Sot, më 23 prill 2026, në moshën 89-vjeçare, është ndarë nga jeta shkrimtari dhe akademiku i njohur Rexhep Qosja.
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu e ka shpallur ditën e premte, 24 prillin si ditë zie shtetërore në nderim të jetës dhe veprës së akademik Rexhep Qosjes

AMANETI I REXHEP QOSJES LËNË NIPIT TE TIJ VALJETIT
NIPIT TIM VALJETIT
I CILI U KUJDES PËR JETËN TIME DHE PREJ TË CILIT
KËRKOJ TË KUJDESET EDHE PËR VARROSJEN TIME
Meqenëse kam jetuar duke besuar në mendimin shkencor, në ngritjen shpirtërore e në përparimin shoqëror, që e bën të mundshëm ai, dua të jem i varrosur pa ritual fetar.
Meqenëse kam jetuar dhe kam menduar, në pjesën më të madhe të kohës, duke shprehur pikëpamje kritike ndaj sundimtarëve e pushteteve të tyre, dua të jem i varrosur pa kurrfarë pranie zyrtare.
Varrimin tim dua ta bëjnë vetëm familjarët e mi.
Meqenëse jam kujdesur të jetoj thjesht, ashtu thjesht dua të jem edhe i varrosur: pa fjalime, pa medie, pa lule, afër varrit të gruas sime Shpresës.
Vdes i qetë.
Meqenëse jetën, krijimtarinë mendore dhe veprimtarinë politike ia kam kushtuar lirisë, bashkimit dhe mirëqenies demokratike të popullit shqiptar mund të them se as Shqipërisë shtetërore e as Kosovës, të sotmes e ardhmërisë së tyre, nuk u kam mbetur borxh. Në qoftë se Kosova më ka mbetur borxh mua – këtë do të mund ta thonë historianët e ardhshëm të letërsisë, të kulturës e të mendimit politik shqiptar.
Nuk mendoj se vdes pa asnjë mëkat.
Meqenëse jam rritur, kam jetuar e kam punuar në kushte politike e shoqërore, që edhe pas çlirimit të Kosovës e të krijimit të shtetit të saj, ishin shumë të vrazhda, nuk mund të them se mospajtimet e mia të shprehura ishin gjithnjë të liruara prej disa gjykimeve e vlerësimeve më të ashpra se ç’do të duhej. Megjithatë, varrosjen e pres i bindur se kam jetuar, krijuar e vepruar duke bërë mirë, duke predikuar të mirën e duke përhapur njerëzillëkun.
Këto mendime i shkrova duke qenë i vetëdijshëm dhe mendjeqartë.
Gjyshi yt, Valjet
Rexhep Qosja
(nënshkrimi)
Prishtinë, 30.4.2016

Rexhep Qosja lindi më 1936 në Vuthaj të Malit të Zi. Shkollimin fillor dhe të mesëm e kreu në Vuthaj dhe në Guci, ndërsa në Prishtinë përfundoi Shkollën Normale dhe më pas studimet për gjuhë dhe letërsi shqipe në Fakultetin Filozofik.
Karrierën akademike e nisi në vitin 1967 si asistent në Institutin Albanologjik të Prishtinës. Studimet pasuniversitare i kreu në Universitetin e Beogradit, ndërsa më 1971 mbrojti doktoratën për jetën dhe krijimtarinë e Asdrenit. Gjatë viteve në vijim, ai u ngrit në një nga figurat më të rëndësishme të studimeve albanologjike, duke qenë profesor ordinar në Universitetin e Prishtinës dhe drejtor i Institutit Albanologjik në periudhën 1972-1981.
Qosja është autor i mbi tridhjetë librave nga fusha e kritikës letrare, studimeve shkencore, si dhe prozës artistike, përfshirë romane, tregime dhe drama. Ai ka botuar gjithashtu qindra artikuj, ese dhe studime, duke dhënë një kontribut të veçantë në zhvillimin e mendimit kritik dhe letërsisë shqipe.
Për krijimtarinë shkencore e letrare është çmuar me Shpërblimin e qytetit të Prishtinës më 1968; me Shpërblimin Krahinor të Dhjetorit më 1969; me dy shpërblime të SHSH të Kosovës, më 1972 dhe 1974 dhe me Shpërblimin e RS të Serbisë “7 Korriku”, më 1975, me Çmimin “Pjetër Bogdani”, 2010 për romanin “Bijt e askujt”, etj.
Në mars të vitit 2025 Qosja u nderua me çmimin “Letërsia shqipe” nga Ministria e Kulturës, si njëri prej ndikuesve më të mëdhenj të letërsisë shqipe. Është marrë edhe me veprimtari politike. Në periudhën 1998-2000 drejtoi një parti politike në Kosovë. Në vitin 2000, kryetari i Republikës së Shqipërisë i dha çmimin “Nderi i Kombit”.
Ndarja e tij nga jeta përbën një humbje të madhe për kulturën, shkencën dhe mbarë kombin shqiptar.

