DOKUMENTAR PËR DËSHMORIN E KOMBIT FLORIM RR. RUSHITI “KINGJI”

Sot është datëlindja e dëshmorit të kombit, Florim Rushiti (Kingji). (2.4.1979 – 26.5.1999)
Me përulje dhe respekt bëm homazhe pran varrezave të Dëshmorëve në Landovic së bashku me nënën dhe babain e Florimit. Përjetësisht dëshmorve të kombit mirënjohës dhe LAVDI!


Florim Rr. Rushiti (Kingji) nga fshati Kapit i Medvegjës, i cili me kufizimin e lirisë, përuljen si shtresë, këto dhe shumë primesa të tjera, u detyrua që shumë i ri ta marrë rrugën e kurbetit e të shkojë në Munih të Gjermanisë për të qenë ndihmës i familjes…Edhe pse jetonte shumë larg, me zemër gjithmonë ishte afër atdheut, rriste dhe kultivonte brenda vetes ndjenjat patriotike dhe atdhetare, si dhe urrejtjen shpirtërore kundër armikut…


Zëri i atdheut sikur e thërriste gjithmonë Florimin në ëndërr e në zgjim, gjersa një ditë vendosi t’i përgjigjej atij zëri, duke marrë rrugën për në Burrel të Shqipërisë, ku e priste detyra e parashtruar vetvetes – të stërvitej dhe të hynte në radhë…


“Kingji” ishte nofka e FLORIMIT nga një epror shqiptar i Akademisë Ushtarake Shqiptare “Skënderbej”, ngase ai vërtet ishte i tillë, shumë i dëgjueshëm…
Pas përfundimit të detyrës së stërvitjes, F LORIMIN e priste detyra e radhës, e parashtruar ndaj tij.
Ai e dinte që kjo detyrë ishte jo e sigurt dhe se ishte çështje jetike, mirëpo zërit të atdheut i ishte përgjigjur me betimin “O VDEKJE ,O LIRI !”.


U nis për në malet e Pashtrikut së bashku më trima të tjerë. Më 26.5.1999 u ndeshën ballë për ballë me armikun…
Në atë vend armiku pësoi humbje të mëdha, e në këtë front të rrezikshëm plagoset rëndë bashkëluftëtari i “Kingjit”- Muhamet Bajrami, ndërsa FLORIMI hidhet pa hezitim në ndihmë që ta tërheqë nga ajo pozitë, mirëpo më kot, ngase plumbat e rrëmbejnë edhe atë, duke rënë aty dëshmor për lirinë e atdheut të vet, për Kosovën, por edhe për Medvegjën, Preshevën e Bujanocin e tij. Ai ra heroikisht për të mos vdekur kurrë…


Vëllai i tij Lulëzimi, me të dëgjuar që Florimi kishte rënë në altar, e merr armën në dorë dhe u bashkëngjitet radhëve me synimin për liri. E babai i tyre, Rrahmani, përveç dhembjes, ndiente edhe krenari që kishte rritur bij të tillë që do t’i dilnin zot vatanit. Motrat e Florimit, Lumnija e Miradija, sa ishin tronditur, aq ishin krenare me të vëllanë dëshmor, ndërsa nënë Aza nuk pajtohej me faktin se i biri ishte vrarë, duke thënë se nuk kishte vdekur, por vetëm po pushonte pas betejave për lirinë e fituar.
Florimi ndodhej në maje të Pashtrikut,1986 metra mbi nivelin e detit, prej nga sodiset Rrafshi i Dukagjinit, përkatësisht qyteti historik i Lidhjes së Prizrenit. Florimi këtu në mëngjesin e 26 majit u zgjua rreth orës 4 dhe u nis në këtë aksion së bashku me bashkëluftëtarët e tij në këtë teren të lartë e krejtësisht të zhveshur dhe të vështirë për ta gjetur ndonjë guvë për t’u pozicioniar. Ato ditë tëpërflakura të Luftës Çlirimtare,sikur në tërë Kosovën,ashtu edhe Koshare e Pashtrik, po jehonin rafalet e pushkëve të ushtarëve të UÇK-së kundër ushtrisë serbe. Edhe në kufirin shqiptaro-shqiptar ,bijat dhe bijtë më të denjë të kombit, me çdo çmim kishin vendosur ta hiqnin kufirin e imponuar duke shkulur edhe piramidat kufitare.

Florim Rushiti,si gjithmonë edhe kësaj radhe, ishte në vijën e parë të sulmit. Ai u ngrit në këmbë duke qëlluar trupat e armikut, sepse në ato çaste tejet të rrezikshme, e këndelli zëri i shokut që tashmë ishte i plagosur dhe po kërkonte ndihmë. Florim Rushiti-Kingji,gjithnjë në nivel të detyrës me guxim të pashoq hyri brenda pozicioneve të armikut, pa e menduar fatin e vet ngase liria e atdheut ishte më e shtrenjtë se vetë jeta e tij. Kështu e kishte edukuar familja,Medvegja e tij dhe Kapiti që e lindi dhe e rriti.


Në atë vend ku e kapi plumbi Florimin mbinë lulëkuqe lirie dhe sot në atë vend, pas 19 vjetësh, bashkëluftëtarët, familja dhe miqtë, me krenari i ngritën Pllakë Përkujtimore për të mos e harruar kurrë.
Këtë pavdekësi e dëshmojnë poetët, këngëtarët dhe shkrimtarët tanë nga të gjitha trojet tona etnike me përkushtimet e tyre poetike.


Horizonti mbi të cilin thuren vargjet, dhe LAVDI tregon individualitetin poetik, duke arritur në përmbledhje poetike me vargje të zgjedhura, brenda së cilës shprehen të bëmat heroike të të rënit në malet e Pashtrikut, ku dhe sot ndihet aroma e gjakut të dëshmorit. Në to ndihet gjithashtu edhe mallkimi për plumbin e kobshëm që e ndaloi atë në gjysmën e këngës së luftëtarëve, këngë që sot vazhdon të këndohet në liri.Në vargje shprehet edhe ndjenja e nënës, e cila i flet me shumë dashuri të birit “Fli, bir i nënës”, me dhimbjen e shpirtit të saj, duke e bërë atë stoike për të birin e lartësuar në qiellin hyjnor.


Ne u jemi mirënjohës dëshmorëve për jetë për kontributin e tyre në realizimin e lirisë sonë kombëtare, e njëri ndër ta ishte edhe Florim Rushiti “Kingji”. RRH

FLI, BIR I NËNËS
(Florim Rushiti) “Kingjit”

Në shtratin e shtruar
si mbulesë ilirio-dardane
në këtë kullë të trashëguar
fli me ninullat e nënëlokes shqiptare
bir i nënës, fli!
Kur dielli në Medvegjë të perëndojë
e të çmallesh me harkun e hënës
dhe ylli në atë kaltërsi të ndriçojë,
fli i qetë, o bir i nënës!
Bir i nënës, fli!
Ëndërroje Preshevën, Medvegjën e Bujanocin
ëndërroje dhe Kosovën të bashkuar me to në liri
ëndërroji të gjitha në një nënë-Shqipëri.
Bir i nënës, fli!
kur gjinkallat ta prishin gjumin
s’e bezdis ti nënën kurrë
vjen prapë nëna e të vë në gjumë.
Bir i nënës, fli!
fli në prehrin e nënëlokes
mos më ik si pëllumb nga dora
gjakatarët ta ndërruan shtratin
në mes të rrugës ta ndalën hapin.
Bir i nënës, fli!
fli atje në malet e Pashtrikut
në mes lulëkuqeve të Kosovës
fli i qetë, biri i nënës!
atje ku ta ndiejmë ende aromën e gjakut.
Bir i nënës, fli!
në Prizrenin e lashtësisë
nga Medvegja ke të fala
një kurorë mbi shtratin e përjetësisë
një pikë loti nga të gjitha trojet e shqiptarisë.

DOKUMENTAR PËR DËSHMORIN E KOMBIT FLORIM RR. RUSHITI “KINGJI”

Më mbani mend shokë?
Unë jam Florimi vetë
jam ai djali nga Medvegja
nga amshimi në liri ju flet…
Mos shkelni mbi gjakun tim të derdhur
se edhe për ju ka faqe historia
amanetin në vend ma çoni
bashkoni në një Shqipëri të gjitha trojet e mia.
Medvegja është simbol i qëndresës së pamposhtur
në të gjitha rrebeshet e historisë sonë kombëtare.


Me frymën atdhetare në këto troje ishte rritur dhe Florim Rushiti, i njohur me nofkën “Kingji”, luftëtar i UÇK-së dhe dëshmor i kombit. Kujtimet e tij i ruajnë familjarët dhe të gjithë ata që e njihnin. Nëna, Aza Rushiti, është ajo që e di më së miri se kush është Florimi, ngase ajo i ruan kujtimet për të dhe tregon gjithçka që nga lindja e tij. Thotë se ardhja në këtë jetë për djalin saj ishte gëzim i madh, por ai gëzim u shndërrua në dhimbje dhe krenari.

