(Shkrimi është nxjerrë nga libri im “Gjuha dhe identiteti”, Toena, Tiranë, 2008, f. 178-191)
“Gjuha është njëri ndër tiparet më të spikatura e më të shquara të çdo njeriu dhe të çdo populli Në të më së miri ruhen e shprehen pavarësia e një populli dhe trashëgimia e tij kulturore”. Kështu e nis njërin ndër shumë shkrimet kushtuar gjuhës letrare prof. Idriz Ajeti shkrimin me titull “Çështje të gjuhës letrare shqipe.” 1 Ky mendim i shqiptuar para më shumë se 20 vjetësh do të jetë parim udhëheqës në punën e gjatë e shumë frytdhënëse shkencore të profesorit e të prijësit tonë në fushën e gjuhës e të gjuhësisë shqiptare.
Por, veprimtaria gjuhësore e prof. Idriz Ajetit në të mirë të një gjuhe të përbashkët letrare për shqiptarët do të fillojë shumë më herët, që në vitet 50 të shekullit XX, në kohën e rrethanave shumë të vështira politike, ekonomike, arsimore e kulturore. Shqiptarët tashmë jetonin të ndarë në dy shtete e në disa ndarje administrative dhe kjo paraqiste vështirësi shtesë për zhvillimin tepër modest të tyre. Edhe në këto rrethana, përpjekjet e intelektualëve të paktë asokohe në Kosovë, do të përqendrohen në zhvillimin e arsimit e në kontekst edhe të gjuhës shqipe. Çështja e gjuhës del një ndër punët e ngutshme. Derisa në Shqipëri varianti letrar jugor po kthehej në gjuhë zyrtare të shtetit shqiptar, gegërishtja letrare vijonte të përdorej andej e këtej kufijve, jo me epërsinë e shtrirjen që kishte njohur dy a tri dekada më parë. Në kushte të reja e të ndryshme politike e kulturore nga ato të Shqipërisë, gegërishtja vijoi të shkruhej në Kosovë, si edhe në vise të tjera shqiptare të mbetura si Kosova. Në rrethana të këtilla të pasluftës, studiuesi i ri, prof. Idriz Ajeti, e filloi punën e ngulmët në fushë të gjuhës, që pati që nga fillimi pikësynimin e mosshkëputjes gjuhësore nga shteti amë, në të vërtetë bashkimin gjuhësor – punë kjo shumë e vështirë për kohën e rrethanat. “Vallë, ç’mund të jetë më e natyrshme për një popull, madje edhe nëse jeton në bashkësi të ndryshme shtetërore, se të ketë një gjuhë të përbashkët letrare?”2 shtron pyetjen prof. Idriz Ajeti në shkrimin e lartcituar. Me të këtilla e qëndrime, ai do të bëhet pjesë një elite mendore, që do të bartë këto procese me vetëdije të lartë kombëtare.
I përgatitur për një fushë të vështirë gjuhësore, për historinë e gjuhës shqipe, së cilës do t’ia shkrijë gjithë mundin dhe energjitë krijuese të një jete të plotë njerëzore, prof. Idriz Ajeti, as edhe për një çast nuk do të reshtë së përpjekuri edhe për probleme e çështje të gjuhës së sotme shqipe, prandaj gjetja e tij në këtë rol nuk ishte rastësi, siç do ta provonte edhe e gjithë puna e tij në fushën e gjuhësisë shqiptare. Mund të thuhet, pa pasur frikën se po e teprojmë, se vitet 50 të shekullit 20 do ta kthejnë prof. Idriz Ajetin në protagonist të gjuhësisë shqiptare në Kosovë dhe si i tillë do të mbetet deri sot. Profesori ynë i nderuar e kishte kuptuar drejt detyrën e gjuhëtarit, detyrën e prijësit në një fushë shumë të rëndësishme e shumë të ndjeshme për kohën e për rrethanat në të cilat ndodheshin asokohe shqiptarët e Kosovës. I kishte nxënë mirë mësimet e teorive që përcaktojnë jetën e një populli si komb, prandaj s’kishte si të vepronte ndryshe: do të përpiqej me përkushtim e ngulm për një gjuhë të përbashkët kombëtare për të gjithë shqiptarët, në të vërtetë ai tashmë po i vinte në praktikë dijet e mësimet e tij, po përpiqej të sendërtonte atë që popuj të tjerë përreth e më larg e kishin bërë me kohë.
I përgatitur mirë, me dije filologjike e veçanërisht albanologjike, për t’iu rrekur me përkushtim një fushe sa të vështirë, po aq sfiduese, i formuar me mësimet e linguistëve të shquar Karlo Taljavini, Henrik Bariçi e të tjerë, i thelluar në studimet krahasuese në romanistikë e sllavistikë dhe në studimet e albanistëve me emër – Holger Pederseni e Norbert Jokli, Idriz Ajeti do të ketë kompetencën e duhur që të merret edhe me problemet bashkëkohore të gjuhës standarde, ndërsa gjuhësia shqiptare po mirëpriste brenda saj njërin ndër studiuesit vet më të përkushtuar, në të vërtetë studiuesin me parime të larta shkencore dhe kulturore. Ai mësoi nga prijësit e mëdhenj e u bë edhe vetë prijës i madh.
Prof. Idriz Ajeti u vu në krye të Mbledhjes së parë gjuhësore të mbajtur në nëntor 1952 në Prishtinë dhe paraqiti aty edhe referatin kryesor,3 në të cilin, si edhe në diskutimet e mëpastajme, mbizotëruan prirjet që në drejtshkrim të ruhen mundësisht format e përbashkëta gjuhësore të të dy kryedialekteve. Ai u vu edhe në krye të Komisionit të formuar prej nëntë vetash, që do të shqyrtonte hollësisht probleme të drejtshkrimit, përfshirë këtu edhe rregullat e drejtshkrimit, të botuara një vit më parë në Tiranë. Komisioni zyrtarizoi me rezolutë për shkollën, shkencën e kulturën në Kosovë gegërishten jugore me elemente të të folmeve të gegërishtes verilindore.
Vetëm pesë vjet më vonë, më 30 e 31 maj 1957, në Prishtinë u mbajt Mbledhja e dytë gjuhësore, në të cilën u shqyrtuan çështje të normës në drejtshkrim, të miratuara në Mbledhjen e parë gjuhësore. Në mbledhje u caktuan dy grupe gjuhëtarësh për të përgatitur materialin e quajtur “Projekti i ortografisë i Mbledhjes së Drejtshkrimit”. Në propozimet e përfshira në projekt hetohej përpjekja veçuese nga drejtshkrimi zyrtar i VITIT 1956, i botuar në Tiranë. Vendimet e kësaj konsulte shprehnin qartë prirje divergjente dhe përpjekjet për ruajtjen e varianteve letrare me përkatësi të ndryshme dialektore. Por, në konsultë do të veçohet reagimi i prof. Idriz Ajetit, i cili do të mbajë qëndrimin, sipas të cilit rruga që duhet të ndiqet në procesin e normëzimit është ajo që do të sjellë konvergjencën gjuhësore.4
Lidhur me këto, gjatë viteve 1957-958 Idriz Ajeti botoi shkrimet “Për ndritshimin e çashtjeve gjuhësore të shqipes” (“Përparimi”, nr. 7) dhe “A ka gja ma punë n’ortografinë
e shqipes?” (“Përparimin”, nr. 8), në të cilat qartë shpreh kundërshtimin e vet për zgjedhjen e pranuar në këtë mbledhje gjuhësore. Po gjatë këtij viti, pos shkrimeve e përkthimeve të ndryshme, botoi edhe njëmbëdhjetë shkrime të tjera, që lidhen me problemet e gjuhës, në të vërtetë me drejtshkrimin.5
Në vitet 60 prof. Idriz Ajeti vijon të qëndrojë në krye të veprimtarive që do të bëhen në të mirë të gjuhës e të shkollës shqipe. Më 1960 u themelua Katedra e Gjuhës dhe e Letërsisë Shqipe –
katedra e parë e Fakultetit Filozofik të Prishtinës, që do të luajë rol të madh në përgatitjen e kuadrit mësimor e shkencor e që do të bartë peshën kryesore për mbrojtjen e zhvillimin e gjuhës shqipe. Në krye të saj për shumë vite do të jetë prof. Idriz Ajeti, nismëtari edhe i revistës shkencore “Gjurmime albanologjike” me moshë sot dyzetepesëvjeçare dhe i disa revistave të tjera vite më vonë.6
Më 14-16 janar të vitit 1963 në Prishtinë u mbajt Mbledhja e tretë gjuhësore, në të cilën, pos përfaqësuesve nga Kosova, morën pjesë edhe përfaqësues të shqiptarëve të Maqedonisë e të Malit të Zi. Këtu u diskutuan disa çështje të drejtshkrimit, më konkretisht u vu në diskutim Projekt-ortografia e re, e hartuar nga Komisioni i gjuhës dhe i letërsisë, i ngritur më 1961 nga Pleqësia e Arsimit dhe e Kulturës e KAKM-ës. Edhe në këtë komision shquhet puna e prof. Idriz Ajetit. Ky projekt u diskutua gjerësisht, ndërkaq pas shqyrtimit dhe analizës u vendos që një grup punues të hartojë tekstin e drejtshkrimit të gjuhës shqipe. Në Komision sërish gjejmë kryesorin prof. Idriz Ajetin, 7 Nga ky komision u botua më 1964, në formë broshure, “Ortografia e gjuhës shqipe” – ortografia e parë dhe e fundit e hartuar pas luftës dhe para njësimit tonë gjuhësor.
Tre vjet pas, më 1967, themelohet Instituti Albanologjik dheprof. Idriz Ajeti mori barrën kryesore për hulumtimin dhe organizimin e punës shkencore aty, ashtu siç do ta mbante disa vite më vonë rolin e udhëheqësit në krye të Universitetit, të Seminarit e të ASHAK-ut dhe, prapë, të Institutit Albanologjik.
Po në këtë vit (1967) në Prishtinë, erdhi “Projekti i rregullave të drejtshkrimit të gjuhës shqipe”, i hartuar nga studiuesit e shquar të Tiranës, i cili do të nxiste nismën e Institutit Albanologjik të Prishtinës dhe të Katedrës së Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe të Fakultetit Filozofik të Prishtinës që më 27-28 prill 1968 të mbahej Konsulta Gjuhësore, e njohur gjerësisht me emërtimin “Konsulta e Prishtinës”, në të cilën morën pjesë 150 intelektualë të fushave të ndryshme. Referatin kryesor me titullin “Rruga e njësimit të gjuhës letrare shqipe dhe ortografisë së re” e mbajti prof. Idriz Ajeti. Në këtë konsultë me përkrahje të gjerë u pranua që si gjuhë letrare e shqiptarëve në Kosovë dhe në trojet e tjera shqiptare jashtë shtetit amë të përdoret gjuha letrare shqipe, gjuha e sotme standarde shqipe, ndërkaq si normë drejtshkrimi të pranohej “Projekti i rregullave të drejtshkrimit të gjuhës shqipe”. Konsulta Gjuhësore e Prishtinës e vitit 1968 i çeli rrugën njësimit gjuhësor gjithëkombëtar të shqiptarëve e, rrjedhimisht, edhe mbajtjes së Kongresit të Drejtshkrimit, më 1972, në Tiranë. Prof. Idriz Ajeti u vu në krye të grupit të përbërë prej 11 vetash – delegatë nga Kosova.
Gjatë viteve 70-90 të shekullit të kaluar e më tutje prof. Idriz Ajetin e gjejmë në ballë të përpjekjeve për zhvillimin e pasurimin e gjuhës standarde shqipe, por edhe në ballë të institucioneve e të organizimeve të shumta të kësaj fushe. Përkushtimi gati 60 vjeçar i prof. Idriz Ajetit në të mirë të gjuhës së përbashkët letrare nuk reshti kurrë dhe pati disa drejtime, si: studimi i çështjeve teorike për rrugën e zhvillimit të gjuhës së përbashkët letrare, çështje të përdorimit praktik të shqipes standarde dhe studimi i çështjeve teorike e praktike të formimit gjuhësor të shqiptarëve.
Vitet 90 të shekullit XX janë vite të shndërrimeve të mëdha në jetën kombëtare. Edhe për gjuhën standarde do të krijohen kushte të tjera zhvillimi. Dhe ky zhvillim nuk do të ecë në vijën e drejtë e me zgjerim të thjeshtë të mundësive shprehëse. Sidomos leksiku njohu një zhvillim të ndjeshëm: u pasurua nga shumë anë me fjalë të reja, me fjalë burimore, me kuptime e ngjyrimeve të reja të fjalëve të zakonshme, por përjetoi edhe një depërtim të madh të fjalëve të huaja, në të vërtetë u hetua prirja për një zhvillim të gjerë, jo pa ndikime edhe të dëmshme. I nxitur nga këto zhvillime të përshpejtuara të gjuhës letrare, prof. Idriz Ajeti vijon t’u sillet
problemeve të sotme të shqipes standarde, me theks të veçantë problemeve të kulturës gjuhësore, pa lënë anash asnjëherë ndikimet e huaja, sidomos ato nga serbokroatishtja.
Qortimet e prof. Idriz Ajetit drejtuar sidomos gazetarëve, por edhe të tjerëve, do të bëhen objekt i një vargu shkrimesh, kumtimesh e referimesh nëpër sesionet e tryezat shkencore e në intervista në shtypin e kohës, në të cilat dëshmohet se ai jo vetëm i njeh mirë problemet gjuhësore, problemet me të cilat ndeshet gjuha standarde shqipe, por njeh mirë edhe teoritë për formimin e gjuhëve letrare, e, rrjedhimisht, edhe historinë e formimit të shumë gjuhëve letrare në botë. Shkrimet e tij të kësaj kohe rrokin edhe çështje e aspekte të tjera të rëndësishme që lidhen, në radhë të parë, me formimin e gjuhës letrare shqipe, me vlerat e standardit të pranuar dhe me kundërshtimet e atykëtushme prej individësh të ndryshëm. Me këto shkrime mëtohet t’u jepet përgjigje të gjithë atyre që mendojnë se kombi shqiptar mund të ndjekë edhe rrugë të tjera të dallueshme nga shumica e kombeve të tjera me zhvillim e qytetërim më të hershëm. Në këtë kontekst shquan mendimi i drejtë i prof. Idriz Ajetit, i shprehur në një intervistë për Radio Tiranën më 1993: “Të prekësh sot në themelet e gjuhës sonë kombëtare do të thotë se shqiptarët në prag të shekullit 21 parapëlqejnë kthimin e rendit fisnor me një shumësi gjuhësh e bajraktarësh…”8 Prof. Idriz Ajeti e ka ditur mirë se sa e rëndësishme është gjuha në ndërtimin e identiteteve kulturore kombëtare. Kështu ka qenë për shumicën e popujve të tjerë dhe kështu duhet të ishte edhe për shqiptarët.
Por, koha e tranzicionit lëkundi shumëçka në rrafshin epërcaktimit të standardeve dhe të vlerave kombëtare. Në këtë kontekst shoqëria shqiptare u tregua e pa interesuar dhe e pa përkushtuar sa duhet në mbrojtjen e vlerave të përbashkëta shpirtërore, morale e materiale. Fatkeqësisht ndërroi edhe qëndrimi ndaj gjuhës së përbashkët letrare. Nderimi e vlerësimi për gjuhën u zëvendësua me prirje anarkiste e çorientuese. Mungesa e një politike gjuhësore institucionale ose mospërkrahja e kësaj politike nga institucionet e rëndësishme politikëbërëse u shfaqën me nxitjen e prirjeve të dëmshme për gjuhën e përbashkët dhe për kulturën gjuhësore. Filloi theksimi i dallimeve më shumë se i të përbashkëtave. Diskutimet prapakthyese për gjuhën i shërbyen e vijojnë t’i shërbejnë përgatitjes psikologjike për ndarje e veçime të ndryshme në rrafshin kombëtar. “Ç’është ajo palë intelektualësh shqiptarë, që pas ndryshimeve në shoqërinë shqiptare, e nxit, e shtyn edhe në fushën e kulturës, në lëmin e gjuhës së njësuar shqipe, të bëjnë rivlerësime, rishikime që, pranë gjuhës së sotme letrare shqipe, të vihet një gjuhë shemër? A ka ajo të meta të rendit gjuhësor apo dergjet nga ndonjë sëmundje tjetër?” – pyet prof. Idriz Ajeti dhe përgjigjet: “Do të jetë vështirë të merret e të rrëzohet godina e gjuhës sonë letrare”, sepse “në ngritjen e saj kanë marrë pjesë katër a pesë breza veprimtarësh specialistë e patriotë zelltarë shqiptarë e dijetarësh të huaj.”9 Prof. Idriz Ajeti në shkrime, në intervista e në paraqitje të ndryshme ngre zërin pandërprerë e fuqishëm, duke qenë në krye, kundër përpjekjeve veçuese, që po nxirrnin kokën çdo herë e më me forcë. Nga kjo pikëpamje, prof. Idriz Ajetin e ka shoqëruar dhe vijon ta shoqërojë vetëdija e lartë se bashkimi ynë gjuhësor përbën arritjen më të madhe në jetën kombëtare të shqiptarëve.
