Aulona S. Halimi – Rekuiem për vdekjen shpirtërore!

Vendi ka mbet bosh pa ty, babi. Çdo cep i shtëpisë, çdo rrugë ,çdo kujtim i vogël, sot më kujton praninë tënde, një prani që nuk mund të zëvendësohet. Njerëzit që takoj më thonë: “E lumja ti çfarë babe ke pasur.” Dhe unë ndihem krenare, sepse ti ishe një njeri që të gjithë e çmonin për zemrën dhe veprat e tij të mira.


Ti ishe shembull i vërtetë i mirësisë.Çdo gjë që bëje, çdo ndihmë që ofroje, ishte një dëshmi e shpirtit tënd të madh. Nuk kishe nevojë për fjalë të mëdha, sepse veprat tua flisnin vetë. Ti më dhe jo vetëm jetën, por edhe rrugën drejt vlerave dhe dashurisë së vërtetë.
Sa herë që ndihem e lodhur apo e pasigurt, mjafton të mendoj për ty, për këshillat e tua, për buzëqeshjen që më jepte jetë. Ti më mësove se forca nuk është vetëm tek ajo që shfaqim, por tek ajo që ndjejmë dhe ndajmë me të tjerët.


Ti ishe burimi i forcës sime, dhe tani je frymëzimi im i përjetshëm. Faleminderit që më le pas dashuri, krenari dhe kujtime që më bëjnë të jem më e fortë. Premtoj që do të vazhdoj tutje, duke ndjekur vlerat dhe mësimet, këshillat e tua dhe të vazhdojë rrugëtimin e duhur , sepse e di që kjo është ajo që ti do të dëshiroje për mua. Pusho i qetë, babi, dhe dije që gjithmonë do të mbetem vajza jote e fortë.