Vlerësoj çdo nismë që synon të adresojë diskriminimin ndaj shqiptarëve në Serbi.
Kjo përfshin edhe përpjekjet për një Rezolutë parlamentare që e artikulon këtë realitet. Por kur flasim për të drejta, nuk mund të shmangim një të vërtetë themelore: nuk mund të ketë të drejta pa njerëz.
Prandaj, çdo tekst që synon të adresojë pozitën e shqiptarëve në Serbi, nuk mund të ndalet vetëm te ndalimi i pasivizimit arbitrar — por duhet ta thotë qartë: adresat duhet të kthehen, dhe bashkë me to, duhen rikthyer të gjitha të drejtat qytetare, politike e sociale që u janë marrë padrejtësisht mijëra qytetarëve shqiptarë.
Çështja e pasivizimit është një veprim perfid administrativ permes te cilit po kryhet spastrim i heshtur etnikë, sidomos ne Medvegjë ,duke ndryshuar strukturën etnike në jug të Serbisë, me ritme te shpejta.
Prandaj, një projekt i tillë nuk mund të amnistohet me fraza të përgjithshme. Përndryshe, po kërkojmë të drejta për ata që nuk janë më të pranishëm në letër – një absurditet në vetvete.
Po ashtu, historia nuk mund të rishkruhet në prag zgjedhjesh apo karrierash të stërgjatura. Heshtja që e mbajti këtë temë në margjinë për dekada nuk mund të shndërrohet sot në zë shpëtimi. Ata që e kanë heshtur pasivizimin për vite, e kanë obligim moral dhe politik të dëgjojnë zërin e atyre që e përjetuan mbi shpinë këtë padrejtësi.
E ardhmja e shqiptarëve në Serbi nuk do të ndërtohet mbi harresë apo retorikë – por mbi drejtësi, rikthim të të drejtave të mohuara, dhe mbi një kujtesë që nuk pranon të fshihet. M.S.
Shiko më shumë /EURONEWS ALBANIA: https://www.youtube.com/watch?v=wrQonpbCBWY