Drejtësia e mendimeve të prof. Idriz Ajetit për rëndësinë e një gjuhe të përbashkët për të gjithë shqiptarët provohet edhe në vitet që pasojnë, në fillimshekullin e ri 21, kur fuqizohen, fatkeqësisht, përpjekjet për ndarje gjuhësore midis shqiptarëve. Për prof. Idriz Ajetin “krijimi i gjuhës së përbashkët letrare do të shënonte një fitore jashtëzakonisht të madhe, do të thoshte se shqiptarët po shtinin në dorë mjetin kryesor në fushë të bashkimit shpirtëror me mundësi komunikimi me gjithë botën shqiptare.”10 Prandaj përpjekjet për ndryshime rrënjësore, për të janë më së paku papjekuri, sepse “Thonë se historia di të përsëritet – po, është e vërtetë, veçse ajo di të përsëdytet shumë më dramatike: me fatkeqësi, vuajtje, ngjarje të rënda që, në qoftë se rrotën e historisë nuk e kthejnë prapa, e ndalojnë me pasoja të rënda po se po.”11 Prof. Idriz Ajeti pyet: “Pas ndryshimeve në sistemin politik, shoqëror në shtetet më tërthore të Ballkanit… shqiptarët ku janë?” Dhe përgjigjet: “Gjithkund dhe kurrkund, sepse bashkë me kulturën e tyre po margjinalizohen, po kufizohen.12 “Si çdo gjuhë letrare bashkë me drejtshkrimin e saj, edhe kjo jona është rezultat i natyrshëm i proceseve të zhvilluara sidomos nga Rilindja e këtej…”13 dhe “është për t’u dënuar çdo përpjekje që bëhet për të vënë në dyshim formimin e mënyrën e pranimit dhe të përvetësimit të kësaj gjuhe.”14 Ndërkaq përgjigjja e tij që më 1980, për të gjithë ata që kundërshtojnë mënyrën e formimit të gjuhës letrare dhe që propagandojnë haptas ose me rezerva ndarjen gjuhësore të shqiptarëve është: “Natyrisht, pikëpamje e koncepte të tilla janë krejt konservative dhe reaksionare. Kjo palë studiuesish a ekspertësh mbajnë qëndrim kundërshtues jo pse nuk pajtohen me këtë apo atë normë letrare të një gjuhe, veçse ata nuk duan të njohin kurrfarë normëzimi të gjuhës, janë kundër çfarëdo zgjidhjeje të problemit të gjuhës letrare të kombit a të popullit të tyre.”15
Standardi i shqipes, i përcaktuar në Kongresin e Drejtshkrimit të vitit 1972, sipas prof. Idriz Ajetit është mbështetur në toskërishten letrare, por përfshin edhe elemente të strukturës fonetike, morfologjike e leksikore të gegërishtes. Nuk ishte vetëm vullneti politik ai që përcaktoi këtë standard. Edhe në rastin kur do të ishte vetëm ky vullnet përcaktues për zgjidhjen e paraqitur, nuk e zhvlerëson vendimin e Kongresit, sepse kështu ka ndodhur edhe në gjuhë të tjera. 16 Sipas prof. Idriz Ajetit nuk kanë qenë kohët e shoqërive demokratike as kur janë standardizuar shumica e gjuhëve standarde të botës. Duke njohur mirë dialektet e variantet letrare të shqipes, ai përveçon se ato zgjidhje, ato forma a trajta që i miratoi Kongresi i drejtshkrimit ishin përpunuar me kohë, shumë më përpara se të kodifikoheshin me rregullat e 67-së nga lëvrues, përpunues e zelltarë të shqipes 17 sikurse, duhet shtuar, edhe nga ata që e donin dhe e vlerësonin shqipen në gjerësinë e thellësinë e saj, që ia çmonin pasuritë e veta dialektore, që ia dinin mundësitë dhe që ia kuptonin prirjet për zhvillim.
Prof. Idriz Ajeti është i bindur se nuk ka asnjë formë superiore gjuhësore që nuk do të merrej për bazë të gjuhës së përbashkët: “Nga pikëpamja thjesht gjuhësore s’ka dialekt të një gjuhe që të mos të merret e të vihet në bazë të gjuhës letrare, të gjuhës së shkrimit të një populli.”18 Por janë faktorë të tjerë, faktorë të ndryshëm që mund të ndikojnë që në një kohë të caktuar një formë
të ketë epërsi e mundësi më të mëdha nyjëtimi e zhvillimi. Prandaj edhe ankesat që dëgjohen shpesh sot se standardi është i “sakatuar” pa paskajoren, sipas mendimit të prof. Idriz Ajetit, të shprehur shpesh në biseda e në kuvende shkencore, nuk janë të arsyeshme e as të drejta, sepse, duke qenë se standardi mbështetet në toskërishten, e cila nuk e ka paskajoren, e mbulon dhe e shpreh atë me mjete të tjera, prandaj ata që pretendojnë se standardi është më i varfër pa të, në të vërtetë shpërfaqin përpjekjet për të ndryshuar këtë standard.
Argumenti tjetër kundërshtues, që i vihet si barrë standardit të sotëm të shqipes, lidhet me leksikun, me “varfërinë” e tij, për arsye “të shmangies”, “të shpërfilljes” a “të mohimit” të gegërishtes. Me të drejtë na e risjell shpesh prof. Idriz Ajeti të vërtetën e pamohueshme se “përshkimet dhe ndikimet e ndërsjella, si dhe bashkëveprimi i të dy varianteve letrare të gjuhës shqipe, janë të një kohe më të hershme dhe asgjë më e natyrshme nuk ka mundur të ndodhë, pos që ky bashkëveprim dhe ndikim spontan e i ndërsjellë të përfundojë në bashkim të sanksionuar në një tërësi të përbashkët gjuhësore. Pikërisht për këtë arsye, është e papranueshme teza e disa fatalistëve, defetistëve dhe skeptikëve se, kinse gjuha e sotme letrare shqipe në një farë mënyre është bashkim artificial i elementeve dialektore të gjuhës shqipe, dua të them se ai na qenka variant letrar kryekëput toskë, e do të thosha se ky është një mashtrim i rëndë.”19
Siç e kemi dëgjuar shumë shpesh prof. Idriz Ajetin, ne që kemi pasur fatin e rastin t’i rrimë afër dhe të dëgjojmë argumentet e tij, dallimet ndërmjet dialekteve në strukturën fonetike ose
gramatikore të gjuhës mund të vërehen lehtë, por për leksikun puna qëndron krejt ndryshe. Përshtrirja gjeografike e leksikut, e fjalëve, e shprehjeve, e njësive frazeologjike, e kuptimeve dhe e nuancave, nuk e bën të lehtë përcaktimin dhe vendosjen e kufijve të prerë. Prandaj pohimi i kundërshtuesve të gjuhës standarde shqipe se gjuha standarde ka lënë jashtë një numër të madh të fjalëve të gegërishtes, nuk përkon me të vërtetën, sepse pjesa më e madhe, më kryesore dhe thelbësore e leksikut të gjuhës është e përbashkët për të dyja dialektet, ndërsa numri i fjalëve me burim thjesht dialektor është i papërfillshëm përballë fjalësit të përbashkët; madje shumë nga ato fjalë janë të burimit të huaj. Ky mendim, parimisht shumë i drejtë, mbështet atë që dihet
mirëfilli: se as fjalorët normativë, as fjalorët e mbarë gjuhës asnjëherë nuk arrijnë të përfshijnë gjithë pasurinë leksikore, frazeologjike e semantike, aq më pak kur dihet që fjalorët vjetrohen shpejt dhe asnjëherë nuk është e mundur të vilet e gjithë lënda leksikore e gjuhës. Duke tumirur mendimin e përgjithshëm, se përfshirja e leksikut dialektor në gjuhën standarde nuk varet
nga gjuhëtarët dhe nga hartuesit e fjalorëve, por nga përdoruesit e gjuhës, në radhë të parë nga shkrimtarët, gazetarët, publicistët, shkencëtarët e të tjerët, duhet theksuar që një ndalim a kufizim për përdorim të këtij fjalësi nuk është dekretuar në Kongresin e Drejtshkrimit. Në Kongres janë sanksionuar rregullat e drejtshkrimit dhe ato gramatikore. Në shqipen e shkruar nuk ngjan të jetë bërë ndonjëherë një sanksionim i tillë për leksikun, së paku në Kosovë nuk e kemi ndier një ndalim të tillë. Prandaj nuk mund të flitet për një përjashtim të qëllimshëm, aq më pak për një varfërim të paramenduar të gjuhës. Po të ishte e mundur të zbatoheshin vendime e qëndrime të tilla, do të kishim mbase edhe një përfitim, sepse do t’u vinim pengesë fjalëve të huaja të panevojshme dhe elementeve të tjera që shfytyrojnë natyrën e shqipes e që po hyjnë me shumicë sot në gjuhën tonë. Por, edhe kjo dukuri e hyrjes së fjalëve të huaja në shqipen e sotme tregon se fjala nuk njeh kufij e ndalesë, ndërsa shqipja ka nevojë për pasurim, sidomos për fushat terminologjike; kërkesat gjatë viteve janë përmbushur përsa i përket cilësisë dhe sasisë, pikërisht nga dialektet, rrjedhimisht edhe nga gegërishtja.
Prof. Ajeti e ka bërë të vetin mendimin se gjuha standarde shqipe nuk është e përsosur, por mund të bëhet e tillë, mund të bëhet mjeti më i vyer për ruajtjen e njësisë kombëtare: “Gjuha letrare s’është vetëm thesari i kulturës sonë, po edhe mjeti i fortë në mbrojtje të etnisë shqiptare.”21 Ky mendim është si një fill i fortë që përshkon gjithë veprimtarinë e tij në mbrojtje të gjuhës standarde shqipe. Më tej ai tërheq vëmendjen se u mbetet shkrimtarëve tanë dhe të tjerëve që përmes letërsisë të zgjerojnë kufijtë e fjalës dhe të semantikës shqipe, sepse çdo gjuhë standarde në parim është e hapur, përfshirëse e jo kufizuese, aq më pak përjashtuese: “Roli kryesor i shkrimtarëve tanë që i jep letërsisë artistike një vend nderi në procesin gjuhësor të kohës sonë, është se ata me artin e fjalës e kanë ngritur në përgjithësi gjuhën tonë letrare të sotme në shkallën e gjuhëve të përparuar të Evropës.”21
Veprimtaria e prof. Idriz Ajetit në Këshillin Ndërakademik për Gjuhën Shqipe, i themeluar në tetor 2004, shënon gjithashtu ndihmesa themelore, që dëshmojnë se ai jo vetëm s’është lëkundur nga qëndrimi për një gjuhë të përbashkët për shqiptarët, por përkundrazi, i qëndron bindjes së vet shkencore më i këmbëngulët se asnjëherë më parë. Prania e tij në këtë Këshill nuk ka vetëm karakter frymëzues, por edhe zgjidhjeofrues si mbrojtës i pakompromis, gjithnjë në mbështetje të parimeve të tij të larta shkencore, kulturore dhe kombëtare. Për një Këshill të tillë prof. Idriz Ajeti ka qenë përcaktuar tri dekada më parë.22 Edhe mbështetja që i ka dhënë e që vijon t’i japë Shoqatës së Gjuhës Shqipe të Kosovës, e themeluar disa vite më parë, si edhe të gjitha veprimtarive të tjera që lidhen me gjuhën standarde shqipe sot, e plotëson dhe e përforcon këtë pohim.
Për të gjitha këto arsye, këtë vlerësim për veprimtarinë e prof. Idriz Ajetit në fushën e gjuhës së sotme standarde shqipe, mund ta përmbyllim me mendimin se puna e tij e madhe dhe e
gjatë, në të mirë të gjuhës së përbashkët ka këtë kuptim: gjuha standarde për shqiptarët do të thotë ruajtje e identitetit kombëtar dhe ardhmëri e sigurt në kuadrin e ardhmërisë kaq të përbërë të qytetërimit botëror. Me gjuhën e përbashkët për të gjithë shqiptarët kudo janë më lehtë përballohet dinamizmi i zhvillimeve të mëdha shoqërore, ekonomike, teknologjike e kulturore.
Jeta e gjatë e kuptimplote e prof. Idriz Ajetit i dha jetëgjatësi edhe gjuhës standarde shqipe. Gjuha standarde shqipe pati dhe vijon ta ketë studiuesin e çmuar, dashamirësin e madh dhe mbrojtësin e fortë. Është dëshira jonë e sinqertë që ta përgëzojmë profesorin tonë të nderuar për jetën e tij kuptimplotë, të shprehim urimin që të ketë edhe më tej shumë vite të shëndetshme e të begatshme dhe ta falënderojmë për nxitjen e frymëzimin e pareshtur që na fal, që edhe ne të mundemi “të gërvishtim” pak në truallin e pasur të gjuhësisë shqiptare.
FUSNOTAT
1. “Idriz Ajeti, “Çështje të gjuhës letrare shqipe”, në “Studime gjuhësore në fushë të shqipes”, IV, “Rilindja”, Prishtinë 1989, f. 36.
2. Po aty, f.38.
3. Fadil Raka, “Historia e shqipes letrare”, Prishtinë 2005, f. 213; Rexhep Ismajli, Gjuhë standarde dhe histori identitetesh, Tiranë 2005, f. 152.
4. Fadil Raka, po aty, f. 215; Rexhep Ismajli, po aty, f. 187-190.
5. Idriz Ajeti, “Nazaliteti dhe rotacizmi në gjuhën shqipe”, “Përparimi”, Prishtinë 1957, f. 269-276; “Mbi disa drejtkuptime të foljeve”, “Rilindja”, Prishtinë 24.7.1958, f. 7; “Disa përemra vetorë”, “Rilindja”, Prishtinë 27.7.1958, f. 8; “Fjalët me prapashtesat sh (ç) dhe s (z), “Rilindja”, Prishtinë 14.6.1958, f. 6; “Drejtshkrimi i përemnavet dhe mbiemnavet pronorë”, “Rilindja”, Prishtinë 28.8.1958, f. 6, 7; “Sendersue apo sendorsue, “Rilindja”, Prishtinë 14. 11.1958, f. 9; “Mbiemnat”, “Rilindja”, Prishtinë 25.9.1058; “Diçka rreth përdorjes së kundrinës”, “Rilindja”, Prishtinë 4.11.1958, f. 9.
6. Idriz Ajeti punon si kryeredaktor i revistave “Recherche Albanologique”, Instituti Albanologjik; “Studime”, Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës; “Seminari”, Fakulteti Filologjik; “Studia humanistica”, Fakulteti Filologjik; “Gjuha shqipe”, Instituti Albanologjik, etj.
7. Rexhep Ismajli, po aty, f. 197.
8. Idriz Ajeti, “Gjuha letrare shqipe dhe fushata për ta rishikuar bazën themelore të saj”, “Vepra” 2, ASHAK, Prishtinë 1998, f. 202.
9. IdrizAjeti, “Rreth gjuhës letrare shqipe”, “Vepra” 4, ASHAK, Prishtinë 2001, f. 140.
10. Idriz Ajeti, “Toskërishtja dhe baza dialektore e gjuhës letrare”, “Gjuha jonë”, 1-4, Tiranë 1997, f. 29.
11. Idriz Ajeti, “Sami Frashëri në vijën e krijimit të gjuhës letrare shqipe”, “Vepra”, 2 ASHAK, Prishtinë 1998, f. 193.
12. Po aty, f. 194.
13. Idriz Ajeti, “Rreth gjuhës letrare shqipe”, “Vepra”, 4, ASHAK, Prishtinë, 2001, f. 137.
14. Idriz Ajeti, “Çështje të gjuhës letrare”, “Studime gjuhësore në fushë të shqipes”, IV, “Rilindja”, Prishtinë, 1989, f. 42.
15. Idriz Ajeti, “Probleme aktuale të kulturës së gjuhës”, në “Probleme aktuale të kulturës së gjuhës shqipe”, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 1980, f. 10.
16. Idriz Ajeti, “Shqipja standarde dhe shoqëria kosovare sot”, në “Konferenca shkencore – Shqipja standarde dhe shoqëria shqiptare sot”, Tiranë, 2003, f. 25-26.
17. Idriz Ajeti, po aty, f. 25-26.
18. Idriz Ajeti, “Shqipja normative – pengesë apo përparësi e kulturës shqiptare, “Vepra”, 4, ASHAK. Prishtinë, 2001, f. 146
19. Idriz Ajeti, “Çështje të gjuhës letrare shqipe”, “Studime gjuhësore në fushë të shqipes”, IV, Rilindja, Prishtinë, 1989, f. 41.
20. Idriz Ajeti, “Sami Frashëri në vijën e krijimit të gjuhës letrare shqipe”, në “Vepra”, 2, ASHAK, Prishtinë, 1998, f. 194.
21. Idriz Ajeti, “Letërsia shqipe dhe gjuha letrare” dhe “Rreth gjuhës letrare shqipe”, në “Vepra”, 2, ASHAK, Prishtinë 1998, f. 288.
22. Idriz Ajeti, “Probleme aktuale të kulturës së gjuhë”s, në “Probleme aktuale të kulturës së gjuhës shqipe”, Instituti Albanologjik, Prishtinë 1980, f. 21.
Shkruan Shefkije ISLAMAJ