Dita e Mësuesit është një festë e veçantë që u kushtohet të gjithë mësuesve dhe personelit edukues të shkollave dhe universiteteve. Në Shqipëri kjo ditë shënohet çdo vit më 7 mars, në kujtim të hapjes së shkollës së parë shqipe.

Në mars të vitit 1887, në qytetin e Korçë u hap mësonjëtorja e parë shqipe, një ngjarje me rëndësi të jashtëzakonshme për historinë dhe kulturën shqiptare. Mësues dhe drejtor i parë i saj ishte patrioti dhe veprimtari i shquar Pandeli Sotiri. Hapja e kësaj shkolle ishte një fitore e madhe për popullin shqiptar, pasi deri në atë kohë mësimi i gjuhës shqipe zhvillohej fshehurazi nëpër shtëpi për shkak të ndalimeve gjatë sundimit osman.
Edhe pse në kushte shumë të vështira dhe nën presion të vazhdueshëm, mësonjëtorja e Korçës qëndroi e hapur për gati 20 vjet. Në drejtimin dhe zhvillimin e saj kontribuan figura të njohura të Rilindjes Kombëtare si Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi dhe Thoma Avrami.
Këta atdhetarë dhe veprimtarë të shquar dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm për përhapjen e dijes dhe arsimit në gjuhën shqipe. Me mundësitë që kishin, ata u bënë iniciatorë të hartimit të teksteve të para shkollore dhe punuan për pajisjen e nxënësve me materiale mësimore. Nxënësit e tyre, të edukuar me frymën e patriotizmit dhe dashurisë për atdheun, u bënë më vonë veprimtarë dhe luftëtarë të devotshëm për liri dhe pavarësi.
Në nivel ndërkombëtar, UNESCO në vitin 1994 ka shpallur 5 tetorin si Ditën Botërore të Mësuesit. Kjo datë përkujton miratimin e rekomandimit për statusin e mësuesve nga UNESCO dhe ILO në Paris më 5 tetor 1966.
Po atë vit, sipas idesë së UNESCO-s, pedagogu zviceran Robert Dottrens hartoi edhe betimin solemn të mësuesit, të frymëzuar nga betimi i Hippocrates.
Sot, 7 Marsi mbetet një ditë mirënjohjeje dhe respekti për të gjithë mësuesit shqiptarë, të cilët ndër vite kanë qenë udhërrëfyes të dijes, edukimit dhe formimit të brezave të rinj.
Kjo ditë është një kujtesë e përhershme për sakrificën dhe kontributin e tyre në ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe identitetit kombëtar shqiptar.
Shkruar nga Rrahman Hyseni

