Banja e Siarinës është një ndër destinacionet më të njohura dhe më të çmuara të komunës së Medvegjës dhe të mbarë trevës shqiptare. E vendosur në kryqëzimin strategjik të rrugës Prishtinë – Leskoc, pranë shtretërve të lumenjve të Banjës dhe Jabllanicës, ajo shtrihet rrëzë maleve të Gollakut, vetëm 65 kilometra larg kryeqytetit të Kosovës. Pozita e saj gjeografike e bën lehtësisht të qasshme, ndërsa natyra përreth e shndërron në një mrekulli të rrallë që i fton vizitorët të përjetojnë qetësi, shëndet dhe bukuri të papërsëritshme.
Ky vendbanim kufizohet në veri dhe lindje me fshatin Siarinë, në jug me Sfircën dhe në perëndim me Borocin. I futur thellë në një ngushticë natyrore, i rrethuar nga gjelbërim i harlisur dhe me klimë të përshtatshme për qëndrim gjatë të gjitha stinëve, ky vend i vogël prej vetëm 2.3 km² bart një pasuri të madhe natyrore e shëndetësore që e tejkalon përmasën e tij gjeografike.

Pasuria më e madhe e Banjës së Siarinës janë burimet e ujërave minerale. Në këtë hapësirë të ngushtë gjenden plot 18 burime termale me përbërje të ndryshme fiziko-kimike dhe temperatura që variojnë nga 32 deri në 72 gradë Celsius. Ujërat e tyre kanë vlera të jashtëzakonshme shëruese dhe përdoren prej kohësh për trajtimin e sëmundjeve reumatike, ortopedike, neurologjike e të tjera. Përveç përdorimit mjekësor, këto ujëra janë burim i relaksimit dhe mirëqenies, duke i dhënë kësaj zone një dimension të veçantë turizmi shëndetësor.
Ndër atraksionet më të rralla që e bëjnë këtë banjë unike në nivel evropian janë gejzerët e ujit të nxehtë. Ky fenomen natyror i papërsëritshëm krijon shtylla uji që ngrihen deri në 8 metra lartësi, duke ofruar një spektakël të mrekullueshëm për sytë e vizitorëve. Pranë gejzerit është ndërtuar kompleksi modern me pishina dhe fontana, ku vizitorët mund të shijojnë fuqinë shëruese dhe relaksuese të ujërave të ngrohta, në një ambient të përshtatur për të gjitha moshat.
Dimensioni shëndetësor i Banjës së Siarinës është i mishëruar në Entin e specializuar për rehabilitim “Banja e Siarinës”, një institucion me traditë dhe kapacitete bashkëkohore që ofron shërbime cilësore për pacientët nga e gjithë treva dhe më gjerë. Përkrah këtij enti qëndron hoteli “Gejzer”, i cili ofron kushte të rehatshme akomodimi për vizitorët dhe pacientët, duke plotësuar në mënyrë të shkëlqyer mozaikun e shërbimeve që kjo banjë ofron.

Megjithatë, realiteti i sotëm për shqiptarët në këtë trevë është i vështirë. Pasivizimi, papunësia dhe mungesa e kushteve ekonomike kanë detyruar shumë familje të largohen, duke kërkuar një jetë më të mirë e shpesh vetëm mbijetesë. Ata që janë detyruar të emigrojnë, jetojnë sot shpesh në kushte të rënda, ndërsa vendlindja e tyre vazhdon të përballet me boshatisje dhe presione të shumta. Por, pavarësisht këtyre rrethanave të rënda, gjatë verës Banja e Siarinës gjallërohet nga një numër i madh vizitorësh. Shqiptarët e shpërngulur kthehen për pushime në vendlindje, duke sjellë me vete jetë, gëzim dhe gjallëri. Shumë prej tyre kanë ndërtuar aty hotele, vila dhe shtëpi, duke i dhënë kësaj banje një fytyrë të re turistike dhe duke e mbajtur gjallë lidhjen e pashkëputshme me tokën e tyre amtare.
Një rol të rëndësishëm në gjallërimin kulturor dhe shoqëror të Banjës së Siarinës ka luajtur edhe manifestimi tradicional “Ditët e Diasporës”, i cili mbahet çdo verë në kompleksin e Gejzerit. Ky aktivitet kulturor-artistik, i cili në vitin 2024 shënoi edicionin e tij të 14-të, nisi që nga viti 2010 me iniciativën e një grupi vullnetarësh, nën drejtimin e Shoqatës Humanitare Medvegja në Zvicër (SHHM), me kryetar të atëhershëm Zenel Neziri, sot kryetar nderi i shoqatës. Ky manifestim, i cili për çdo vit ka mbledhur bashkatdhetarë nga e gjithë diaspora dhe vendlindja, është shndërruar në pikëtakim të rëndësishëm për ruajtjen e kulturës, traditës dhe forcimin e lidhjeve me vendlindjen.

