HISTORIKU I XHAMISË SË HOGOSHTIT DHE IMAMËVE TË SAJ (1750–2025) 

Ky libër monografik sjell një pasqyrë të plotë të historikut të Xhamisë së Hogoshtit dhe veprimtarisë së imamëve të saj gjatë një periudhe mbi dy shekullore. Duke u mbështetur në dokumente, fotografi, dëshmi dhe kujtime të shumta, autori Xhemush H. Biçku, imam i kësaj xhamie për tri dekada, e paraqet këtë vepër si një trashëgimi shpirtërore, kulturore dhe kombëtare me vlerë të veçantë.

Imamët e Hogoshtit, ndër breza, kanë qenë bartës të diturisë, mbrojtës të identitetit tonë dhe udhërrëfyes të palodhur shpirtërorë. Ata kanë kultivuar dashurinë për Zotin, fenë dhe atdheun, duke ruajtur traditat e gjalla dhe duke u përballur me sfida historike të kohës.

Kjo monografi është më shumë se një rrëfim historik: ajo është një përmendore e shkruar për ata që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në shërbim të Islamit dhe Kosovës, një thirrje për kujdesin ndaj trashëgimisë sonë fetare dhe një amanet për brezat që do të vijnë.

Xhemush H. Biçku ka lindur më 11 prill 1973 në Hogosht, Komuna e Kamenicës. Arsimin fillor e kreu në vendlindje, ndërsa më pas përfundoi Medresenë “Alauddin” dhe Fakultetin e Studimeve Islame në Prishtinë. Që nga viti 1995 shërben si imam në vendlindje, duke dhënë një kontribut të çmuar në fushën e edukimit, kulturës dhe trashëgimisë. Ai është autor i disa artikujve dhe tetë librave: Xhamitë dhe Imamët e Dardanës me rrethinë (1532–2004)Familja ime brez pas brezi (1625–2005)Poezi – Me emrin e Zotit (2005), Shkolla e Hogoshtit dhe gjenerata 1973 (2008), Hogoshti nëpër kohë (2010), Një lapidar për tre ushtarë (2011), Edukimi i fëmijëve në Islam (2013) dhe Kujtime nga familja (2024). Me rastin e 30-vjetorit të shërbimit si imam në vendlindje, ai boton edhe monografinë e xhamisë. Krahas veprimtarisë letrare dhe studimore, Biçku është koordinator i Shoqatës Humanitare “Bereqeti”, dega në Kamenicë, duke kontribuar në projekte humanitare për komunitetin dhe duke u bërë një figurë e respektuar për përkushtimin ndaj ndihmës dhe mirëqenies së njerëzve.

Punim i shkruar nga shkrimtari i shumë veprave të botuara, opinionist dhe autor i dy katalogëve mbi veshjen tradicionale të Medvegjës, si dhe i librave “Shqiptarët e Medvegjës nëpër shekuj” – vëllimi 1 dhe 2, Rrahman Hyseni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *