Një Dekadë me ju MEDVEGJA SOT – ZËRI I JUAJ MISIONI YNË…VAZHDOJMË EDHE NË DEKADËN E DYTË!


Nga Linda Shaqiri, Gazetare dhe moderatore M.S.


Në 10 vjetorin e themelimit të portalit Medvegja Sot, shpalosim të arriturat dhe sukseset tona për një dekadë.
Medvegja Sot si Portal u themelua në vitin 2014, si rezultat i punës së palodhur të ideatorit dhe nismëtarit të saj, aktivistit, shkrimtarit të njohur z. Rrahman Hyseni nga Medvegja i cili me kontributin e tij financiar dhe profesionalizëm realizon një punë të mrekullueshme atdhedashurie.
Natyrisht se rrugëtimi nuk ishte i lehtë aspak, por fal vullnetit të mirë dhe dashurisë ndaj vendlindjes të gjitha sfidat u tejkaluan dhe puna vazhdoi me përkushtim të denjë dhe angazhim deri më sot.


Qëllimi dhe misioni i këtij portali dhe kanali informativ është në radhë të parë informimi i drejtë i opinionit shqiptar kudo në botë me vlerat, traditën, kulturën, doket dhe zakonet e trojeve tona shqiptare, në rastin tonë Medvegjën, por jo vetëm.


Duke e pasur parasysh se Medvegja është një pikë e ndjeshme e politikës si e lënë jashtë kufijve të saj natyror, e lënë jashtë kujdesit institucional nga ana e Qeverive shqiptare, Portali dhe Kanali informativ M.S. ngriti zërin e saj duke pasqyruar të gjitha padrejtësitë të cilat po i bëhen popullatës shqiptare në Medvegjë, duke mos përjashtuar edhe komunat tjera siç janë Presheva dhe Bujanovci.


Një pasqyrim i gjendjes reale nga tereni nuk ka munguar asnjëherë nga redaksia jonë M.S. e cila pavarësisht kushteve dhe rrethanave të vështira të punës nuk mungoi të jetë prezent në vendin e ngjarjes për të par nga afër të gjitha zhvillimet e natyrave të ndryshme, me një qëllim të vetëm për të sjell sa ma afër shikuesve informacione të sakta në kohë reale.
Gjendja e Shqiptarëve në komunën e Medvegjës, jeta e tyre në ato vise shqiptare të braktisura jo vetëm nga popullata civile por të braktisura edhe nga politika, sot në shekullin 21 të thuash se mungon infrastruktura rrugore është për tu habitur.
Po ashtu për tu habitur shumë është edhe gjendja në të cilën jetojnë edhe ata pak banor sa kanë ngelur atje, sepse ata dita ditës pasivizohen dhe ju mohohet e drejta për të jetuar të lirë në vatrat e tyre stërgjyshore, ashtu siç është e garantuar liria me konventat ndërkombëtare të të drejtave dhe lirive të njeriut të cilat çuditërisht po shkelen në Medvegjë, Preshevë dhe Bujanovc në sy të Evropës.


M.S. për një dekadë pune të pa lodhshme ka transmetuar dhe pasqyruar gjuhën, traditën dhe kulturën kombëtare shqiptare në Medvegjë dhe rajonin e saj, dhe atë përmes materialeve të shumta të realizuara në formë kronike, dokumentari, reportazhi, vizita në teren si dhe përmes mysafirëve të ftuar në studio M.S. nga më të përzgjedhurit siç janë mysafirë nga fusha e gjuhës, arsimit, mësimdhënies, historisë, kulturës, politikës, muzikës etj.


Medvegja Sot përveç materialeve të lartcekura ka nxjerr edhe Revistën Medvegja Sot e cila numëron deri më tani 33 numra. Kjo Revistë përfshin materiale të zgjedhura nga Kultura, Arti, Sporti, Shkenca, Politika e shumëçka tjetër.


Po ashtu Medvegja Sot ka nxjerr edhe 2 katalogë të bukur me veshje kombëtare të Grave dhe Vajzave nga Rajoni i Medvegjës. Bukuria e veshjes kombëtare qëndron në unitetin e saj të stilit të veçantë me plot koloritet ngjyrash. Veshje mbretërore e Gollakut.
Duhet theksuar se për këtë punë të mrekullueshme në përgatitjen e Revistës dhe Katallogut u përkujdes z. Rrahman Hyseni i cili njëheritë është ideator dhe botues i saj.
Për një Dekadë pune janë realizuar me qindra vizita në teren, qoftë ato në vendlindje Medvegjë qoftë edhe jashtë saj, si në Mërgatë më saktësisht me pjesëmarrjen e redaksisë sonë në Manifestimet tradicionale të cilat organizon SHHM në Zvicër.
Janë realizuar me qindra intervista me mysafirë të profileve të ndryshme, qoftë ato në studio si dhe intervista të realizuara gjatë vizitave në teren.


Nuk duhet harruar se M.S. ka realizuar edhe 6 {gjashtë} filma artistik të metrazhit të shkurtër sponsorizuar nga z. Rrahman Hyseni, duke pasqyruar jetën dhe vështirësitë e saj në rajonin e Medvegjës si dhe mos të harrojmë edhe bukuritë e saja të rralla të cilat shfaqen jo rrallë herë si pamje fantastike në skena të ndryshme.
Redaksia Medvegja Sot është përkujdesur të ofroj deri te shikuesit e saj edhe materiale dhe programe festive të realizuara me përkushtim dhe profesionalizëm, siç janë programet e fund vitit.


Një dekade jetë rrugëtuam së bashku me Ju miq të mirë, jeni ju ata të cilët mbështetët dhe përkrahët punën ton në çfarëdo lloj forme drejt realizmit të misionit tonë hyjnor dhe human.
Andaj M.S. nuk harron kontributin e asnjërit prej jush, mbështetjen tuaj të pa shoq, duke filluar nga Shoqata Humanitare Medvegja e cila në vazhdimësi ka përkrahur punën dhe angazhimin e aktiviteteve tona duke mbështetur financiarisht zyrën e Redaksisë Medvegja Sot.
Mirënjohje dhe respekt për kontributin e dhënë financiar për bashkëvendësit tan të cilët jetojnë dhe veprojnë në mërgatë, jeni ju ata të cilët mundësuat realizimin e programeve tona Festive.
Dhe krejt në fund Mirënjohje dhe Falënderim i veçantë për gjithë shikuesit dhe ndjekësit e Kanalit zyrtar informativ dhe Portalit Medvegja Sot, si dhe të gjitha platformave tona në rrjete sociale.
Andaj, si rezultat i shikueshmërisë rekord në shenjë falënderimi Medvegja Sot ka zgjeruar edhe skemën e saj programore me emisione dhe informacione të ndryshme të natyrës edukativo arsimore dhe kulturore.
Me materiale dhe reportazhe nga më të përzgjedhurat nga vendi, rajoni dhe bota
• Mysafir të ftuar në studio ART, KULTURË, SPORT, SHKENCË DHE POLITIKË vetëm në M.S.
• Rubrika, Vitrina e Librit me autor të njohur shqiptar dhe botëror
• Rubrika, Lexojmë poezitë tuaja, poezi të dërguara në redaksi
• Rubrika, Çaste poetike me të pavdekshmit e letërsisë shqipe
• Rubrika, Emisioni, filma, Jeta në Fshat
• Rubrika, Emisioni për fëmijë, prezantojmë talente të reja
• Show Bizi shqiptar me emisionin Gonxhe në Qaj

Dhe krejt kjo me një qëllim të vetëm të sjellim sa më afër jush vendlindjen por jo vetëm, sepse Medvegja Sot është e të gjithëve pa dallim.
Medvegja Sot është zëri i juaj zëri i të gjithë shqiptarëve anembanë!
Ne promovojmë vlerat Kombëtare Shqiptare!
Qëndëroni me Ne edhe në Dekadën e dytë!


E JUAJA MEDVEGJA SOT!