Sot, më 28 mars 2026, në ambientet e Hotel Emerald në Prishtinë, u mbajt promovimi i librit të autorit Jonuz Fetahu me titull “Bafti Hajdini – profesori i golgotës shqiptare”, monografi e botuar me rastin e 10-vjetorit të vdekjes së profesor Bafti Hajdini.

Kjo veprimtari përkujtimore dhe kulturore mblodhi bashkë intelektualë, familjarë, miq dhe bashkëpunëtorë të profesorit, të cilët me respekt dhe mirënjohje përkujtuan jetën dhe veprën e tij.

Në fjalën hyrëse u theksua se ka libra që lindin për të pasuruar bibliotekat, por edhe libra që lindin për të ruajtur kujtesën dhe për të nderuar historinë e njerëzve që kanë lënë gjurmë në shoqëri. Libri për profesor Hajdinin i përket pikërisht kësaj kategorie, duke sjellë një dëshmi të fuqishme për jetën dhe kontributin e tij si intelektual, pedagog dhe veprimtar i përkushtuar kombëtar.

Një moment i veçantë i aktivitetit ishte prania e nënës së profesorit, e cila u përshëndet me respekt të veçantë si simbol i vlerave dhe edukimit që ai përfaqësoi gjatë gjithë jetës së tij.
Aktiviteti u organizua nga Klubi i Intelektualëve Shqiptarë nga Medvegja, përkatësisht Klubi i Vendlindjes “Trojet”, ku vetë profesor Hajdini kishte dhënë kontribut të çmuar ndër vite.

Në kuadër të promovimit, fjalë rasti mbajtën edhe personalitete dhe bashkëpunëtorë të afërt të profesorit. Ndër ta ishte vajza e tij, znj. Blerina Hajdini-Pajaziti, e cila ndau kujtime dhe reflektime prekëse për figurën e babait të saj.

Po ashtu, të pranishmit i përshëndeti edhe kryetari i Klubit të Vendlindjes “Trojet”, z. Bislim Musliu.

Ndërsa kujtime nga jeta dhe veprimtaria e profesorit ndau edhe z. Abdyl Bajrami, bashkëkohës dhe bashkëveprimtar i tij.

Kontributi i profesor Hajdinit në arsim u vlerësua edhe nga drejtori i Shkollës së Mesme të Bujqësisë “Abdyl Frashëri”, z. Almir Abdurrahmani, i cili theksoi ndikimin e tij në edukimin e brezave të rinj.

Ndërkaq, për vlerat dhe përmbajtjen e monografisë foli redaktori i librit, z. Hysen Kadriu, duke vënë në pah rëndësinë dokumentare dhe historike të kësaj vepre.

Në fund, autori i librit, Jonuz Fetahu, falënderoi të pranishmit dhe ndau motivet që e shtynë të realizojë këtë monografi, duke e cilësuar atë si një detyrim moral ndaj figurës dhe veprës së profesor Bafti Hajdinit.


Ky promovim nuk ishte vetëm një ngjarje letrare, por edhe një homazh i denjë për një jetë të jetuar me dinjitet, përkushtim dhe dashuri ndaj dijes dhe atdheut.
Shkruan Rrahman Hyseni

