Më 22 dhe 23 qershor 2025, në kantonin piktoresk të Valais, mes Alpeve zvicerane, qyteti Fully u bë vatër e kulturës shqiptare. Shoqata Humanitare Medvegja (ShHMZ) organizoi për të 28-tin vit me radhë manifestimin tradicional dyditor kulturoro-sportiv, i cili mblodhi bashkë shqiptarë nga trojet dhe mërgata, duke dëshmuar fuqinë e unitetit dhe trashëgimisë sonë kombëtare.
Ashtu si çdo vit, edhe këtë herë SH.K.A “Medvegja”, nën drejtimin e Sylejman Musliut dhe që vepron në kuadër të Shoqatës Humanitare Medvegja, solli një program artistik të pasur me këngë, valle dhe recitale të përgatitura posaçërisht për këtë rast. Paraqitja e tyre u prit me duartrokitje dhe emocion nga publiku i shumtë që kishte mbushur sallën.
Atmosfera festive u pasurua më tej me këngët e solistes Iliriana, si dhe të këngëtarëve Ardi dhe Bardhi, të cilët ndezën skenën me interpretimet e tyre dhe krijuan një mbrëmje të paharrueshme për të gjithë të pranishmit.
Ky manifestim, i cili tashmë është bërë traditë e pandashme e jetës kulturore të mërgatës shqiptare në Zvicër, vazhdon të jetë jo vetëm festë e artit dhe muzikës, por edhe një simbol i ruajtjes së identitetit kombëtar, i solidaritetit dhe i kujdesit për njëri-tjetrin.
Shoqata Humanitare Medvegja, përmes këtij aktiviteti të përvitshëm, dëshmon se mërgata shqiptare në Zvicër është një shtyllë e fortë e ruajtjes së gjuhës, kulturës dhe traditës sonë, duke e përcjellë atë me krenari brez pas brezi.
Punim i shkruar nga shkrimtari i shumë veprave të botuara, opinionist dhe autor i dy katalogëve mbi veshjen tradicionale të Medvegjës, është edhe autor i librave “Shqiptarët e Medvegjës nëpër shekuj” – vëllimi 1 dhe 2, Rrahman Hyseni