Thonë se pas familjes në radhë të dytë është shkolla, ajo që të udhërrëfen për të ardhmen. Kujtime për Florimin kishte dhe kujdestari i klasës Abdyl Aliu, i cili na tregon për të që, përveç se i bukur, ishte edhe nxënës i zellshëm dhe me shumë ambicie për jetën, ndërsa shoqja e klasës, Drita Uka, përveç shoqërimit me Florimin tregon dhe për orën e mësimit në lëndën e historisë, meqë, teksa rrëfeheshin ngjarjet për historinë e vendit, Florimin e rëndonin shumë. Vëllai më i madh i Florimit, Lulzimi, na rrëfen për shkuarjen në Gjermani së bashku me të vëllanë. Me shkuarjen në Gjermani, Florimi ishte takuar me Ganimet Oruçin, e sipas Ganimetit kishin krijuar shoqëri të ngushtë. Hakif Bajrami e përshkruan takimin e tij me Florimin në një simpozium shkencor. Në atë rast, Florimi ia kishte rrëfyer hallin e tij në mospranimin në radhët e ushtrisë. Mirëpo, Hakifi i kishte thënë se atdheun mund ta ndihmosh në çdo mënyrë, jo vetëm duke qenë i pari në front. Por, siç na tha ai, çkado që i thoshe Florimit, në sytë e tij vërehej që shkuarja në front ishte e vetmja zgjidhje që do t’ia qetësonte shpirtin.

Hamdi Maloku na rrëfen për takimin e parë me Florimin. Thoshte se ai nuk kishte besim tek ai t’i rrëfente që kishte shkuar herën e parë në Kosovë, dhe për mospranimin e radhët e ushtrisë derisa e kishte kuptuar që të dy e kishin të njëjtën rrugë. Duke vazhduar rrëfimin, Hamdiu tregon që Florimi ishte takuar me Fehmi Lladrovcin dhe familjen e tij e që e kishin pritur shumë mirë. Më vonë, Florimit i kishte ardhur lajmi për rënien e Fehmi Lladrovcit. Rënia e Fehmi Lladrovcit në altar, atë nuk e linte të qetë. Tani donte ta merrte hakun për Fehmiun, në të njëjtën kohë.Tani më për Florimin nuk kishte kthim prapa.


Para se të shkonte në luftë, vendi i parë që u ndal Florimi ishte Kumanova, ku u mirëprit nga familja Sadiku, e sipas Muhamet Sadikut, Florimi ishte një djalosh shumë i pashëm, i mençur,trim e i sinqertë. Në një anë vuajtja e tij dhe në anën tjetër vendosmëria për në luftë shiheshin qartë në sytë e “Kinxhit”. Florimi së bashku me shokun e tij Hamdi Malokun kishin vazhduar rrugën për në Burrel. Aty e kishin takuar një bashkëluftëtar tjetër, Behxhet Kuçin, i cili tregon për formimin e njësitit nga ushtarët më të shkathët e më të fortë, e në mesin e tyre ishte edhe Florimi. Një ndjesi tjetër e tregon gjenerali Kudusi Lama, i cili rrëfen shumëçka për Florimin. Pika e fundit ku u ndal ai me ushtarët ishte ajo e mobilizimit në Cahan, ku këtë e rrëfejnë edhe banorët e atyshëm, Avni Koleci, Qamil Cahmani, Agron Cahani dhe për nisjen e tyre në vijën e parë të zjarrit rrëfen bashkëluftëtari Remzi Selimi.

Nga kjo nisje, sipas tyre, kishin arritur në malet e Pashtrikut. Për rrjedhat e ngjarjeve në malet e Pashtrikut tregojnë ish-luftëtarët e UÇK-së, Nexhmedin Berisha, Muhamet Bajrami dhe të tjerë. Ata rrëfenin se Florimi i tërhiqte shokët e plagosur, nuk i linte, dhe çdoherë futej sa më brenda pozicionit serb. Në një rast të tillë ai u qëllua me snajper, kurse shokët nuk arrinin të depërtonin ta bënin tërheqjen e tij. Ish-ushtari i UÇK-së, Sami Hajzeraj, tregon për tërheqjen e kufomave dhe në mesin e tyre ishte dhe Florim Rushiti, të cilin e kishin dërguar në varrezat e Radovicës. Së fundi, familjarët e tij tregojnë për dhembjen në një anë dhe krenarinë në anën tjetër që e kishin një djalë të tillë. Për Florimin nuk ndien dhimbje dhe krenari vetëm familja, por e gjithë shqiptaria. RRH

Shkruan, foto; Rrahman Hyseni
Landovicë, Pashtrik