Fatkeqësisht, në vitin 2025 ky aktivitet nuk u lejua të mbahej nga autoritetet lokale, duke shkaktuar reagim dhe keqardhje të madhe. Shoqata Humanitare Medvegja në Zvicër reagoi ashpër ndaj këtij ndalimi, duke theksuar se ndalimi i një manifestimi kulturor e shoqëror përbën jo vetëm pengesë për jetën komunitare, por edhe goditje ndaj përpjekjeve të diasporës për të kontribuar në vendlindje. Në reagimin e saj, ShHMZ theksoi rolin e pazëvendësueshëm të diasporës së Medvegjës si urë lidhëse mes mërgatës dhe vendlindjes, përmes ndihmës humanitare, mbështetjes kulturore dhe projekteve zhvillimore.
Banja e Siarinës nuk është thjesht një qendër e shëndetit dhe turizmit, por një vend i identitetit, i kujtesës dhe i qëndresës së shqiptarëve të Medvegjës. Ajo është hapësira ku diaspora takohet me vendlindjen, ku natyra ndërthuret me kulturën dhe ku gjeneratat e reja e të vjetra gjejnë një pikë bashkimi. Për këtë arsye, ngjarje si “Ditët e Diasporës” duhet jo vetëm të lejohen, por edhe të mbështeten fuqishëm nga të gjithë faktorët, sepse ato përfaqësojnë dashurinë për vendlindjen, forcimin e identitetit dhe vazhdimësinë e lidhjes së shqiptarëve me tokën e tyre amtare.

Banja e Siarinës, me ujërat e saj shëruese, me peizazhin e saj të mrekullueshëm dhe me dimensionin e saj kulturor e shoqëror, mbetet një thesar i pazëvendësueshëm kombëtar. Ajo është dëshmi se, pavarësisht vështirësive dhe sfidave, lidhja e shqiptarëve me këtë vend nuk është thyer dhe nuk do të thyhet kurrë.
Ky libër është rezultat i një pune të gjatë, të kujdesshme dhe të shumëfishtë në mbledhjen e biografive, emrave, datave, shkollave, aktiviteteve dhe ngjarjeve të rëndësishme. Asgjë nuk është rastësore – çdo informacion është mbledhur, verifikuar dhe kaluar përmes disa filtrave të kujdesshëm, në mënyrë që lexuesi të ketë në dorë një burim të saktë dhe të besueshëm.

Për realizimin e këtij botimi janë zhvilluar qindra biseda dhe intervista me mësues, ish-drejtorë, familjarë, studiues e njohës të fushave të ndryshme. Çdo dëshmi është ballafaquar me të dhënat historike dhe shënimet e ruajtura ndër vite, në mënyrë që asnjë emër dhe asnjë ngjarje të mos mbetet e papërfshirë.
Libri i shërben studiuesve, analistëve dhe çdo lexuesi të interesuar si një material i vlefshëm për kulturën, arsimin dhe historinë tonë. Ai është një udhëtim i dokumentuar me kujdes, ku kultura paraqitet përmes njerëzve të kulturës, arsimi përmes figurave të arsimit, dhe historia përmes dëshmive të atyre që e përjetuan dhe e ruajtën me kujdes.
Ky botim nuk është vetëm një përmbledhje faktesh, por një arkiv i gjallë i kujtesës kolektive, një burim i domosdoshëm për çdo studim, analizë dhe hulumtim të ardhshëm.
Punim i shkruar nga shkrimtari i shumë veprave të botuara, opinionist dhe autor i dy katalogëve mbi veshjen tradicionale të Medvegjës, si dhe i librave “Shqiptarët e Medvegjës nëpër shekuj” – vëllimi 1 dhe 2, Rrahman Hyseni