Njerëzit pozitivë dhe negativë – kush po e mban gjallë shoqërinë?

Si mund të heshtë dikush përballë padrejtësive që po ndodhin çdo ditë ndaj shqiptarëve të Medvegjës? Si mund të mos marrë pjesë as në një protestë, 29 Tetor 2023 – Prishtinë – Kuvendi Kombëtar Shqiptar – 12 Gusht 2024 – Bujanoc – KKSH – 12 Gusht 2024 – Preshevë – KKSH – 03 Nëntor 2024 – Medvegjë – KKSH, as në një aktivitet kulturor, sportiv apo kombëtar që synon bashkimin, informimin dhe ruajtjen e identitetit tonë kombëtar të organizuar – SHHMZ. Nuk e kemi parë as në manifestime si 1 Maji në fshatin Tupallë, as në festën e diasporë në Banjë të Siarinës as në humanizëm – askund. Ndërkohë, kërkohen ide e zgjidhje nga ata që nuk kanë lëvizur asnjëherë një gisht. Edhe kënga, edhe vallja, edhe ndihma, edhe ndërtimi i një shtëpie, edhe ruajtja e një cope toke – janë identitet, janë rezistencë. T’i mohosh këto, është t’i mohosh vetes të drejtën për të ekzistuar si shqiptar në tokën tënde.

Në çdo lagje, në çdo kafe e në çdo tryezë bisedash, i gjen të dy: ata që frymojnë jetë dhe ata që ta thithin frymën. Një pjesë të japin motivim, pjesa tjetër të japin dhimbje koke – shpesh para se të mbarosh kafen.

Pozitivët – “oksigjeni” i shoqërisë

Këta nuk kanë “sekrete të mëdha”, thjesht dinë të jetojnë duke mos u marrë me jetën e tjetrit. Janë ata që kur të takojnë të pyesin “si je?” dhe presin vërtet përgjigje, jo vetëm për formë.
Nuk kanë problem të të duartrokasin suksesin.
Ta thonë fjalën e mirë pa zili.
Kur bie, nuk të shkelin – të japin dorën.
Pozitivët nuk bëjnë zhurmë të madhe, por mungesa e tyre ndihet shumë.

Negativët – “vrimë e zezë” emocionale

Nuk është e nevojshme t’i prezantosh: i njeh nga larg.
Janë kronikë e përhershme e lajmeve të këqija.
Çdo gjë e kthejnë në garë: kush e ka më keq, kush e di më shumë, kush i ka parë gjërat “që nga brenda”.
E matin suksesin e tyre me dështimin e tjetrit. Negativët kanë aftësinë të ndotin atmosferën më shpejt se ç’të prish frigoriferi. Një fjalë e vetme prej tyre mjafton të të kujtojë pse nuk duhet t’u japësh shumë hapësirë në jetën tënde.

Zgjedhja është jote

Nuk mund t’i zhdukësh negativët – janë pjesë e paketës “jetë shoqërore”. Por mund t’i filtrash, siç filtron lajmet false nga ato të vërtetat. Sepse në fund, ajo që mbillet rreth teje, është ajo që do të mbledhësh nesër.

Punim i shkruar nga shkrimtari i shumë veprave të botuara, opinionist dhe autor i dy katalogëve mbi veshjen tradicionale të Medvegjës, është edhe autor i librave “Shqiptarët e Medvegjës nëpër shekuj” – vëllimi 1 dhe 2, Rrahman Hyseni.