Në manifestimin e mbajtur me rastin e Festës së Pavarësisë së Shqipërisë, më datën 29.11.2025 në Fully, Valais, morën pjesë mbi 300 persona, duke e bërë këtë ngjarje një ndër tubimet më të mëdha dhe më të suksesshme të komunitetit shqiptar në Zvicër. Kryetari i Shoqatës Humanitare “Medvegja”, Zymer Hajrullahu, i cili për katër vite me radhë ka treguar sukses të jashtëzakonshëm në organizime dhe aktivitete, përshëndeti të pranishmit dhe shprehu falënderimin e tij për pjesëmarrjen dhe mbështetjen e vazhdueshme. Shoqata Humanitare “Medvegja” po vazhdon me aktivitetet e saj të pandërprera, duke dëshmuar përkushtim dhe angazhim në ruajtjen e vlerave tona kombëtare. Shembull i këtij përkushtimi është vetë kryesia e shoqatës, e përbërë nga Kryetari Zymer Hajrullahu, Nënkryetarja Valbona Thaqi dhe Sekretarja Selvie Namani, të cilat edhe këtë herë u angazhuan maksimalisht, madje edhe në kuzhinë, duke përgatitur ushqime tradicionale shqiptare për të gjithë pjesëmarrësit, ashtu si çdo herë, për të krijuar një atmosferë të ngrohtë dhe të paharrueshme gjatë manifestimit. Për argëtimin e të pranishmëve u kujdesën artistët: Beni Baksi, Vjollca Haxhiu, sint: Gazi, si dhe SH.K.A “Medvegja”, të cilët e mbushën mbrëmjen me muzikë, emocion dhe atmosferë festive. Ndërkohë, Kryetari Hajrullahu falënderoi kryesinë e Shoqatës për punën dhe angazhimin e tyre të palodhshëm, duke vlerësuar kontributin e secilit në organizimin e këtij manifestimi të suksesshëm. Gjersisht nga Portali MEDVEGJASOT.com

FJALA PËRSHËNDETËSE E KRYETARIT TË SHOQATËS HUMANITARE “MEDVEGJA”, ZYMER HAJRULLAHU
Të nderuar të pranishëm,
Të nderuar zonja dhe zotërinj,
Mirëmbrëma të gjithëve dhe mirë se keni ardhur!
Kam nderin dhe respektin që, në emrin tim dhe të Shoqatës Humanitare Medvegja, t’ju uroj festën e 28 Nëntorit të gjithë shqiptarëve anë e mbanë botës – Ditën e Flamurit, Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë dhe ditën e kujtimit të heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu.
Kjo ditë është simbol i krenarisë, sakrificës dhe qëndresës sonë si popull.
Është dita kur, në vitin 1912, Ismail Qemali ngriti flamurin kuqezi në Vlorë dhe shpalli Shqipërinë e pavarur pas shekujsh pushtimi.
Por kjo ditë është njëkohësisht edhe ditë e lirisë dhe dinjitetit tonë kombëtar.
Festat e Nëntorit janë festat e krenarisë shqiptare. Kudo ku jetojnë shqiptarët, ata e festojnë 28 Nëntorin – Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, daljen e parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe ditëlindjen e Komandantit Legjendar Adem Jashari.
Ne jemi ndër popujt autoktonë më të rrallë që kemi mbijetuar nëpër shekuj me gjuhën dhe identitetin tonë të qartë.
Ne jemi popull që kur flasim për tolerancë ndërfetare, jemi shembull.
Ne jemi gegë e toskë, por mbi të gjitha shqiptarë, të bashkuar nga një gjuhë, një flamur dhe një ideal.
Në këtë ditë të shenjtë le ta mbajmë flamurin kuqezi me krenari – si simbol i së kaluarës sonë të lavdishme dhe i ëndrrave tona për një të ardhme më të mirë.
Le të punojmë të bashkuar që amaneti i heronjve tanë të mos shuhet kurrë dhe që brezave të ardhshëm t’u lëmë një komb më të fortë, më të bashkuar dhe më human.
Në emrin tim dhe të Shoqatës Humanitare Medvegja, dua t’i përcjell përshëndetjet më të përzemërta gjithë shqiptarëve me rastin e 113-vjetorit të Pavarësisë dhe Ditës së Flamurit.
Me dëshirën që gjithmonë të jetojmë të bashkuar, në harmoni me njëri-tjetrin, duke kujtuar me krenari të kaluarën, duke mbrojtur të tashmen dhe duke ndërtuar të ardhmen.
Faleminderit për mbështetjen tuaj!
Me respekt,
Kryetari i Shoqatës Humanitare “Medvegja”
Zymer Hajrullahu

