Homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” për nder të 5, 6 dhe 7 Marsit

“Sot si çdoherë, në homazhe në kompleksin memorial në Prekaz dhe në vizitë në kullën e Jasharajve te Baca Rifat!

Nga plumbi i parë e deri te qëndresa heroike e marsit 1998, komandanti legjendar Adem Jashari dhe familja Jashari nuk u thyen, nuk u zmbrapsën, por përqafuan pavdekësinë. Ata edhe sot mbeten dritë udhërrëfyese për rrugën tonë përpara.

Në kohët më të errëta, ata ndezën dritën e shpresës. Në sfidat më të mëdha, ata gjetën forcën për të ecur përpara. Në momentet kur liria dhe e ardhmja e Kosovës u vunë në pikëpyetje, ata u bënë përgjigjja, u bënë mburoja dhe zemra e këtij vendi.

Lavdi Familjes Jashari!
Lavdi të gjithë heronjve të UÇK-së!”

Vjosa O. Sadriu – Presidente e Republikës së Kosovës.

Sërish vjen marsi dhe ne ndërrojmë mot – por vetëm ata nuk plaken kurrë!

27 vite më parë, më 5, 6 dhe 7 mars, në Prekazin e shenjtë, qëndresa u bë betim, flijimi u bë udhërrëfim, e familja Jashari u ngrit në përjetësi!

Nga nëna Zahide dhe baca Shaban, nga Hamza te Ademi, nga Kushtrimi te daja Osë – burra e gra, fëmijë e pleq, një familje e tërë nuk u përkul, por qëndroi e pathyeshme, duke i kënduar lirisë edhe në çastet e fundit. Ata e dinin dhe besonin: Liria nuk dhurohet dhe as nuk blihet – ajo fitohet me gjak dhe me sakrificë!

Sot, pas 27 vitesh, emrat e tyre janë më të mëdhenj se koha, më të fuqishëm se çdo dhembje, më të shndritshëm se çdo yll! Ata janë aty – të përjetshëm – në historinë tonë, në frymën e kësaj toke të lirë, në gjakun që rrjedh në damarët e çdo shqiptari!

Prekazi nuk është thjesht një vend – është altari i lirisë, themeli i shtetit, zemra e kombit! Sepse, siç ka thënë vetë komandanti legjendar: Shumë erëra kanë kaluar, por lisit rrënjët s’kanë mundur t’ia shkulin.

Kosova është ai lis i pamposhtur që vazhdon të rritet, të zgjerojë degët dhe të ngjitet në lartësi të reja – çdo ditë, çdo vit, deri në përjetësi!

Lavdi e përjetshme komandantit legjendar Adem Jashari!
Lavdi familjes heroike Jashari!
Lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit!

Memli Krasniqi – Kryetar i PDK-së

Te Prekazi i Komandantit Legjendar Adem Jashari, aty ku sakrifica arriti kulmin e saj; kujtojmë Epopenë e UÇK-së, të gdhendur përjetësisht në historinë e kombit shqiptar, me emrat e heronjve, dëshmorëve e martirëve të flijuar për liri.

Familja Jashari është zemër e qëndresës sonë, e lufta e UÇK-së, vulë e përjetshme e krenarisë dhe arritjes më të madhe kombëtare.

Lavdi të rënëve ndër breza!
Lavdi luftës së UÇK-së!

Ramush Haradinaj – Kryetar i AAK-së

Komandanti i FSK-së, bëri homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz

Në vazhdën e aktiviteteve për të nderuar “Epopenë e UÇK-së” sot Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari së bashku me njësinë e Operacioneve Speciale të Forcës së Sigurisë së Kosovës, bënë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
Këto homazhe u bënë në nderim të 27 vjetorit të “Epopesë së UÇK-së”, rënies heroike të komandantit legjendar Adem Jashari, familjes Jashari, dhe të gjithë të rënëve për liri. Kujtimi i ditëve të tilla dhe nderimi i të rënëve për liri është frymëzim për t’i shërbyer atdheut.

Epopeja e UÇK-së shënon fillimin e çlirimit të popullit të shtypur shqiptarë të Kosovës.

Me të janë vendosur themelet e para të Kosovës shtet dhe pas sajë ka ardhur liria për të cilën u sakrifikuan shumë gjenerata ndër vite!

Prekazi përjetësisht do të mbetet nikoqiri i Epopesë e familja Jashari dëshmi se sa e shtrenjtë është liria!

Lavdi familjes Jashari.

Lavdi të gjithë dëshmorëve të rënë për liri.

Shaip Kamberi

Homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” për nder të 5, 6 dhe 7 Marsit

Me rastin e shënimit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, krerët shtetëror, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, presidentja Osmani, Kryekuvendari Konjufca, zv. kryeministra, ministra, zv. ministra, deputetë, aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! bënë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, për të nderuar sakrificën dhe heroizmin e familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve të kombit.

Kryeministri Albin Kurti duke kujtuar figurat e familjes Jashari, tha se ata kanë vetëm ditëlindje, teksa rënia e tyre është vetë Epopeja e UÇK-së.

“Epopeja e UÇK-së i dha një hov të pandalshëm kryengritjes së armatosur dhe luftës çlirimtare, shpërthyen demonstrata gjithëpopullore dhe solidaritet i paparë historikisht ndërmjet shqiptarëve në Ballkan, por edhe gjithandej në mërgatë. Njëkohësisht u vetëdijesua e ndërgjegjësua edhe publiku shqiptar e diplomacia botërore. Tash ndonëse nuk e kemi kryekomandantin Adem Jashari, bacën Shaban e Hamzën dhe të gjithë të tjerët që u sakrifikuan para 27 vjetëve, e kemi bacën Rifat që do ta vizitojmë me shtëpinë plotë nipa e mbesa. Por mbi të gjitha e kemi Kosovën Republikë, me demokraci e zhvillim”, tha Kryeministri Albin Kurti.

Kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca theksoi se familja Jashari është krijuesja dhe esenca e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila e ka bërë aktin më sublim të sakrificës për lirinë e Kosovës.

“Anëtarët e Familjes Jashari e kanë pasur të mishëruar në zemrat dhe shpirtin e tyre një të vërtetë, që e ka shpëtuar popullin e Kosovës. E kjo e vërtetë është se liria nuk fitohet pa i kapur armët në dorë dhe nuk fitohet pa i dhënë dëshmorët e vet”, tha kryetari Konjufca.

Përulja jonë para varrezave të dëshmorëve është shprehje e mirënjohjes së përjetshme për të gjithë ata që dhanë jetën për Kosovën e lirë dhe sovrane. Amaneti i tyre mbetet udhërrëfyes për angazhimin tonë të palëkundur në mbrojtje të sovranitetit, demokracisë dhe mirëqenies së qytetarëve tanë.

Lavdi e përjetshme familjes Jashari, dëshmorëve dhe të gjithë atyre që u flijuan për lirinë e Kosovës! LVV

Me delegacionin nga Komuna e Preshevës, bëmë homazhe në Prekaz, në vendin ku Ushtria Çlirimtare e Kosovës u skalit në histori me sakrificën sublime të komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes heroike Jashari.

Gjatë kësaj vizite, patëm nderin të pritemi nga baca Rifat Jashari, si dhe nga Bekimi e Luli, të cilët me përkushtimin dhe fjalët e tyre na e përcollën frymën e qëndresës dhe sakrificës.

Qëndresa dhe lufta për liri e drejtësi e UÇK-së na obligojnë që të mbrojmë dhe të çojmë përpara idealet kombëtare, duke mos harruar kurrë rrugën e sakrificës që solli lirinë.

Kjo është një betejë që vazhdon edhe sot për ne në Luginën e Preshevës, ku të drejtat tona kombëtare vazhdojnë të sfidohen.

Inspiruar nga heroizmi i Prekazit, ne mbetemi të përkushtuar për të drejtat, barazinë dhe dinjitetin e shqiptarëve në Luginë.

Lavdi e përjetshme dëshmorëve të kombit!
Lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!
Lavdi familjes Jashari!

Ardita Sinani – Kryetare e komunës së Preshevës

Nderojmë të shkuarën, bëjmë të ardhmen!

Sot, tek Kulla e Jasharajve, në 27 vjetorin e Epopesë së UÇK-së, nderuam sakrificën sublime të Adem Jasharit, familjes Jashari e nëpërmjet tyre dhe gjithë të rënëve në altarin e lirisë.

Të kujtosh e shënosh Epopenë e UÇK-së, do të thotë të kujtosh e shënosh vet fundamentin e shtetit të Kosovës dhe përpjekjes sonë kolektive për liri. Do të thotë të kujtosh e shënosh gjithë sakrificën, qëndresën e vet kushtrimin e popullit të tonë të reflektuar në një familje të vetme, atë që sot na qëndron si tempull peligrinazhi për brezat e rinj, e që një çerek shekulli më parë na qëndronte si thirrje e rrugës sonë finale drejt lirisë.

Qëllimi i shuarjes së trungut familjar të Jasharajve, një çerek shekulli më parë, ishte qëllim i shuarjes së vet popullit shqiptar në Kosovë. Qëndresa e tyre atëherë, ishte rilindje e jona kombëtare. Rilindja e tyre sot, si familje, mes brezave të rinj pasardhës të Jasharajve, është qëndresë e jona që na mbanë neve në rrugën përpara.

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz

Në Prekaz vendoset simboli me emrat e 1432 fëmijëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë.

Prekazi nuk është thjesht një fshat i Kosovës, por një monument i pavdekshëm i qëndresës dhe sakrificës për lirinë. Aty ku gjaku u derdh për idealin më të shenjtë, aty ku pushkët nuk heshtën përballë armikut, aty ku një familje e tërë zgjodhi të bëhet kështjellë e pamposhtur, aty qëndron legjenda e familjes Jashari.

Epopeja e UÇK-së, e gdhendur në marsin e përgjakshëm të vitit 1998, ka në zemër të saj heroizmin e Komandantit Legjendar, Adem Jashari, dhe të familjes së tij.

Në atë pranverë të përgjakur, 56 anëtarë të familjes Jashari ranë dëshmorë, por nga ai gjak u rritën rrënjët e lirisë sonë. Ata nuk humbën, por u përjetësuan në historinë e kombit si simbol i krenarisë dhe i sakrificës. Ata i dhanë UÇK-së jo vetëm një epikë heroike, por edhe një motiv të pashtershëm për fitore.

Lavdi e përjetshme dëshmorëve të kombit!

Zëvendëskryeministri i Parë i Maqedonisë së Veriut dhe ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Izet Mexhiti

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *