PASIVIZIMI NË MEDVEGJË – STRATEGJIA E HESHTUR E ZHDUKJES SË SHQIPTARËVE NGA TROJET E TYRE

Medvegja, njëra nga tre komunat shqiptare në Luginën e Preshevës, ka qenë historikisht pjesë e pandashme e trojeve etnike shqiptare. Me fshatra të lashta, kulturë dhe tradita të pasura, kjo trevë ka lindur figura të shquara të arsimit, kulturës dhe rezistencës kombëtare. Por që nga përfundimi i luftërave në Kosovë dhe ndryshimet gjeopolitike në rajon, ajo është bërë skena e një procesi të heshtur, por tepër të rrezikshëm – pasivizimit administrativ të shqiptarëve.

Çfarë është pasivizimi? – Pasivizimi është një praktikë administrative e autoriteteve serbe, përmes së cilës qytetarëve shqiptarë të Medvegjës (dhe pjesërisht edhe të Preshevës e Bujanocit) u hiqet adresa e vendbanimit nga regjistrat civilë. Në momentin kur një person shpallet “pa vendbanim”, ai automatikisht humbet të drejta të rëndësishme: të drejtën për të votuar, për të marrë shërbime shëndetësore, për të përfituar pension, për të regjistruar pronë, për të rinovuar dokumente identiteti dhe shumë të tjera.

Si realizohet kjo? – Autoritetet lokale, nën mbikëqyrjen e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, deklarojnë se një qytetar “nuk banon më” në adresën e tij zyrtare. Shpesh, kjo bëhet pa një verifikim real dhe pa lajmërim paraprak. Preteksti i përdorur është se “shqiptarët jetojnë në Kosovë ose jashtë vendit”, megjithëse shumë prej tyre janë të pranishëm fizikisht dhe mbajnë shtëpitë e hapura në Medvegjë.

Pasojat demografike dhe politike! – Pasivizimi është një mjet për spastrimin etnik theshtur. Nëse shqiptarët nuk figurojnë në regjistra, ata nuk numërohen as në census, çka ul përqindjen e popullsisë shqiptare në komunë. Ky manipulim statistikash shërben për të justifikuar më pas heqjen e të drejtave kolektive, uljen e përfaqësimit politik dhe dobësimin e pranisë shqiptare në institucione.

Në disa fshatra të Medvegjës, numri i banorëve shqiptarë në dokumente është ulur në mënyrë dramatike, pavarësisht se shtëpitë ekzistojnë dhe familjet kthehen rregullisht. Ky proces ka ndikim të drejtpërdrejtë edhe në çështjet pronësore: personat e pasivizuar shpesh përballen me pengesa ligjore për të trashëguar apo për të regjistruar tokën e tyre.

Qëllimi politik! – Qëllimi final është i qartë: ndryshimi i strukturës etnike të Medvegjës në favor të popullsisë serbe dhe dobësimi i pranisë shqiptare deri në zhdukje statistikore. Ky është një proces që nuk ndodh me tanke e armë, por me vula dhe vendime administrative – një formë moderne e spastrimit etnik.

Reagimet dhe rezistenca! – Shqiptarët e Medvegjës, bashkë me shoqatat kombëtare dhe aktivistët e të drejtave të njeriut, kanë ngritur zërin për vite me radhë. Janë dorëzuar peticione, janë bërë protesta dhe janë apeluar institucionet ndërkombëtare, përfshirë Këshillin e Evropës, Parlamentin Evropian dhe organizatat e të drejtave të njeriut. Por, për fat të keq, procesi vazhdon me ritme të ngadalta, ndërsa çdo vit qindra shqiptarë humbasin statusin e vendbanimit.

Pse është kjo çështje kombëtare? – Pasivizimi në Medvegjë nuk është një problem lokal, por një plagë kombëtare. Çdo shqiptar i larguar nga regjistrat është një adresë më pak në hartën etnike shqiptare, një votë më pak për përfaqësim politik dhe një hap më afër zhbërjes së pranisë sonë shekullore në atë trevë.

Nga viti 2011, kur ka filluar procesi i pasivizimit të adresave, e deri më sot në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, edhe pse nuk ka të dhëna zyrtare, dyshohet se nga regjistri civil janë fshirë mbi 8 mijë qytetarë. Këta qytetarë jetojnë kryesisht në Kosovë apo në diasporë, por mbeten pjesë e pandashme e këtyre trevave.

Shqiptarët e kësaj treve përballen sot me një realitet të rëndë të shënuar nga pasivizimi, papunësia dhe varfëria, që kanë detyruar shumë familje të largohen nga vendlindja në kërkim të mbijetesës. Emigrimi ka sjellë boshatisje dhe presione të vazhdueshme mbi këtë hapësirë shqiptare. Megjithatë, lidhja me tokën amtare nuk është këputur: gjatë verës, mërgimtarët rikthehen, duke sjellë jetë, gëzim dhe shpresë. Me investime në shtëpi, vila e hotele, ata i japin vendlindjes një frymë të re turistike dhe dëshmojnë se rrënjët shqiptare mbeten të gjalla, pavarësisht sfidave.

Shkruar nga Rrahman Hyseni


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *