Edicioni i 25-të i Festivalit të Folklorit “Anadrinia Jehon” është përmbyllur me sukses, duke dëshmuar përkushtimin dhe bashkëpunimin e këshillit organizues, banorëve të fshatit Dejnë, institucioneve lokale, ekipit të QKMF “Dr. Fahredin Hoti”, Policisë së Kosovës, sigurimit fizik, njësisë së zjarrfikësve, medieve dhe publikut, të cilët kontribuuan në realizimin e këtij aktiviteti kulturor me rëndësi kombëtare.
Ky edicion jubilar konfirmoi konsolidimin e festivalit si një nga ngjarjet e rëndësishme në promovimin e kulturës dhe folklorit shqiptar. Pjesëmarrja e 17 grupeve artistike nga treva të ndryshme shqiptare dëshmoi vlerën dhe jehonën që festivali ka fituar ndër vite.
Juria profesionale, e përbërë nga profesorë dhe ekspertë të fushës së koreografisë, etnomuzikologjisë dhe muzikës, vlerësoi paraqitjet artistike të pjesëmarrësve, duke theksuar nivelin e kënaqshëm të prezantimeve dhe seriozitetin e grupeve konkurruese.
Fitues i vendit të parë u shpall Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Gurra” nga Kurbini, vendi i dytë i takoi Ansamblit të Këngëve dhe Valleve “Kastriotët” nga Ferizaji, ndërsa vendi i tretë iu nda Ansamblit të Këngëve dhe Valleve “Bajram Curri” nga Prishtina.
Çmimi “MUHAMET MALËSORI” iu nda Rilind Krasniqit nga Shtimja, ndërsa çmimi special “JAVA E DËSHMORËVE” iu akordua Ansamblit të Këngëve dhe Valleve “Deçani”.
Në kuadër të këtij edicioni jubilar, me çmime, medalje dhe mirënjohje u nderuan gjithashtu individë, grupe pjesëmarrëse dhe donatorë për kontributin e tyre në organizimin dhe zhvillimin e festivalit.
Festivali “Anadrinia Jehon” vazhdon të mbetet një platformë e rëndësishme për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore shqiptare, duke bashkuar artistë dhe adhurues të folklorit nga të gjitha trojet shqiptare. / MEDVEGJASOT.com

