Ka njerëz për të cilët nuk flitet shumë, jo pse nuk kanë bërë mjaft, por pse kurrë nuk kanë folur për veten. Një ndër ta është Enver Redenica, djaloshi i dikurshëm që në vitet e rënda të okupimit u barrikadua në anën e duhur të historisë.
Me prejardhje nga një familje nacionaliste, të përndjekur nga regjimi jugosllav, Enveri trashëgoi një rrugë ku dashuria për atdheun ishte mbi gjithçka. Xhaxhai i tij, Rrahimi, luftoi në frontin e Mbrojtjes Kombëtare kundër ripushtimit jugosllav dhe u detyrua të emigronte pas luftës, duke lënë pas një amanet të pashuar për lirinë dhe bashkimin kombëtar. Familja Redenica u rreshtua gjithmonë aty ku kërkonte kombi: nga protestat për arsimin shqip deri tek Lufta e UÇK-së, ku vëllai i Enverit, Bajrami, dha gjakun dhe trupin e tij për lirinë që gëzojmë sot.
Kjo traditë e krenarisë kombëtare dhe qytetare është trashëgimi që sot Enveri e bart me dinjitet në shërbim të qytetarëve të Prishtinës.
ANGAZHIMI NË SHËRBIM TË QYTETARËVE
Më shumë se dy vite e gjysmë si Kryetar i Këshillit Lokal Sofali, Enver Redenica ka qenë gjithmonë në ballë të kërkesave të banorëve, duke i përfaqësuar me vendosmëri dhe duke ngritur zërin për çështjet që prekin jetën e përditshme:
• Ujësjellësin dhe furnizimin me ujë të pijshëm.
• Ndërtimin e infrastrukturës së munguar.
• Çështjet e sigurisë dhe ndriçimit publik.
• Ambulancën, çerdhen dhe trafikun urban.
• Mirëqenien e përbashkët dhe organizimin e komunitetit.
Falë angazhimit të tij dhe presionit qytetar, janë arritur rezultate konkrete – nga peticionet deri tek zgjidhjet e problemeve madhore që për vite ishin injoruar.
VIZIONI PËR PRISHTINËN
Të dashur qytetarë të Prishtinës,
Me dashuri dhe përkushtim për qytetin tim, kam vendosur të kandidoj për Kuvendin Komunal të Prishtinës nga radhët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! – në listën e fitores.
Ky vendim nuk është motivim partiak, por motivim qytetar – nevojë për të qenë zëri juaj, për t’u përballur me sfidat e përditshme dhe për të ndërtuar një Prishtinë më të pastër, më të sigurt dhe më të organizuar.
Jam aktivist i VV-së tashmë 17 vite, gjithmonë i lidhur me hallet dhe shpresat e qytetarëve. Sot, më shumë se kurrë, jam i bindur se zëri i qytetarëve duhet të jetë në qendër të çdo vendimmarrjeje.
Së bashku me kryetarin e ardhshëm të Prishtinës, z. Hajrullah Çeku, njeriun që solli revolucion në Ministrinë e Kulturës, do të punojmë për një kryeqytet ku secili ndjehet krenar, jo i harruar.

THIRRJA PËR BASHKIM
Vota për mua është votë për qytetin tonë.
Vota për mua është votë për të mirën e përbashkët. Vota për mua është votë për një Prishtinë të dinjitetshme.
Bashkë e kemi nisur këtë rrugë – bashkë do të ecim përpara.
Me respekt e përkushtim,
I juaji,
Enver Redenica

