Historia e arsimit shqip në Medvegjë është e lidhur ngushtë me emrat e atyre burrave dhe grave që sakrifikuan jetën, dinjitetin e qetësinë personale për hir të gjuhës dhe kombit. Ndër ta, emri i Bafti Krasniqit zë një vend të veçantë. Ai lindi në vitin 1937 në fshatin Gërbac, në një kohë kur mësimi shqip nuk ishte vetëm një e drejtë, por edhe një sfidë politike e shoqërore. Mësuesit shqiptarë përballeshin me represion, me kufizime të mëdha, me kërcënime e ndëshkime. Por, për Bafti Krasniqin, misioni i arsimit shqip nuk ishte vetëm detyrë profesionale, por besë, betim dhe ideal jetësor.

Që nga viti 1954, kur nisi punën si mësues, ai nuk u mjaftua vetëm me zhvillimin e mësimit sipas plan-programeve të imponuara. Ai kërkonte më shumë: të edukonte nxënësit në frymën e dashurisë për gjuhën amtare, për kulturën kombëtare dhe për identitetin shqiptar. Ishte ai që për herë të parë hapi klasën e pestë shqip në Banjë të Siarinës, dhe më pas klasat e para e të pesta në Medvegjë – duke hapur rrugën për vazhdimësinë e shkollimit shqip. Për këtë arsye, ai u njoh me respektin e in madh të popullit si “Mësuesi i popullit”.
Në kohë kur flamuri kuqezi ishte i ndaluar, ai bëri betim mbi të. Në kohë kur Fishta e Naimi ishin të censuruar, ai ua mësonte nxënësve. Në kohë kur heshtja dukej e vetmja rrugë, ai zgjodhi të flasë shqip, të jetojë shqip e të mbetet i përjetshëm në kujtesën e bashkëkohësve të vet.
Trashëgimia e tij nuk kufizohet vetëm te brezi i nxënësve që nxori, por edhe te dorëshkrimet e ruajtura, ku ka dokumentuar historinë e arsimimit shqip në Medvegjë për periudhën 1954–1983. Janë këto dorëshkrime që sot shërbejnë si dëshmi e një kohe të vështirë dhe si testament i një njeriu që nuk pranoi të nëpërkëmbet fjala shqipe.
Pasthënie: Bafti Krasniqi – Nga banka e shkollës te pavdekësia
Figura e Bafti Krasniqit është shembulli më i mirë se si një njeri i vetëm, i armatosur vetëm me dije, guxim dhe dashuri për gjuhën amtare, mund të bëhet simbol i një komuniteti të tërë. Ai nuk ishte thjesht mësues i diturisë shkollore, por edhe bartës i virtyteve kombëtare, edukator i shpirtit dhe frymëzues i rezistencës kulturore.
Quhej “Tregtar flamujsh” sepse donte që flamuri shqiptar të mos ishte thjesht një simbol në libra apo në festa, por të jetonte në çdo shtëpi, në çdo shkollë, në çdo zemër shqiptari. Ky epitet nuk ishte fyerje, por krenari. Ishte dëshmi se për të, flamuri dhe gjuha ishin dy shtyllat mbi të cilat duhej të mbështetej ekzistenca e shqiptarëve në Medvegjë.
Sot, kur brezave të rinj u duket e natyrshme të mësojnë shqip dhe të përdorin lirshëm flamurin, duhet kujtuar se këto liri nuk erdhën vetvetiu. Ato janë fryt i mundit, djersës dhe sakrificës së mësuesve si Bafti Krasniqi, të cilët nuk e kursyen veten për të mbrojtur atë që ishte e shenjtë: gjuhën shqipe.
Trashëgimia e tij na kujton se nderi i një populli ruhet duke mos heshtur, duke mos pranuar mohimin dhe duke e mbajtur të gjallë zjarrin e identitetit. Fjalët e tij të fundit, të mbetura si amanet – “Kush hesht, s’ka nder. Unë dua të flas shqip, të jetoj shqip, të vdes shqip.” – nuk janë vetëm një shprehje personale, por një thirrje për të gjitha brezat që vijnë pas tij.
Bafti Krasniqi nuk është më fizikisht mes nesh, por figura e tij mbetet e pavdekshme në kujtesën e popullit dhe në çdo faqe historie të arsimit shqip në Medvegjë. Ai ishte dhe mbetet mësuesi që nuk dha mësim vetëm me libra, por me jetën e tij.
Punim i shkruar nga shkrimtari i shumë veprave të botuara, opinionist dhe autor i dy katalogëve mbi veshjen tradicionale të Medvegjës, si dhe i librave “Shqiptarët e Medvegjës nëpër shekuj” – vëllimi 1 dhe 2, Rrahman Hyseni