Veli Dedi lindi më 5 prill 1912 në fshatin Dediq, lagjen e Medvegjës. Stërgjyshërit dhe gjyshërit e tij morën pjesë në shumë luftëra para, gjatë dhe pas Lidhjes së Prizrenit, duke u angazhuar në mbrojtjen e trojeve stërgjyshore shqiptare. Veli Dedi mbeti pa baba që në moshën katërvjeçare, një humbje që la një zbrazëti të thellë në shpirtin e tij, të cilën përpiqej ta kompensonte përmes dashurisë ndaj vendlindjes dhe kombit të tij. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen në Leskovc dhe Beograd, ku iu propozua të vazhdonte shkollën ushtarake, por refuzoi për të ndjekur rrugën e ushtrisë shqiptare, sipas këshillës së nënës. Në moshën 20 vjeçare u arratis në Shqipëri dhe u regjistrua në Shkollën Ushtarake Mbretërore, të cilën e përfundoi në vitin 1933. Më pas, vijoi studimet në Akademinë e Artilerisë dhe të Inxhinierisë në Torino, Itali, ku mbaroi vitin 1935 dhe kreu kursin e aplikacionit për gradën nëntoger në vitin 1936.

Qysh në vitin 1932, Veli Dedi u ndikua nga figura përparimtare, patriotike dhe antifashiste, si Asim Vokshi, Xhevdet Doda dhe Ali Kelmendi, duke u formuar si një antifashist dhe atdhetar. Bisedat dhe këngët që dëgjonte në odat e Jablanicës mbi trimërinë shqiptare ndikuan në pasionin e tij për shkencat ushtarake dhe për ruajtjen e traditës kombëtare.
Në vitin 1936, ai mori pjesë në luftën e Spanjës, duke u rreshtuar bashkë me 23 vullnetarë shqiptarë në brigadat ndërkombëtare, kryesisht në brigadën “Garibaldi”. Luftëtarët, shumica jo komunistë, ndanin idealin antifashist dhe ndërkombëtar. Veli Dedi mori pjesë në shumë beteja në Albacete, Aragon dhe Madrid, deri më 14 shkurt 1939, kur forcat e frontit të Katalonisë u tërhoqën në Francë. Atje, pas internimit, u lidh me grupet e PK të Francës, Çekisë dhe Italisë dhe nga viti 1942 iu bashkua rezistencës antifashiste guerile franceze, ku ushtroi detyra të rëndësishme si anëtar i shërbimit informativ, komandant kompanie dhe zëvendës komandant i departamentit, duke arritur gradën major në gusht 1944.
Në vitin 1945, ai u emërua komandant i zonës XV ushtarake për të ndihmuar garibaldianët në Italinë e Veriut. Më 22 janar 1946, Veli Dedi u kthye në Shqipëri bashkë me të shoqen, Elena Domeniko Rampone, gjithashtu luftëtare e rezistencës franceze. U integrua në Ushtrinë Popullore Shqiptare, duke mbajtur poste të ndryshme: shef i Degës së Xhenios në MMP, komandant i Garnizonit të Tiranës dhe drejtor i Arkivit të Shtetit, ku u gradua gjeneralmajor. Që nga viti 1962 deri në vitin 1972, punoi në MPB si funksionar i Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Për merita të jashtëzakonshme, u dekorua me titullin më të lartë “Hero i Popullit” dhe shumë urdhra e medalje, si dhe me dekorata për Luftën e Spanjës: “Kavalier i Lirisë” dhe urdhrin “Luftëtar i brigadave ndërkombëtare”.
Veli Dedi ishte gjithashtu deputet në katër legjislatura për rrethin e Tropojës, duke praktikuar një model të veçantë lidhjeje me popullin: ai vizitonte njerëzit në shtëpitë e tyre për t’i dëgjuar dhe kuptuar nevojat dhe mendimet e tyre. Aktiv dhe i përkushtuar deri në fund të jetës, ai evokonte shpesh kujtimet e luftës në Spanjë dhe idealet humanitare të bashkëluftëtarëve të tij. Për Veli Dedin, oficeri duhej të dallonte nga ushtari jo për gradën, por për kulturën, njohjen e historisë dhe respektin ndaj njerëzve nën komandën e tij.
Gjenerali Veli Dedi vdiq në moshën 83 vjeçare dhe u varros me nderime shtetërore në varrezat e personaliteteve të merituara në Tiranë. Ai mbeti një shembull i përkushtimit, trimërisë dhe dashurisë për atdheun, duke lënë një trashëgimi të paharrueshme në historinë ushtarake dhe kombëtare shqiptare.
Punim i shkruar nga shkrimtari i shumë veprave të botuara, opinionist dhe autor i dy katalogëve mbi veshjen tradicionale të Medvegjës, është edhe autor i librave “Shqiptarët e Medvegjës nëpër shekuj” – vëllimi 1 dhe 2, Rrahman Hyseni