PËRKUJTOJMË PROFESORIN SHABAN ABAZI

Shaban Abazi lindi në Sfircë më 10 janar 1967. Shkollën fillore katër vite i përfundoi në shkollën fillore “Zenel Hajdini” me paralele të ndarë në Sfircë. Për në shkollë udhëtonin me këmbë afërsisht 5-6 km. Ishin katër klasa, pra prej klasës së parë e deri në klasën e katërt. Numri i nxënësve në klasë ishte mesata- risht mbi 22 nxënës. Në klasën ku vijonte mësimin, ishin 23 nxënës. Pasi i përfundoi katër vitet në Sfircë, vazhdoi katër vitet e tjera në shkollën fillore “Zenel Hajdini“ në
Banjë të Sijarinës.
Për në Banjë bënin mbi 8 km në njërin drejtim. Shkollën e mesme dyvjeçare e kreu në Medvegjë. Vitin e parë e ndoqën në barakat afër Shtëpisë së Shëndetit (tani objekti është i braktisuar), kurse vitin e dytë në katin e dytë të Shtëpisë së Kulturës në Medvegjë. Vitin e tretë dhe të katërt e vazhdoi në Prishtinë në shkollën e mesme ekonomike, në vitin shkollor 1984/85 dhe 1985/86.
Në tetor u regjistrua në Fakultetin Ekonomik në Prishtinë, drejtimi Zhvillimi ekonomik. Pas një viti, shkoi në shërbimin ushtarak të ish-sistemit. Shërbeu në Republikën e Kroacisë.
Pas shërbimit ushtarak, vazhdoi studimet e mbetura në të njëjtin fakultet. Viti i katërt i studimeve e gjeti nëpër shtëpi- shkolla. Disa ligjërata i mbanin te Xhamia e Llapit, disa në Medrese, disa në Bregun e diellit. Kështu brenda ditës lëvizinin prej njërit cep të Prishtinës në tjetrin dhe të kërcënuar vazhdimisht nga aparati shtetëror dhe policior i të ashtuquajturës Jugosllavi, e që në fakt dominohej nga serbët dhe malazezët. Shpesh i ndalnin dhe i maltretonin duke i kërcënuar që nëse herave të tjera i takojnë, do të sillen edhe më ndryshe.

