Shqiptarët po fshihen nga regjistrat, po zhduken nga statistikat dhe po përjashtohen nga e ardhmja e trojeve të tyre.
Medvegja, kjo trevë e lashtë shqiptare në zemër të Luginës, po përjeton një formë të re të spastrimit etnik – një luftë pa krisma, por me vula dhe vendime administrative. Pasivizimi është procesi përmes të cilit autoritetet serbe ua fshijnë shqiptarëve adresën nga regjistrat civilë, duke i bërë “juridikisht të padukshëm” në vendin e tyre.
Pasivizimi nuk është thjesht një procedurë teknike. Ai është një strategji e planifikuar për të ulur numrin e shqiptarëve në census, për t’ua marrë të drejtën e votës, për t’ua pamundësuar shërbimet shëndetësore, pensionet, regjistrimin e pronave dhe dokumentet e identitetit. Me një nënshkrim, një familje e tërë humbet të drejtat themelore dhe del jashtë sistemit.
Shumë fshatra të Medvegjës në letra duken gati të zbrazura, ndonëse shtëpitë janë aty dhe familjet kthehen rregullisht. Qëllimi është i qartë: ndryshimi i strukturës etnike dhe shuarja e pranisë shqiptare.
Ky proces është spa strim etnik i heshtur, i cili nuk tërheq titujt e lajmeve ndërkombëtare si luftërat, por është po aq i rrezikshëm – madje më i rrezikshëm, sepse ndodh në heshtje.
Shqiptarët e Medvegjës kanë ngritur zërin me protesta, peticione dhe apelime në institucionet ndërkombëtare, por reagimi është ende i vakët. Çdo vit, qindra adresa shqiptare “shuhen” nga regjistrat.
Pasivizimi nuk është një problem lokal – është një çështje kombëtare. Humbja e Medvegjës në dokumente është hapi i parë drejt humbjes në realitet.
“Nëse nuk e ndalim sot, nesër do të jetë vonë.”
Punim i shkruar nga shkrimtari i shumë veprave të botuara, opinionist dhe autor i dy katalogëve mbi veshjen tradicionale të Medvegjës, është edhe autor i librave “Shqiptarët e Medvegjës nëpër shekuj” – vëllimi 1 dhe 2, Rrahman Hyseni