ARSIM BAFTI KRASNIQI KA PUBLIKUAR LIBRIN E TIJ TË TRETË ME RADHË ME POEZI “FRYMËZIMEÇASTI”

PARATHËNIA

Nevoja për të rrëfyer është nevojë ekzistenciale e njeriut. Secili njeri ka një rrëfim për veten dhe të tjerët. Kur njeriu rrëfen jetën e vet në një libër, atëherë sigurisht se motivet për këtë janë të jashtëzakonshme dhe të mëdha.

Ai që shkruan do të dallohet gjithmonë nga turma. I tillë është edhe Arsimi. Me një këndvështrim të thellë për jetën, t’u flasë përgjithmonë brezave përmes shkrimit, ka qenë dhe mbetet gjithmonë synimi i tij. Poezia për të është mënyrë jetese, stacioni ku ai pushon e merr energji, rruga ku kryqëzohet e shkuara, e tashmja dhe e ardhmja – gjithçka e përjetësuar përmes penës së tij.

Arsimi i shkruan atdheut, malli për të cilin e ka djegur qysh si i ri. Ai përmes poezive tregon se nuk ka gjë më fisnike dhe s’ka patriotizëm më të madh sesa të punosh për të mirën e tij.

Ai i shkruan kohës së shkuar, vlerave njerëzore, dashurisë e peripecive të jetës, mallit për babain, pa të cilin mbeti si i ri dhe mbi të gjitha shkruan dhe jep mesazh edhe për jetën e një mërgimtari, i integruar plotësisht në vendin ku jeton e punon, por që asnjëherë nuk harron, rrënjët, njerëzit dhe origjinën e tij.

Të shkruash për Arsim (Bafti) Krasniqin, birin e të madhit Bafti Krasniqit, atdhetarit, mësuesit të popullit, humanistit dhe valltarit të shkëlqyer, është sa e vështirë, aq edhe krenari. I frymëzuar nga i ati, gërshetim i vlerave e virtyteve të tij, për Arsimin flet më së miri pena e tij.

Në këtë libër do të gjeni të mishëruar, një njeri shembullor, baba të shkëlqyer, atdhetar e kombdashës, e mbi të gjitha një poet që synon ta bëjë botën më të mirë përmes vargjeve të tij.
Mesazhet që Arsimi përçon nuk janë të tërthorta, nuk janë të zbrazëta, e as pa një qëllim. Përkundrazi, ato janë të qarta, janë direkte dhe të fuqishme që mund të kuptohen nga gjithsecili njeri.

Gani Krasniqi, profesor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *