Me datë 25 tetor 2025, në ora 12:00, në Institutin Albanologjik të Kosovës në Prishtinë, u mbajt Veprimtaria Atdhetare me temën “Bashkimi Kombëtar Shqiptar”, e organizuar nga Kuvendi Kombëtar Shqiptar – USHC, në bashkëpunim me organizatën “Shqiptaria”, Organizatat e Luftës në Kosovë dhe Familjet e Mëdha të Kosovës. Në këtë ngjarje të rëndësishme kombëtare morën pjesë përfaqësues të Shoqërisë Shqiptare nga të gjitha trojet shqiptare dhe mërgata, të cilët shprehën vullnetin e tyre të përbashkët për Bashkim Kombëtar Shqiptar. Moderatorja e veprimtarisë ishte Majlinda Shaqiri, ndërsa programi përfshiu pritjen e pjesëmarrësve, shpërndarjen e librit “Bashkimi Kombëtar Shqiptar”, diskutime, fjalime dhe interpretime artistike. Në panelin drejtues morën pjesë personalitete të njohura si Dashamir Uruçi – koordinator i KKSH për Shqipërinë, Zymer Neziri dhe Arbëreshë Berisha – për Kosovën, Mehmet Prishtina – përfaqësues i Familjeve të Mëdha të Kosovës, Nijazi Gashi – përfaqësues i intelektualëve e patriotëve shqiptarë, Agim Krasniqi – anëtar i grupit përgatitor të librit “Bashkimi Kombëtar Shqiptar”, si dhe Jakup Reka, Zylfie Duraku, Nurie Baduni, Linda Shaqiri, Antoneta Nushi dhe Lefteri Metkaj, përfaqësues të KKSH nga trojet shqiptare dhe mërgata. Veprimtaria filloi me Himnin Kombëtar, të cilin e udhëhoqi Majlinda Shaqiri, pasuar nga fjala e z. Dashamir Uruçi, i cili në emër të përfaqësuesve të Shoqërisë Shqiptare dhe të KKSH shpalli publikisht dëshirën dhe vullnetin e popullit për Bashkim Kombëtar Shqiptar. Z. Nijazi Gashi lexoi Kërkesën e Popullit Shqiptar për Bashkim Kombëtar, drejtuar institucioneve ndërkombëtare, ndërsa z. Agim Krasniqi foli rreth përmbajtjes dhe rëndësisë së librit “Bashkimi Kombëtar Shqiptar”. Veprimtaria u pasurua me përshëndetje nga personalitete të ndryshme të jetës kombëtare, si Jakup Reka, Prof. Dr. Hakif Bajrami, Prof. Rexhep Abazi dhe Ismet Azizi, të cilët theksuan rëndësinë e unitetit dhe bashkimit mbarëkombëtar. Artisti Jahja Shehu përshëndeti të pranishmit me një poezi kushtuar atdheut, duke sjellë emocione të veçanta patriotike, ndërsa programi u mbyll nga znj. Lefteri Metkaj, koordinatore e KKSH për Greqinë, e cila falënderoi të gjithë pjesëmarrësit dhe organizatorët për përkushtimin e tyre në këtë ngjarje historike. Veprimtaria “Bashkimi Kombëtar Shqiptar” u zhvillua në një frymë uniteti e dashurie për atdheun, duke përcjellë mesazhin se bashkimi mbetet aspirata më e lartë e shqiptarëve kudo që janë. Edhe pse numri i pjesëmarrësve dhe i atyre që dëshironin ta përshëndesnin ishte shumë i madh, koha e kufizuar nuk lejoi përfshirjen e të gjithëve, gjë që tregon interesimin dhe përkushtimin e jashtëzakonshëm për çështjen kombëtare shqiptare.
Shkruan Rrahman Hyseni

