Lavdi të përjetshme u qoftë të gjithë heronjve, dëshmorëve dhe martirëve të kombit tonë. Ndër ta, një vend të veçantë zë dëshmori i kombit, Florim Rr. Rushiti, i njohur me nofkën “Kingji”, i cili u lind në vitin 1979 në fshatin Kapit të Medvegjës. Rrugëtimi i tij jetësor ishte i mbushur me ëndrra të pastra rinore, me ndjenja të thella atdhetarie dhe me një ideal të vetëm: lirinë e trojeve shqiptare. Që nga vegjëlia, Florimi u rrit në një familje të ndershme e punëtore, ku edukata, dashuria për vendin dhe ndjenja e përgjegjësisë ndaj kombit ishin themeli i çdo gjëje. Nënë Aza e kujtonte me krenari e mall djalin e saj, duke treguar se ardhja e tij në këtë jetë kishte qenë gëzimi më i madh për familjen, por ky gëzim, vite më vonë, u shndërrua në dhimbje dhe krenari të pamasë. Mësuesit dhe shokët e klasës e kujtojnë si një djalosh të bukur, të zellshëm dhe me shumë ambicie për jetën, por që në zemër mbante dhe një mall të madh për kombin dhe trojet shqiptare të copëtuara. Historia e vendit e prekte thellë dhe nuk e linte të qetë; çdo rrëfim për padrejtësitë historike sikur i shtonte plagë shpirtit të tij.

Si shumë të rinj nga Medvegja dhe vise të tjera shqiptare, edhe Florimi iu desh të merrte rrugën e mërgimit. Shkoi në Gjermani për të ndihmuar familjen, por asnjëherë nuk e largoi mendjen dhe zemrën nga atdheu. Në çdo takim me shokët e tij, qoftë në shkollë, qoftë në punë apo në mërgim, ai tregonte se liria e Kosovës dhe bashkimi i trojeve shqiptare ishin synimi i jetës së tij. Miq e intelektualë që patën rastin ta takonin, si profesor Hakif Bajrami dhe të tjerë, e përshkruajnë si një të ri të vendosur, të cilit nuk mund t’ia ndryshonte mendjen askush. Për Florimin, rruga drejt frontit ishte zgjidhja e vetme që do ta qetësonte shpirtin e tij.
Në udhëtimin drejt Kosovës së luftës, Florimi kishte takuar shumë bashkëluftëtarë, miq dhe familje shqiptare që e përkrahën dhe e mbështetën. U ndal në Kumanovë, ku u mirëprit nga familja Sadiku, e më pas në Burrel, ku u bë pjesë e stërvitjeve ushtarake. Një epror i Akademisë Ushtarake “Skënderbej” i dha nofkën “Kingji”, për dëgjueshmërinë, guximin dhe përkushtimin e tij të rrallë. Ai nuk kërkonte asgjë për vete, vetëm të shërbente atdheun. Betimi i tij ishte i qartë: “O vdekje, o liri!”.
Me përfundimin e stërvitjes, Florimi iu bashkua njësive operative të UÇK-së. Luftoi me trimëri në operacionin “Shigjeta”, njësiti diverzato-vëzhgues TF-0 me komandant Fadil Zenullahu, dhe në malet e Pashtrikut, 1986 metra mbi nivelin e detit, ku zëri i pushkëve të ushtarëve të lirisë gjëmonte kundër ushtrisë serbe. Në mëngjesin e 26 majit 1999, ai së bashku me shokët e tij u nis drejt vijës së parë të frontit. Lufta ishte e ashpër, pozicionet e armikut të forta dhe terreni i zhveshur. Kur një bashkëluftëtar i tij u plagos rëndë, Florimi nuk hezitoi asnjë çast. Hyri brenda pozicioneve të armikut për ta tërhequr, duke mos menduar për jetën e vet. Pikërisht në atë moment, plumbat e armikut e goditën për vdekje. Ai ra heroikisht, duke lënë pas një shembull të pavdekshëm sakrifice dhe dashurie për atdheun.
Lajmi për rënien e tij tronditi familjen dhe gjithë Medvegjën. Vëllai i tij, Lulëzimi, me të dëgjuar për rënien e Florimit, mori armën në dorë dhe iu bashkua radhëve të UÇK-së. Babai, Rrahmani, përveç dhimbjes së madhe, ndiente krenari që kishte rritur një djalë që i doli zot atdheut. Motrat, Lumnija e Miradija, u krenuan me vëllanë dëshmor, ndërsa nëna Aza, me shpirtin e saj të pathyeshëm, thoshte se Florimi nuk kishte vdekur, por vetëm po pushonte pas betejave për lirinë.
Florimi u varros në varrezat e dëshmorëve në Landovicë, aty ku sot çdo pranverë mbin lulëkuqja e lirisë. Pas 19 vjetësh, në vendin ku ra heroikisht, bashkëluftëtarët dhe familja ngritën një pllakë përkujtimore që e bën të pavdekshëm kujtimin e tij. Sot, emri i Florim Rushitit “Kingji” përmendet me respekt në çdo tubim përkujtimor, në çdo këngë dhe në çdo varg poetik që thuret për dëshmorët e kombit. Ai është dëshmi e gjallë se liria nuk dhurohet, por fitohet me gjak, sakrificë dhe me jetën e atyre që besuan se kombi shqiptar meriton të jetojë i lirë.
Në vargun e dhimbjes dhe krenarisë, vend të veçantë zë poema “Fli, bir i nënës”, që përjetëson figurën e tij si një dritë të shenjtë të kombit. Ajo flet për gjumin e përjetshëm të Florimit në malet e Pashtrikut, për ëndrrën e tij për Medvegjën, Preshevën, Bujanocin dhe Kosovën e bashkuar me Shqipërinë. Poema është një himn i dhimbjes së nënës, por edhe i krenarisë që bijtë e saj ranë për liri.
Florim Rushiti “Kingji” është dhe do të mbetet përjetësisht pjesë e historisë sonë kombëtare. Ai nuk jetoi gjatë në vite, por jetoi shumë në vepra. Me gjakun e tij të derdhur në altarin e lirisë, ai i dha kuptim më të madh fjalës “atdhe” dhe vulosi amanetin e brezave: bashkimin e trojeve shqiptare në një Shqipëri të vetme.
Punim i shkruar nga shkrimtari i shumë veprave të botuara, opinionist dhe autor i dy katalogëve mbi veshjen tradicionale të Medvegjës, është edhe autor i librave “Shqiptarët e Medvegjës nëpër shekuj” – vëllimi 1 dhe 2, Rrahman Hyseni