Në zemër të fshatit Siarinë të Medvegjës, ku frymon ende shpirt i lashtë shqiptar, gjendet një vend që nuk është thjesht një hapësirë e zakonshme, por një vatër e shenjtë e kulturës e trashëgimisë sonë kombëtare – Oda e Babës. Kjo odë, nën përkujdesjen e pronarit dhe mikpritësit të saj, Selim Zeka, ka marrë kuptimin e plotë të një shkolle jete, një muzeu të gjallë dhe një shtëpie të hapur për të gjithë ata që e duan dhe e respektojnë kulturën shqiptare.
Tradita shqiptare e odës është ndër më të vjetrat dhe më fisniket. Në to janë marrë vendime të rëndësishme, janë kënduar këngë burrërore, janë treguar histori të luftërave dhe sakrificave, është ndarë buka e mikut dhe është ruajtur besa e dhënë. Oda e Babës në Siarinë, e ngritur me kujdes nga Selim Zeka, vazhdon ta mbajë të gjallë këtë traditë duke e kthyer në një vend ku historia takohet me të tashmen.
Selim Zeka, si pronar dhe ruajtës i kësaj trashëgimie, ka bërë më shumë se sa të ruajë një hapësirë – ai ka ruajtur një filozofi jete shqiptare. Me mikpritjen e tij tradicionale, ai e ka shndërruar Odën e Babës në një vend ku ndihen të barabartë miqtë, fqinjët, bashkëfshatarët, mysafirët nga trevat shqiptare dhe diaspora. Çdo vizitë aty është një rikthim në rrënjë, një kujtesë e fortë se kush jemi dhe prej nga vijmë.
Në kohë moderne, ku globalizimi shpesh e kërcënon zhdukjen e zakoneve të lashta, Oda e Babës në Siarinë të Medvegjës qëndron si një mburojë e identitetit shqiptar. Ajo është një ftesë për të rinjtë që të njihen me trashëgiminë e tyre, për studiuesit që të dokumentojnë e pasqyrojnë historinë, dhe për të gjithë shqiptarët që të ndihen krenarë me atë që na ka mbajtur gjallë ndër shekuj: kultura dhe tradita.
“Ju ngjatë jeta të gjithëve nga Oda e Babës” nuk është vetëm një përshëndetje. Është një urim, një bekim dhe një amanet që ky vend të mbetet gjithmonë vatër e ngrohtë e bashkimit kombëtar.
Punim i shkruar nga shkrimtari i shumë veprave të botuara, opinionist dhe autor i dy katalogëve mbi veshjen tradicionale të Medvegjës, është edhe autor i librave “Shqiptarët e Medvegjës nëpër shekuj” – vëllimi 1 dhe 2, Rrahman Hyseni