Nëntori në Luginë: Jehon kënga Besa-Besë në Bujanoc – Mbi 3,500 pjesëmarrës në aktivitetet kulturore shqiptare

Për herë të parë, Këshilli Kombëtar Shqiptar në Serbi, me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit të Shqipërisë dhe nën kujdesin e Ambasadës së Shqipërisë në Beograd, po organizon një seri aktivitetesh kulturore, artistike dhe identitare në Preshevë, Bujanoc, Medvegjë dhe Sanxhak, me rastin e festave të Nëntorit.

Salla në Bujanoc të Luginës së Preshevës jehoi nga kënga “Besa-Besë”, e interpretuar nga nxënësit e shkollës fillore “Naim Frashëri”, të cilët bashkuan zërat me publikun në kuadër të programit kulturor “Nëntor Lugine”, të mbështetur nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit të Shqipërisë.

Mbi 607 artistë dhe krijues u angazhuan në aktivitetet festive, ndërsa më shumë se 3,500 pjesëmarrës – të rinj, nxënës, komuniteti vendas dhe artdashës – u bashkuan për të festuar identitetin dhe kulturën shqiptare në Luginë.

Kjo nismë kulturore vjen menjëherë pas nënshkrimit të memorandumit të bashkëpunimit në shtator, si dhe pas vizitave zyrtare të zhvilluara këtë vit në Luginën e Preshevës, të ndërmarra nën kujdesin e veçantë të Kryeministrit Edi Rama. Gjatë këtyre vizitave është thelluar dialogu me komunitetin shqiptar, institucionet lokale dhe të rinjtë që mbajnë gjallë gjuhën, kulturën dhe identitetin kombëtar.

MTKS dhe institucionet e saj mbeten të përkushtuara për të forcuar bashkëpunimin me Preshevën dhe gjithë Luginën, duke mbështetur nisma kulturore, panaire librash, artistë të rinj, aktivitete komunitare dhe çdo përpjekje që synon ruajtjen, zhvillimin dhe promovimin e identitetit shqiptar.

Festojmë bashkë, kudo që jemi!

Këshilli Kombëtar Shqiptar

Ka shkruar në Facebook: Blendi Gonxhja, Ministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit në Republikën e Shqipërisë

Transmeton: MEDVEGJASOT.com