshja shqiptare ishte ruajtur me një xhelozi të madhe, sidomos në fshatra. Kjo komunë ka një territor prej 524 km 2.
Medvegja përbëhet nga 44 vendbanime, dy prej të cilave jane vendbanime urbane si : Medvegja dhe Banja e Sijarinës.




Zakonet martesore:
Ditën e parë, vajza që shkonte nuse, kur bëhej me vaj, vishte dimi, përparëse e anteri (triko) të zeza, çorapes lulekuqe dhe shami bojëgjake. Ditën e dytë vishte dimi dhe shami xhyveze, çorape me harqe, përparëse me kerqe vertikalisht, këmishë me rruaza, shokë me rruaza, kushak me penezë, jelek me gajtan, shami bojëgjake me një tufë të vënë përmbi. Ditën e fundit ka veshur dimi lahori, çorape të bardha, peshqir me penezë, përparëse me vija të verdha, kapuç me rruaza dhe me para, një lirë në ballë, katër bistekë i lëshonin për shpine dhe nga disa blej flokësh e që në këto treva quheshin shive, i lëshonin për faqe. Vellon e vënë për kryq me tri lule në maje. Kësaj renditjeje, sidomos te veshja e vajzës, që shkonte nuse, i janë përmbajtur në mënyrë shumë rigoroze. Me një rigorozitet, edhe Bafti Krasniqi në dorëshkrimet që la pas vetes, e përshkruan shumë me saktësi këtë vlerë kombëtare.





Te meshkujt, përkatësisht në veshjen e meshkujve, plisi i bardhë ishte pjesë kostumore dhe simbol i pamungueshëm , i cili rroi dhe do të rrojë edhe më tutje.
Te veshja e burrave janë disa karakteristika, si fjala vjen në ato anë tirqit kishin ngjyrë kafeje me gajtan të zi. Tipike,ajo që ruhet më së miri, është veshja e burrave në Gjakovë sepse shumë banorë nga ato anë e bartën këtë veshje në qytet.
Kjo shihet te veshja e Qamilit të Vogël.
Mbiemri i vërtetë i Qamilit të Vogël – Muhaxhiri del nga rrethanat tona të njohura historike , nga se me rastin e shpërnguljeve të mëdha të shqiptarëve nga fshatrat e rrethit të Jabllanicës , të parët e familjes së tij, ishin të ardhur në Gjakovë nga fshati Stubëll i komunës së Medvegjës . Andaj, si në çdo qytet tjetër, ashtu edhe në Gjakovë, të gjithë ardhacakët quheshin : “Muhaxhirë” !
Me rëndësi janë edhe dekorimet te këmishat dhe jelekët e burrave.
Pas ndarjes së kufirit në Kosovë, është varfëruar tej mase edhe koloriti i veshjeve
Në fshatrat e Medvegjës e kanë ruajtur koloritin e ngjyrave mjaft mirë dhe kjo është bartur brez pas brezi.
Veshje të ngjashme me ato të burrave në trevat e Medvegjës, i kanë edhe Vushtrria, Llapi e Gallapi.
Prej shekullit XX janë bartur te burrat qystekët e orës dhe çanta për orë xhepi.
Vlen të përmendet gjithashtu “Qelibari” – kuti e duhanit që ishin karakteristika të burrave me nam në ato anë.
Të gjitha këto që janë cekur, ngërthejnë në vete një dëshmi argumentuese të trashëgimisë kulturore që kanë rëndësi të madhe për historinë tonë kombëtare, zakonet, ekzistencën e shqiptarëve në këto treva.
Trashëgimia kulturore e mban të gjallë një komb dhe përmes shkrimeve dhe fotove të kohëve të caktuara, prezanton evolimin e kulturës në trojet tona, përkatësisht të kësaj ane.
Rruazat, syri i kaltër, lidhen me mitologjinë, kinse mbrojtja nga “ syri i keq” e gjithashtu disa nga këto elemente i hasim edhe në Mesjetë e edhe te lashtësia jonë ilire, gjë që e dëshmon lashtësinë tonë si popull autokton.
Ornamentet e qëndisura në veshje kanë lidhshmëri me objekte të ndryshme, pastaj lidhen edhe me mitologjinë tonë kombëtare. Trashëgimia kulturore është e lidhur ngusht edhe me trashëgiminë shpirtrore dhe që të dyjat bashkë na japin faktografi rreth origjinës sonë kombëtare, të lashtësisë sonë.
Veshjet përmbajnë një art të veçantë në vete dhe me kolorit ngjyrash, na bëjnë të ditur se mprehtësia artistike ekzistonte qysh heret në këto treva.
SHKRIMI DHE FOTOGRAFIT JANË, BOTUR NË LIBRIN E AUTORIT RRAHMAN HYSENI “ SHQIPTARËT E MEDVEGJËS NËPËR SHEKUJ”
Materiali i publikuara nuk mund të kopjohen ose përdoren pa lejen paraprake nga autori Rrahman Hyseni.