VESHJA TRADICIONALE – ZË I GJALLË I SHPIRTIT DHE IDENTITETIT SHQIPTAR NË MEDVEGJË

Veshja tradicionale e grave shqiptare nga treva e Medvegjës nuk është vetëm një krijim estetik apo një shfaqje e bukurisë së jashtme. Ajo është një pasqyrë e shpirtit të popullit, një dëshmi e historisë, një mburojë e identitetit dhe një manifestim i krenarisë kombëtare. Përmes fijeve të endura, ngjyrave të zgjedhura me kujdes dhe ornamenteve të pasura me simbolikë, ruhet një botë e tërë ku ndërthuren besimet, zakonet, mënyra e jetesës dhe aspiratat shekullore të shqiptarëve të kësaj ane.

Në fshatrat e Medvegjës, veshja nuk ishte thjesht një nevojë e përditshme, por një gjuhë e heshtur komunikimi: ajo tregonte moshën, statusin martesor, pozitën shoqërore dhe madje edhe ndjenjat. Përmes saj dalloheshin vajzat nga nuset, të rejat nga të moshuarat, dhe festat nga ditët e punës. Veshja ishte e gjallë, si një libër i hapur ku çdo brez lexonte të kaluarën dhe ia përcillte të ardhmes.

Ky trashëgim etnografik është i lidhur ngushtë me identitetin shqiptar në Medvegjë, një rajon që ka përjetuar sfida historike, shpërngulje dhe rrezikun e asimilimit. Megjithatë, veshja ka mbetur si dëshmi e fortë e qëndresës dhe e përkatësisë etnike. Ajo nuk është thjesht rrobë, por një shenjë që mban gjallë kujtesën dhe shpirtin e një populli.

Veshjet popullore shqiptare të komunës së Medvegjës përfaqësojnë një pasuri të rrallë etnografike, ku çdo detaj – nga ngjyra, materiali, deri te mënyra e veshjes – mbart kuptime të thella kulturore dhe simbolike. Ato janë punuar me dorë ndër vite e shekuj, duke u përcjellë nga brezi në brez, me përpikëri dhe rigorozitet të admirueshëm.

Veshjet sipas moshës dhe statusit: Tek gratë shqiptare të kësaj treve, veshja ndryshonte sipas moshës dhe statusit familjar. Vajzat mbanin shami dhe këmishë të bardhë, çorape të bardha dhe, në dimër, mitan të zi. Nuset dhe gratë e reja dalloheshin me shami me lule, dimi me lara, këmishë të qëndisur ose të bardhë, xhemper të kuq dhe çorape me rrema. Gratë e moshuara vishnin shami xhyveze (ngjyrë purpurt), këmishë të bardhë dhe, në dimër, xhemper e çorape të zeza.

Materialet dhe zhvillimi historik: Historikisht, këmisha-fustanella të gjata punohej prej liri, ndërsa dimitë prej leshi. Më vonë u përdor pambuku, që hyri në përdorim në fillim të shekullit XX. Përparësja (pështjellaku) lidhej për beli me një tojë ose ushkur.

Veshja e nuses sipas ditëve të dasmës: Rendi i veshjes së nuses në ditët e para të martesës ishte tejet rigoroz: Dita e parë: dimi, përparëse dhe anteri (triko) të zeza; çorape lulekuqe; shami bojëgjake.
Dita e dytë: dimi dhe shami xhyveze; çorape me harqe; përparëse me vija vertikale; këmishë dhe shokë me rruaza; kushak me penezë; jelek me gajtan; shami bojëgjake me tufë sipër.
Dita e tretë: dimi lahori; çorape të bardha; peshqir me penezë; përparëse me vija të verdha; kapuç me rruaza dhe me para; një lirë në ballë; katër bistekë për shpinë; “shive” (blej flokësh) për faqe; vellë e vendosur kryq me tri lule në majë.

Karakteristikat dalluese: Kjo veshje dallohet për punimin e dorës me përpikëri, prerjen dhe qepjen me stil të veçantë, si dhe dizajnin me motive tradicionale. Ruajtja e renditjes dhe përdorimit të saj në raste ceremoniale ishte pjesë e pandashme e traditës.

Pasthënie: Trashëgimi që kërkon ruajtje dhe promovim brez pas brezi

Sot, kur globalizimi dhe modernizimi po e zbehin dallueshmërinë e kulturave, veshja tradicionale e grave shqiptare të Medvegjës mbetet një thesar i paçmuar që duhet ruajtur me kujdes dhe përkushtim. Ajo është dëshmi e një periudhe të gjatë historike, ku çdo element i saj është punuar me dorë dhe me dashuri, duke mbartur një histori të tërë familjare e shoqërore.

Përdorimi i saj në dasma, festa kombëtare, përformanca folklorike dhe ekspozita etnografike nuk është vetëm një akt nostalgjie, por një gjest i vetëdijshëm për ta mbajtur gjallë trashëgiminë. Veshja është kujtesë kolektive, por edhe një mesazh për brezat e rinj: të mos harrojnë rrënjët, të ndihen krenarë për prejardhjen dhe të bartin me nder kulturën e të parëve.

Është detyrë e familjeve, shoqatave kulturore dhe institucioneve të kujdesen për dokumentimin, ekspozimin dhe promovimin e këtyre veshjeve, jo vetëm si pjesë e muzeve, por edhe si pjesë e jetës së gjallë kulturore. Vetëm kështu, kjo trashëgimi nuk do të mbetet relike e së kaluarës, por do të jetojë si një pasuri e gjallë, që i jep ngjyrë dhe kuptim identitetit tonë.

Veshja tradicionale e grave të Medvegjës është më shumë sesa një veshje: është art, është histori, është shpirt. Ajo na lidh me të kaluarën dhe na udhëheq drejt së ardhmes, duke na kujtuar se kush jemi dhe nga vijmë.

Punim i shkruar nga shkrimtari i shumë veprave të botuara, opinionist dhe autor i dy katalogëve mbi veshjen tradicionale të Medvegjës, si dhe i librave “Shqiptarët e Medvegjës nëpër shekuj” – vëllimi 1 dhe 2, Rrahman Hyseni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *