Në shkollën fillore “Faik Konica” në Prishtinë u rrit një yll i ri me emrin Nalina Jusufi – një vajzë e talentuar dhe e përkushtuar që po përfundon ciklin e ulët të arsimit, por është në nisje të një udhëtimi të madh drejt së ardhmes që ajo synon ta ndërtojë me duart e veta, transmeton MEDVEGJASOT.com
E njohur fillimisht për pasionin e saj ndaj poezisë, këndimit dhe shkrimit, sot Nalina ëndërron që në të ardhmen pas studimeve të drejtohet nga biznesi – një vizion i guximshëm për një vajzë 15-vjeçare, sidomos kur në familjen e saj nuk ka pasur më parë ndonjë sipërmarrës. Por kjo nuk e ka ndalur aspak. Përkundrazi, Nalina beson se për të arritur suksesin nuk duhen precedentë – mjafton vizioni, guximi dhe besimi në vetvete.
Një nxënëse shembullore dhe e dashur për të gjithë
Gjatë nëntë viteve të shkollimit të saj, Nalina ka spikatur si një nga nxënëset më të dalluara të shkollës. E qetë, e edukuar dhe gjithmonë e motivuar, ajo është përshkruar nga mësimdhënësit si një vajzë e veçantë, me mendje të mprehtë dhe sjellje të pjekur.
“Kam pasur kënaqësinë dhe privilegjin të kem nxënëse Nalinën për pesë vite me radhë. Ajo ka qenë gjithmonë e përkushtuar, e zgjuar dhe e etur për dije. Pyetjet që bënte në orë tregonin mënyrën e saj të thellë të të menduarit. Jam e bindur se do të shkëlqejë edhe më tej,” – u shpreh mësuesja e klasës, Shkurte Jusufi.
“Nalina është një prej atyre nxënëseve që çdo kujdestar do të donte ta kishte në klasë – e sjellshme, sistematike dhe bashkëpunëtore e palodhur,” – shton kujdestarja e klasës, Dëshira Borovci.
“E dalluar për rezultatet e shkëlqyera në matematikë dhe sjelljen e saj të pjekur, Nalina është gjithmonë e gatshme për sfida të reja,” – thekson arsimtarja e matematikës, Remzije Saraqi.
Bukuri natyrore që shoqërohet me shpirt të madh
Përveç karakterit të saj të admirueshëm dhe arritjeve në mësime, Nalina spikat edhe për bukurinë e saj natyrore. Në moshën 15-vjeçare, ajo reflekton një hijeshi të rrallë, një elegancë dhe maturi që e bëjnë të dallohet kudo. Është një nga ato raste të rralla ku bukuria e jashtme përputhet plotësisht me shpirtin dhe pasionin e brendshëm.
“Rruga ime s’është bërë ende – por po e ndërtoj me zemër, durim dhe guxim,” – thotë Nalina me bindje.
Në një botë ku vajzat e reja shpesh përballen me pengesa, Nalina është dëshmi se gjithçka është e mundur kur beson në veten tënde dhe ndjek pasionin me përkushtim të plotë.