RRAHIM TERNAVA – KANDIDAT PËR KRYETAR TË KOMUNËS SË FUSHË KOSOVËS

Rrahim Ternava, kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryetar të Komunës së Fushë Kosovës me numrin 191, ka prezantuar programin e tij zgjedhor duke u zotuar për një sërë projektesh të mëdha zhvillimore. Në mesin e tyre, ai ka paralajmëruar ndërtimin e sheshit më të madh në Kosovë, me gjatësi prej 1 kilometri e 340 metrash, që do të shtrihet nga rrethi deri në dalje të Fushë-Kosovës, i cili sipas tij do t’i japë qytetit një identitet të ri dhe modern.

Programi i Tënavës përfshin zhvillimin e infrastrukturës moderne, përmirësimin e cilësisë së arsimit, shëndetësisë së sigurt, si dhe avancimin e kulturës, sportit dhe bujqësisë, me synim që Fushë Kosova të bëhet një qytet shembull për gjithë vendin. Ai ka theksuar se prioritetet e para të mandatit të tij do të jenë trafiku dhe ambienti, ndërkohë që ka prezantuar disa shtylla kryesore për zhvillimin e qytetit.

Një nga projektet konkrete është mbështetja e 200 bizneseve të reja (start-up), që do të financohen nga Komuna dhe do të jenë të dedikuara për gratë e Fushë Kosovës, duke synuar fuqizimin ekonomik të tyre dhe krijimin e vendeve të reja të punës. Sipas tij, fuqizimi i grave është zhvillim për qytetin, prandaj barazia gjinore do të jetë prioritet i këtij programi. Në këtë kuadër, Tënava ka premtuar që 40–50% e vendeve në vendimmarrje do t’u takojnë grave, duke u dhënë atyre rolin e merituar në zhvillimin e komunës.

Një tjetër pikë e programit është themelimi i një qendre për gratë viktima, e cila do të ofrojë mbështetje profesionale, siguri dhe mundësi për një jetë më të mirë, si dhe një zyre të posaçme për barazinë gjinore që do të jetë në shërbim të grave dhe vajzave të Fushë Kosovës.

Në anën tjetër, Tënava ka paraqitur edhe një projekt urbanistik pranë stacionit të trenit, ku planifikohet ndërtimi i një hapësire moderne dhe të gjelbër për pushim, shoqëri dhe aktivitete familjare, e cila sipas tij do të gjallërojë jetën publike dhe ekonomike të qytetit.

Ai është shprehur i bindur se më 12 tetor do të marrë besimin e qytetarëve dhe se vizioni i tij do ta kthejë Fushë Kosovën në një komunë model, ku gratë do të kenë një rol të veçantë në vendimmarrje dhe në proceset e zhvillimit.

#PDK191 #MaMire