PËRURIMI I SHTËPISË SË RE NË VLLAS TË MEDVEGJËS

Një kthim i bukur në rrënjët e të parëve

Përurimi i shtëpisë së re në lagjen Vllas, Gërbac të Medvegjës – Një kthim domethënës te rrënjët

Medvegjë, 26 korrik 2025 – Në një atmosferë të mbushur me gëzim dhe emocion, familja e Ismet Ibrahimit përurroi shtëpinë e re të ndërtuar në lagjen Vllas të fshatit Gërbac, një vend ku dikur jetonin të parët e tij dhe që tashmë po merr sërish jetë.

Ngjarja shënon një kthim simbolik e praktik të shqiptarëve në Medvegjë, duke i dhënë një dimension të ri përpjekjeve për të ruajtur gjallë identitetin, gjuhën dhe kulturën në trojet e lashta shqiptare.

Të pranishëm në përurim ishin familjarë, miq dhe bashkëfshatarë, të cilët ndanë emocione të forta dhe vlerësuan këtë hap të rëndësishëm si një akt përkushtimi ndaj vendlindjes.

Në një prononcim për median lokale MedvegjaSot, Ismet Ibrahimi u shpreh:

“Jam shumë i gëzuar që e ndërtuam këtë shtëpi mbi themelet e të parëve tanë. Le të jetë kjo një shembull për rininë tonë që të kthehet dhe të investojë në vendin e vet.”

Fëmijët e tij – Linda, Adelina dhe Mentori – të cilët janë lindur dhe rritur në Zvicër, treguan me krenari sesi kanë ruajtur gjuhën shqipe dhe kulturën familjare, duke folur bukur dhe rrjedhshëm shqip. Ata shprehën dashurinë e tyre për vendlindjen dhe përkushtimin për të mos e harruar asnjëherë origjinën.

I pranishëm në këtë ngjarje ishte edhe profesori i njohur Jonuz Fetahu nga Sfircë e Medvegjës, i cili vlerësoi rëndësinë e përurimeve të tilla dhe nënvizoi sfidat që përjeton komuniteti shqiptar në këtë zonë, duke bërë thirrje për më shumë angazhim dhe bashkim për të mbrojtur të drejtën e qëndrimit dhe ekzistencës në vendin tonë.


Festa vazhdoi deri në orët e vona të mbrëmjes me valle, këngë dhe atmosferë të zjarrtë festive. Flamuri kombëtar shqiptar valëvitej krenarisht, duke simbolizuar lidhjen e fortë me identitetin kombëtar dhe atdheun.

Ky përurim është më shumë se një akt ndërtimi – është një mesazh i qartë i qëndresës, dashurisë për vendlindjen dhe ruajtjes së identitetit shqiptar në Medvegjë. /MEDVEGJASOT.com