ODA E GËRBACIT NË MIRADI TË ULËT – NJË MUZE QË MBAN GJALLË SHPIRTIN E TRADITËS

Në Miradi të Ulët të Fushë-Kosovës, aty ku frymon ende gjurmë e zakoneve të lashta shqiptare, qëndron një thesar i veçantë kulturor – Oda e Gërbacit. Ajo nuk është thjesht një dhomë e mbushur me orendi e objekte të vjetra, por një muze i gjallë, ku historia dhe tradita bashkëjetojnë me ditët tona.

Këtë pasuri e ka ngritur dhe e ruan me përkushtim Hyzer Beka, një njeri që i ka kushtuar jetën trashëgimisë shpirtërore dhe materiale të kombit. Me shumë dashuri ai ka mbledhur për dekada të tëra armë të vjetra, vegla pune, veshje popullore, fotografi, instrumente muzikore dhe dhjetëra objekte të tjera të rralla, të cilat sot e bëjnë Odën një vend unik në hartën kulturore të Kosovës.

“Oda për shqiptarët ka qenë gjithmonë më shumë se një dhomë. Këtu janë marrë vendime, është kënduar e janë treguar histori, është ndarë buka dhe është ruajtur fjala e dhënë. Ishte shkollë e burrërisë dhe e besës,” thotë Hyzer Beka, ndërsa me krenari shpalos koleksionin e tij para vizitorëve.

Hapësira e brendshme e Odës të lë pa fjalë: muret e mbuluara me vegla të lashta, pushkë e jataganë, lahuta e çifteli, rroba tradicionale dhe sende të përditshmërisë së dikurshme, që i japin vizitorit ndjesinë sikur ka hyrë në një botë tjetër – atë të paraardhësve tanë.

Oda e Gërbacit nuk është vetëm për të parë, por edhe për të ndjerë. Shumë grupe shkollash, studentësh e studiuesish e vizitojnë për të mësuar nga afër mbi traditën dhe mënyrën e jetesës së shqiptarëve ndër shekuj. Ajo shërben si një urë midis brezave, duke u kujtuar të rinjve se rrënjët nuk duhen harruar.

Në një kohë kur globalizimi po tenton të zbehë ngjyrat e kulturave të vogla, Oda e Gërbacit mbetet një mburojë e identitetit tonë kombëtar. Ajo është dëshmi se dashuria për trashëgiminë dhe puna e palodhur e një individi si Hyzer Beka mund të bëjë diferencën për ta ruajtur të gjallë kujtesën shqiptare.

Punim i shkruar nga shkrimtari i shumë veprave të botuara, opinionist dhe autor i dy katalogëve mbi veshjen tradicionale të Medvegjës, është edhe autor i librave “Shqiptarët e Medvegjës nëpër shekuj” – vëllimi 1 dhe 2, Rrahman Hyseni