HAVA BEKTESHI – QIFTELIA QË PREKU ZEMRËN E HAMBURGUT

Prezantimi i qiftelisë në sallën madhështore të Elbphilharmonie në Hamburg bëri jehonë të madhe në mediat gjermane, duke hapur një kapitull të ri suksesi për muzikanten shqiptare Hava Bekteshi. Ky moment u shndërrua në një urë lidhëse mes traditës shqiptare dhe artit muzikor ndërkombëtar, duke e bërë qiftelinë – simbol të identitetit kombëtar – pjesë të skenës më prestigjioze të Gjermanisë.

Më 25 maj 2019, në Elbphilharmonie të Hamburgut, për herë të parë në histori tingujt e qiftelisë u dëgjuan në sallën e madhe me këngën shqipe “Tingëllon Teli i Çiftelisë”, përpara një publiku prej 2100 vetash. Performanca u prit me duartrokitje të fuqishme dhe mori vëmendje të gjerë nga mediat gjermane, ndërsa për Hava Bekteshin u realizua edhe një portret i posaçëm nga televizioni gjerman RTL-Nord.

Sot, ajo është pjesë e korit të Elbphilharmonie, ku bashkon tingujt e muzikës tradicionale shqiptare me orkestrën më të njohur të qytetit të Hamburgut. Ky integrim i veçantë artistik dëshmon fuqinë e traditës për të kaluar kufij dhe për të fituar vlerë universale.

Historia e saj është e lidhur ngushtë me rrënjët familjare dhe me diasporën shqiptare në Gjermani. Babai i saj emigroi në Gjermani që në vitin 1967, ndërsa që nga viti 1993 familja Bekteshi jeton në Hamburg. Hava është një personalitet i kompletuar: përveçse muzikante dhe mësuese e gjuhës gjermane, ajo është edhe ekonomiste e diplomuar në Fakultetin e Hamburgut, duke dëshmuar një formim të gjerë akademik dhe profesional.

Tingujt e çiftelisë së saj kanë kaluar kufijtë e Gjermanisë, duke u bërë pjesë e kolonës zanore të serialit turk “Çukur”. Në vitin 2016, ajo mori pjesë në La Biennale di Venezia në edicionin “Performing Architecture”, duke sjellë traditën shqiptare në një ndër ngjarjet më të njohura kulturore të botës.

Më 12 gusht 2023, qiftelia e saj u dëgjua edhe në Konzerthaus-Berlin, në kuadër të festivalit botëror “Young Euro Classic”, në bashkëpunim me Western Balkan Youth Orchestra. Performanca mori shumë vëmendje nga mediat gjermane dhe u shoqërua me një intervistë ekskluzive për radion prestigjioze “Deutschlandfunk Kultur”, një nga radiostacionet më të mëdha në Gjermani.

Figura e Hava Bekteshit është një shembull frymëzues i fuqisë së pasionit, i qëndrueshmërisë së traditës dhe i artit që bashkon kultura të ndryshme. Ajo dëshmon se muzika nuk njeh kufij – ajo vetëm pasuron shpirtin e njerëzimit.

Punim i shkruar nga shkrimtari i shumë veprave të botuara, opinionist dhe autor i dy katalogëve mbi veshjen tradicionale të Medvegjës, është edhe autor i librave “Shqiptarët e Medvegjës nëpër shekuj” – vëllimi 1 dhe 2, Rrahman Hyseni