IDENTITETI
Nata e pestë
Mbrëmja nisi me vallëzimin, si një gjuhë që nuk njeh kufij.
Në skenën e Etno Festit, trupat lëviznin si valë kujtese.
“World Dance”, nën udhëheqjen e Janet Reineck dhe mjeshtërinë e Ansamblit “Opoja”, sollën një rrëfim të gjallë përmes trupit, një udhëtim ndër breza, përmes traditave të ndryshme, të ndërthurura në ritme që tejkalojnë kufijtë e gjeografisë dhe kohës.

Kjo performancë ishte një festë e identitetit të mishëruar, ku çdo hap nuk ishte thjesht koreografi, por një dëshmi kulturore.
“Burrat po dinë me vallëzu, po ku janë djemtë?”, tha Reineck me një ton që ishte njëkohësisht pyetje dhe thirrje. Një thirrje e heshtur për vazhdimësi, për trashëgimi. Një rikujtim se çdo lëvizje është një akt kujtese dhe se vallja nuk është vetëm pjesë e së kaluarës, por kërkon hapat e rinj që ta mbajnë të gjallë…
…pastaj, muzika mori fjalën. Dhe foli me zë të qartë.
Liburn Jupolli solli në skenën e Etno Festit një përjetim ndryshe: “Tales of Scapes”, një udhëtim përmes tingujve që fitoi vëmendjen e plotë të dëgjuesve.

Ky koncert ishte një peizazh i padukshëm që hapej brenda nesh, ku çdo tingull rridhte si një dritë e qetë përmes errësirës. Muzika nuk vinte për të tronditur, por për të qetësuar. Ajo nuk të thërriste, por të tërhiqte ngadalë brenda saj. I gjithë publiku dëgjonin në heshtje, si të ishin bërë një me hapësirën, me frymën, me tingullin. Trupat ishin të palëvizshëm, por prania e tyre ishte e thellë, si në një meditim të përbashkët, ku arti nuk performohej, por përjetohej.
Në atë çast, kufiri mes skenës dhe publikut u zhduk. Një përvojë që nuk mund të përsëritet me fjalë, por që vazhdon të jehojë gjatë, shumë gjatë, edhe pasi tingulli është shuar…

…më pas, skena mori frymën e teatrit.
Shfaqja “ADN”, me regji të Fatos Berishës dhe sjellë nga Teatri Shqiptar i Shkupit, solli në Etno Fest një dramë që na shpërblente me thellësi.
Një tekst që prekte rrënjët tona të përbashkëta, trashëgiminë që s’e mbajmë vetëm në mendje, por edhe në trup si kujtesë e pashlyeshme.
Ajo që u ngjit në skenë nuk ishte thjesht një shfaqje, por një pasqyrë. Një reflektim që nuk të linte të ikje pa u përballur me pyetje thelbësore rreth identitetit, historisë dhe peshës që bartim, shpesh pa e ditur.
Me një kastë të fuqishme: Sara Bajrami, Visar Etemi, Abedin Alimi, Sabina Memishi dhe Fisnik Zeqiri, shfaqja dhe drama brenda saj, u kthyen në një zë të përbashkët që na vështroi në sy, pa mëshirë, por me shumë të vërtetë…


…e kur mbrëmjes po i shuhej fryma, Etno Neja na ftoi për herë të fundit, butësisht, si një pëshpëritje që vjen nga brenda.
Këtë herë, me magjinë e String String, nata mbylli rrugëtimin e saj, me tinguj që prekën shpirtin. Grupi ishte i mrekullueshëm: i përmbajtur, i saktë, por njëkohësisht i hapur dhe prekës. Ata sollën një përjetim që kapërceu fjalët dhe u ul qetësisht në zemër.
Një përfundim delikat, por ngjethës, për një natë ku gjithçka u tha pa zë, por u dëgjua fort.
Dhe kështu, nata uli perden. Jo për të mbaruar, por për të lënë vend një agimi të ri në Etno Fest, me kujtime që nuk shuhen dhe emocione që mezi presin të rilindin në ditën që vjen.
Nga Albin Kushnini
Fotografitë nga Adi Beqiri