NAMON ALIU – DREJTUESI DHE MËSUESI I PËRKUSHTUAR I SHKOLLËS “ZENEL HAJDINI” NË TUPALLË 

Namon Aliu lindi më 10 mars 1942 në fshatin Kapit, komuna e Medvegjës. Shkollën fillore e kreu në Medvegjë, ndërsa studimet i vazhdoi në Shkollën Normale të Prishtinës, për të përfunduar më pas Akademinë Pedagogjike në Vranjë. Që në fillim të rrugëtimit të tij profesional, ai u dallua për përkushtim, disiplinë dhe dashuri të pakushtëzuar për arsimin dhe nxënësit.

Mësimdhënien e nisi në vitin 1964 në shkollën fillore të fshatit të tij të lindjes, Kapit. Vitin pasues, 1965, ai vazhdoi në të njëjtën shkollë, ndërsa në vitin 1966 u emërua mësues në Banjë të Siarinës. Nga viti 1966 deri më 1969 dha mësim në shkollën e Tupallës, ku la gjurmë të pashlyeshme në cilësinë e mësimdhënies dhe në frymëzimin e brezave të rinj.

Në vitin 1969, Namon Aliu mori drejtimin e shkollës fillore “Zenel Hajdini” në Tupallë, detyrë që e mbajti deri në vitin 1977. Këto tetë vite kujtohen si një periudhë e artë për arsimin në komunën e Medvegjës. Nën drejtimin e tij, shkolla arriti kulmin e zhvillimit, duke numëruar plot 270 nxënës — shifër rekord për atë kohë dhe për atë trevë.

Periudha 1969–1977 shënoi jo vetëm rritjen e numrit të nxënësve, por edhe forcimin e identitetit kombëtar shqiptar në këtë zonë. Në atë kohë, regjistrimi i nxënësve bëhej pa prapashtesën artificiale “viç” që pushteti serb u përpiq të shtonte mbiemrave shqiptarë për t’i asimiluar. Ishte pikërisht kjo periudhë që forcoi ndjenjën e përkatësisë kombëtare dhe ruajtjen e traditës arsimore shqiptare në Medvegjë.

Pas vitit 1977, Namon Aliu u shpërngul në Kosovë, duke vijuar misionin e tij arsimor në kushte dhe rrethana të tjera, por gjithmonë me të njëjtin ideal: edukimin e brezave të rinj dhe mbrojtjen e gjuhës e kulturës shqiptare.

Kontributi i tij, si mësues dhe si drejtor, mbetet një pjesë e çmuar e historisë së arsimit në Medvegjë dhe një shembull frymëzues për gjeneratat e ardhshme.

Punim i shkruar nga shkrimtari i shumë veprave të botuara, opinionist dhe autor i dy katalogëve mbi veshjen tradicionale të Medvegjës, është edhe autor i librave “Shqiptarët e Medvegjës nëpër shekuj” – vëllimi 1 dhe 2, Rrahman Hyseni