Historia e një kombi shkruhet me gjak, me dije dhe me ëndrra. Zenel Hajdini është një prej atyre emrave që bashkon të trija këto shtylla: mësues i dijes, ëndërrimtar i lirisë dhe shembull i sakrificës. Ai nuk u mjaftua të ndriçonte vetëm rrugën e tij, por hapi shtigje edhe për bashkëfshatarët e tij, duke i udhëzuar drejt shkollimit e dijes. Nga kjo rrugë lindën figura të mëdha si akademiku i shquar Idriz Ajeti dhe profesori i gjeografisë Zeqir Bajrami, që vijuan misionin e tij në Medresën e Shkupit.
Zeneli e kishte të qartë: pa dije nuk ka komb. Ai ëndërronte abetaren shqipe në duart e çdo fëmije, ëndërr që fatkeqësisht mbeti e parealizuar. Por edhe pse nuk arriti ta shihte me sy, ai mbolli farën e dijes, e cila sot jep fryte në breza.
Familja e tij ishte dhe mbetet dëshmi e gjallë e atdhedashurisë. Nga kjo familje u ngrit edhe emri i Hashim Hajdinit, nipi i Zenelit, i cili në Luftën e Kosovës, në Fushë Kosovë, u bë simbol i qëndresës heroike. I rrethuar nga hordhitë serbe, Hashimi luftoi deri në frymën e fundit, duke rënë bashkë me prindërit e tij, Hajvazin e Gjylën. Rënia e tyre është një kapitull i dhimbshëm, por edhe krenar, që dëshmon se kjo familje i dha atdheut gjithçka pa kursyer asgjë. Sot, përmendorja e Hashimit para Kuvendit Komunal të Fushë Kosovës është amanet për brezat e rinj që liria kërkon sakrificë.

Zenel Hajdini prehet në Tupallë, fshatin e tij të lindjes, por kujtimi i tij nuk prehet kurrë. Çdo 7 mars, nxënësit e shkollës që mban emrin e tij përulen me respekt para figurës së tij, duke treguar se ideali i Zenelit jeton në sytë dhe ëndrrat e fëmijëve. Ndërsa më 24 maj, ditëlindja e tij, shndërrohet në festë të dijes dhe të atdhedashurisë.
Zenel Hajdini është një dritë që nuk shuhet. Ai është dëshmi se njeriu jeton për aq sa kujtohet dhe frymëzon. Me jetën dhe veprën e tij, ai na mëson se arsimi është armë, dashuria për atdhe është forcë, dhe sakrifica është themeli mbi të cilin ngrihet liria.
Punim i shkruar nga shkrimtari i shumë veprave të botuara, opinionist dhe autor i dy katalogëve mbi veshjen tradicionale të Medvegjës, është edhe autor i librave “Shqiptarët e Medvegjës nëpër shekuj” – vëllimi 1 dhe 2, Rrahman Hyseni