Ka qenë anëtar në SHKA “Shkëndija” në Hajvali, ku merrej me këndim dhe luante me çifteli. Edhe sot e kultivon këtë pëvojë me kënaqësi. Është edhe anëtar në Shoqërinë Kulturore “Shqiponjat e Medvegjës”, ku kanë performuar si në vendlindje për “1 Maj” ashtu edhe në televizion. Përvoja e tij në arsim në cilësinë e mësimdhënësit daton që nga vitet e ’90. Në atë kohë Serbia së bashku me Malin e Zi, me gjithë aparatin ushtarak, policor, paramilitar kishte mbyllur dyert e shkollave të mesme vetëm për nxënësit shqiptarë në Kosovë. Këtij denimi i mbijetuan vetëm pak shkolla fillore, në të cilat zhvillohej mësimi edhe në disa shkollave të mesme, por që pjesa dërmuese e tyre e mbanin procesin mësimornëpër shtëpi-shkolla.
Si i ri dhe i diplomuar në Fakultetin Ekonomik, u punësua në shkollën e mesme “Ulpiana” në Komunën e Lipjanit në vitin shkollor 1993/94. Procesi mësimor zhvillohej në objektin e shkollës fillore “Emin Duraku” në fshatin Banullë të Lipjanit. Ishin vitet e para kur e përjetoi ndjenën e kënaqësisë për të shpërndarë dije tek të rinjtë tanë dhe nxitja për atdhedashuri. Punonin në kushte jot ë mira, me paga e pa paga dhe nën kërcënimin permanent të aparatit shtetëror të serbëve dhe malazezëve. Në këtë shkollë punoi edhe në vitin shkollor 1994/95, por e ndërpreu për shkaqe familjare.
Pas përfundimit të luftës, u angazhua me detyra të Qeverisë së Përkohshme në Bashkësinë Lokale nr.5 në Ulpianë të Prishtinës në cilësinë e referentit të kësaj bashkësie deri në tetor 2003. Në vitin 2003, në tetor u kthye në mësimdhënie në shkollën e mesme “Hoxhë Kadri Prishtina” në Fushë Kosovë. Mësimi mbahej në objektin e shkollës fillore “Mihajl Grameno” në Fushë Kosovë. Tani shkolla është e intergruar edhe me drejtimin e gjimnazit dhe të teknikës dhe mban emrin “Hivzi Sulejmani”.
Në vitin 2012 i përfundoi të gjitha porvimet në Shoqatën e Kontabilistëve të Certifikuar dhe Auditorëve të Kosovës dhe mori
titullin “Kontabilist i Certifikuar”. Në po të njëjtin vit e përfundoi edhe Masterin në Kolegjin Privat “Globus” në Prishtinë në lëminë e kontabilitetit. Ka botuar përmbledhjen e librit rreth njohurive dhe përvojës si mësimdhënës dhe kontabilist i certifikuar nga Shoqata e Kontabilistëve të Certifikuar dhe Auditorëve të Kosovës. Libri i cili tashmë është në duart e lexuesve, është titulluar “Kontabiliteti për klasën e dhjetë të shkollave të mesme profesionale”. Libri është një ndihmesë për lëndën e kontabilitetit për klasët e 10-ta dhe disa njësi mësimore do të jenë ndihmesë si për mësimdhënës ashtu edhe për nxënësit në lëndën e praktikës profesionale. Libri i ka dy recensentë, dr.Isa Tahirin, dhe dr. Shefket Jakupin, po ashtu edhe lektorin prof. Asllan Qyqallën me të cilin është koleg në të njëjtën shkollë.
Deri në fillim të vitit shkollor 2019/20 do ta botojë librin e dytë për kontabilitet për klasat e 11-ta. Gjithashtu në dorëshkrim e ka edhe materialin për kontabilitetitn e klasave të 12-ta, i cili do të konkretizohet më vonë.


U mbajt mbledhja përkujtimore për të ndjerin prof.. Shaban Abazi nga Medvegja

Kolektivi i shkollës së mesme ekonomike ‘’Haxhi Kadri Prishtina’’ në Fushë Kosovë sot më datë 04.10.2023 mbajti mbledhjen përkujtimore me rastin e ndarjes nga jeta të kolegut dhe mikut profesor Shaban Abazi nga Sfirca e Medvegjës.
Në këtë mbledhje ishin të pranishëm mësimdhënës, profesor dhe nxënës të kësaj shkolle. Mbledhja u kryesua nga profesor Hajredin Kabashi .


U fol rreth jetës dhe veprës së profesor Shaban Abazi nga fshati Sfircë i Medvegjës. Një kontribut i jashtëzakonshëm në edukimin dhe afirmimin e brezave në shoqërinë ton. Vepra e tij do mbetet shembull për gjeneratat e reja, u tha ndër tjera nga të pranishmit.
Në emër të kolektivit të shkollës me fjalë rasti u prezantuan

prof. Asllan Qyqalla, Ukshin Uka, zëvendës drejtor i shkollës së mesme ekonomike ‘’Haxhi Kadri Prishtina’’ në Fushë Kosovë, Sadri Emini, zëvendës drejtor në SHMU ‘’Mihail Grameno’’ aneksi 1, Fushë Kosovë, Amir Pllana , drejtor i SHM ‘’Hivzi Sulejmani’’ Fushë Kosovë.
Nxënësit Mbresa Simnica dhe Vesa Mala evokuan kujtimet e tyre me profesorin tashmë të ndjer Shaban Abazi.

I pa harruar mbetet kujtimi për të!.

BIOGRAFA E PROFESORIT SHABAN ABAZI BOTUR NË LIBRIN E AUTORIT RRAHMAN HYSENI “ SHQIPTARËT E MEDVEGJËS NËPËR SHEKUJ”