NË PRESHEVË U MBAJT KONFERENCA SHKENCORE PËR PERSONALITETE DHE FIGURA ME VLERA KOMBËTARE

Në datat 25 dhe 26 tetor, në Preshevë u zhvillua Konferenca Shkencore e organizuar nga Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore Preshevë, me temën: “Personalitete dhe figura me vlera shkencore e kulturore shqiptare nga Lugina e Preshevës dhe viset e tjera shqiptare”.

Ky aktivitet shkencor, që u zhvillua në një atmosferë të denjë akademike, kishte për qëllim promovimin e identitetit, kulturës dhe trashëgimisë kombëtare shqiptare, duke evidentuar figurat e shquara të albanologjisë, etnoarkeologjisë, letërsisë, folklorit e kulturës nga të gjitha trevat shqiptare.

Në konferencë morën pjesë studiues, akademikë dhe profesorë nga Presheva, Medvegja, Bujanoci, Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe diaspora.

Ngjarja u nderua me praninë e Ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në Serbi, z. Bardhyl Canaj, Shefit të Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Serbi, z. Jetish Jashari, Kryetarit të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve, z. Enkel Rexhepi, si dhe Kryetares së Komunës së Preshevës, znj. Ardita Sinani.

Kryetari i Shoqatës për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore Preshevë, z. Xhemaledin Salihu, dhe Kryetari i Kuvendit të Shoqatës, z. Shpejtim Memishi, u vlerësuan për kontributin e tyre në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë shpirtërore e kulturore të Luginës së Preshevës, duke bashkuar studiues e përfaqësues nga mbarë hapësira shqiptare.

Konferenca u cilësua si një ngjarje e rëndësishme shkencore e kombëtare, që thellon lidhjet kulturore dhe nxit frymën e bashkëpunimit në fushën e studimeve shqiptare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *