“ODA E DUKATIT” – VENDTAKIMI I ZEMRAVE SHQIPTARE NGA MEDVEGJA

Mbrëmjen e 3 janarit 2024, “Oda e Dukatit” në Fushë Kosovë, e udhëhequr me dashuri për traditën nga pronari Asllan Arifi, u mbush me zëra, tinguj e emocione që vijnë nga thellësia e shpirtit shqiptar. Aty, bashkatdhetarët nga Medvegja u mblodhën për të çmallur njëri-tjetrin, për të ndjerë për pak orë aromën e odave të vjetra shqiptare – atyre dhomave ku burrat ulen këmbëkryq rreth sofrës, ku fjala është e rëndë si guri dhe kënga shpërthen e pastër nga tingujt e çiftelisë.

Në atë mbrëmje, oda nuk ishte thjesht një vendtakim. Ajo u bë një urë mes së shkuarës dhe së tashmes, një dritare ku u shfaqën kujtimet e vendlindjes, malet, fshatrat dhe zërat e atyre që kanë lënë gjurmë në historinë tonë. Ishte një rikthim i identitetit – i atij identiteti që Medvegja e ka ruajtur me sakrifica ndër shekuj, përballë stuhive të padrejtësive dhe shpërnguljeve të dhunshme.

Në sofrën e “Odës së Dukatit” nuk kishte vetëm ushqim për trupin, por edhe ushqim për shpirtin: fjalë zemre, urime të sinqerta, kujtime që nuk plaken dhe këngë që bartin historinë. Çiftelia kumbonte njësoj si dikur në odat e fshatit, duke zgjuar mallin për vendlindjen, e duke forcuar ndjesinë se, pavarësisht distancës, ne jemi një – një gjak, një gjuhë, një flamur.

Këto mbrëmje nuk janë thjesht argëtim. Ato janë një akt rezistence kulturore, një dëshmi e gjallë se tradita shqiptare nuk shuhet, por vazhdon të jetojë në zemrat e njerëzve që nuk harrojnë rrënjët e tyre. Në kohë kur globalizimi kërcënon të fshijë dallimet, “Oda e Dukatit” është një kështjellë e vogël e kulturës sonë kombëtare, ku fjala “bashkë” merr kuptim të plotë.

Urime pronarit Asllan Arifi për këtë iniciativë fisnike! Le të jetë ky shembull frymëzim për mërgatën shqiptare kudo që ndodhet – të mbajë gjallë gjuhën, këngën, zakonet dhe krenarinë e të qenit shqiptar.

Sot, më shumë se kurrë, diaspora e Medvegjës duhet të jetë e bashkuar – të ruajë lidhjet me vendlindjen, të mbështesë iniciativat kulturore, të ndihmojë familjet dhe të kontribuojë për ruajtjen e identitetit tonë kombëtar. Një komb që mban gjallë historinë dhe traditën e vet, është një komb që nuk mund të mposhtet kurrë!

Punim i shkruar nga shkrimtari i shumë veprave të botuara, opinionist dhe autor i dy katalogëve mbi veshjen tradicionale të Medvegjës, është edhe autor i librave “Shqiptarët e Medvegjës nëpër shekuj” – vëllimi 1 dhe 2, Rrahman Hyseni