BAFTI HAJDINI – ATDHEDASHËS I PALODHUR, QË NUK IU NËNSHTRUE AS DHUNËS E AS FRIGËS

Bafti Hajdini lindi më 1961 në fshatin Kapit të Medvegjës, një vatër e njohur shqiptare e cila gjithmonë ka lindur bij e bija të përkushtuar ndaj gjuhës, kulturës dhe trojeve shqiptare. Që në fëmijëri, Baftiu shfaqi dashuri të pashuar për dijen dhe për vendlindjen e tij. Ai besonte se arsimimi ishte arma më e fortë e një kombi, ndaj edhe në kushtet më të vështira ekonomike e shoqërore, ai nuk e ndali rrugën e tij drejt dijes.

Edhe pse vendlindja për të ishte gjithçka, rrethanat e kohës e detyruan të largohej drejt Prishtinës për të ndjekur shkollimin e mesëm e më pas studimet e larta. Atje, me përkushtim dhe sakrifica, i përfundoi me sukses, duke e mbajtur gjithmonë në zemër amanetin e prindërve dhe dashurinë për vendlindjen.

Pas diplomimit, nuk zgjodhi rehati, por u kthye në Medvegjë, atje ku nevoja për arsimtarë shqiptarë ishte e madhe dhe ku fjala e mësuesit në gjuhën amtare kishte vlerë të pazëvendësueshme. Si profesor i matematikës në shkollën e mesme shqipe në Medvegjë, ai u bë shembull i dijes, urtësisë dhe përkushtimit, duke frymëzuar breza të tërë nxënësish.

Por dashuria për komb e vendlindje shpeshherë kishte çmim të lartë. Regjimi serb e kishte të qartë se njerëzit e arsimuar ishin shtylla e rezistencës kombëtare. Në vitin 1999, Baftiu u arrestua nga forcat serbe dhe u dërgua në burgun famëkeq të Leskocit. Aty u rrah brutalisht dhe iu nënshtrua torturave çnjerëzore, duke mbetur me pasoja shëndetësore për gjithë jetën. Por as dhuna e egër e pushtuesit nuk ia thyeu shpirtin e pathyeshëm.

Pas çlirimit, Baftiu vazhdoi misionin e tij në arsim, kësaj radhe në Shkollën e Bujqësisë në Prishtinë, ku punoi me të njëjtin përkushtim e dashuri për të rinjtë deri në vitin 2016, kur edhe ndërroi jetë.

Bafti Hajdini nuk ishte thjesht një mësues – ai ishte një prijës i heshtur i dijes, një atdhedashës i devotshëm dhe një dëshmi e gjallë se kombi mbahet gjallë nga ata që nuk dorëzohen kurrë. Jeta dhe vepra e tij mbeten një frymëzim për të gjithë ata që e duan tokën, gjuhën dhe kulturën shqiptare.

Punim i shkruar nga shkrimtari i shumë veprave të botuara, opinionist dhe autor i dy katalogëve mbi veshjen tradicionale të Medvegjës, është edhe autor i librave “Shqiptarët e Medvegjës nëpër shekuj” – vëllimi 1 dhe 2, Rrahman Hyseni