Në trojet ku historia shpesh është shkruar me sakrificë, fjala e vërtetë bëhet dëshmi, ndërsa kujtesa kthehet në amanet. Në Medvegjë, aty ku drita e dijes është mbajtur gjallë me përkushtim brezash, rrëfimi për shkollën shqipe nuk është thjesht histori – është identitet, është qëndresë, është krenari kombëtare.
Portali MEDVEGJASOT.com është i vetmi që për plot 13 vite ka dokumentuar dhe prezantuar me përkushtim fillimet e arsimit shqip në këtë trevë. Nga shkolla e parë në Gërbac, në Kapit, Tupallë, Sfircë, Gjylekreshtë, Banjë e Vjetër, Ramabajë, Siarinë, në Banjë të Siarinës e në vetë Medvegjën – çdo hap i këtij rrugëtimi është sjellë me fakte, me vite, me objekte shkollore dhe me emrat e mësuesve të parë që mbollën dritën e dijes.
Po ashtu, ky portal ka pasqyruar edhe të gjitha shkollat e reja deri në ditët e sotme, duke qenë një arkiv i gjallë i arsimit shqip në Medvegjë. Ai mbetet i vetmi që ka shkruar dhe publikuar të gjithë emrat e mësimdhënësve shqiptarë, nga fillesat e deri më sot – një punë e rrallë dhe me vlerë të jashtëzakonshme kombëtare.
Kjo nuk është thënë për lavdi, por për të vërtetën. Dhe kjo e vërtetë duhet ta dijë çdo lexues.
Rruga nuk ka qenë e lehtë. Ka qenë e mbushur me sfida, me mund e sakrificë. Por pikërisht kjo e bën edhe më të madhe krenarinë tonë – krenarinë për gjuhën, për dijen dhe për qenien shqiptare që nuk u shua kurrë.
Foto: Shkolla Fillore në fshatin Gjylekreshtë.
Të gjitha këto të dhëna janë marrë nga libri i shkrimtarit Rrahman Hyseni, “Shqiptarët e Medvegjës A-ZH” ( Monografi ).

