MAJLINDA SHAQIRI – ZËRI I GJITHMONSHËM I SË VËRTETËS, HUMANIZMIT DHE ATDHEUT

Me 28 dhjetor 2025 Kosova mban zgjedhjet nacionale, një moment i rëndësishëm për drejtimin e vendit dhe përfaqësimin e vërtetë të qytetarëve. Në këtë garë, ndër emrat që spikatin me dinjitet dhe përkushtim, qëndron Majlinda Shaqiri – për të gjithë ne e njohur edhe si Linda.

Ka shumë arsye pse një grua si Majlinda e meriton të jetë në Parlamentin e Republikës së Kosovës. Ajo është nga ato gra që njihen jo nga fjalët, por nga veprat; nga guximi, sakrifica dhe përkushtimi i pandalshëm për punën, drejtësinë dhe të mirën e vendit.

Majlinda e njeh punën – jo premtimet e zbrazëta. Sa herë është lënduar Medvegja, Presheva e Bujanoci, loti i saj ka rënë përballë padrejtësive. Ajo ka qëndruar, ka folur dhe ka mbrojtur të drejtën kur të tjerët kanë heshtur. Dashuria e saj për Kosovën është e pastër, e sinqertë dhe e thellë, njësoj si dashuria për Shqipërinë dhe për çdo cep të trojeve shqiptare. Ajo e do kombin, e ruan gjuhën dhe mban përgjegjësinë e secilës fjalë me seriozitet të plotë.

Prej një dekade e njohim si shembull të qëndrimit të drejtë, të palëkundshëm dhe njerëzor. Zemra e saj humane, puna e saj e vazhdueshme dhe karakteri i saj i fortë e kanë bërë një zë të fuqishëm kundër çdo padrejtësie. Si poete dhe gazetare, ajo ka ditur ta amplifikojë dhimbjen e njerëzve, hallet e tyre dhe kërkesën për drejtësi.

Si nënë, si grua, si aktiviste dhe intelektuale, Majlinda Shaqiri është shembull i forcës dhe dinjitetit. Sot, me plot meritë dhe përkushtim, ajo synon të jetë kandidate për deputete nga radhët e LDK-së në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025 – për të kontribuar me zërin, punën dhe guximin e saj në Parlamentin e Republikës së Kosovës.

Ajo ka punuar drejt, sinqerisht dhe pa u lodhur deri tani – dhe është gati të punojë edhe më shumë për vendin, për njerëzit dhe për të ardhmen tonë të përbashkët.

Majlinda Shaqiri – zëri që e meriton Parlamenti i Kosovës.

Shkruar nga Rrahman Hyseni